Një gabim më njohu me njeriun e jetës

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues, historia ime nisi thjesht nga një copë letër dhe nga një keqkuptim. Besoj se kur të lexoni vazhdimin e historisë, do ta mendoni ndryshe çdo mundësi që do t’ju ofrohet.

Unë punoja si kameriere në një lokal. Përveç pijeve, ne shërbenim edhe gjëra të ngrohta, por jo si në restorantet e mëdha. Njerëzit vinin për të ngrënë ndonjë drekë të lehtë kur e kishin shtëpinë larg dhe kështu, kalonin një vakt të shpejtë e të bollshëm. Unë në atë kohë isha e divorcuar dhe kisha një fëmijë. Isha rreth të 28-tave dhe punoja gjatë turnit të parë se vajzën e kisha 8 vjeçe dhe pasdite nuk kishte kush të kujdesej për të. Vinin nga të gjitha llojet e njerëzve, profesorë, inxhinierë, doktorë, të papunë etj. Mua nuk më ngacmonin, të them të drejtën, sepse punoja gjithmonë me një vajzë të re e të bukur 21 vjeçare dhe të gjithë i propozonin asaj. Unë kisha vuajtur me burrin tim dhe për momentin nuk doja të kisha burrë tjetër. Kishte raste kur më mungonte shumë, por e kaloja kohën duke iu përkushtuar vajzës. Pasi kaloi një kohë e gjatë që punoja në atë lokal, fillova t’i njihja klientët dhe të fiksoja disa prej tyre që vinin më shpesh. Ndër ta ishte një djalosh rreth të tridhjetave. Ishte i gjatë dhe kishte një pamje prej aktori filmash. Ai ishte shumë i edukuar dhe si gjithë të tjerëve më buzëqeshte gjithmonë edhe mua kur i shërbeja. Na falënderonte sa herë ikte dhe kështu, pak nga pak, tek unë filloi të lindte një ndjenjë e re për këtë djalë. Unë zakonisht nuk jam edhe aq e dashur me njerëzit. Kjo nuk do të thotë që jam e pasjellshme, por nuk jam edhe aq e buzëqe- shur. Pavarësisht kësaj, kur vinte ky djalosh, mua buzëqeshja më dilte vetvetiu. As vetë nuk doja, por nuk e ndaloja dot.

Një ditë, pasi kishte ngrënë, unë shkova të pastroja tavolinën e tij dhe pashë një copë letër ku ishte shkruar një numër telefoni. E futa menjëherë në xhep. Isha e sigurt që e kishte lënë për mua. Doja ta merrja në darkë kur isha në shtëpi vetëm, por mendova se do të ishte më mirë ta merrja të nesërmen para se të shkoja në punë. Të nesërmen u zgjova vonë dhe nuk kisha kohë për t’i telefonuar; duhej të merresha me vajzën e të përgatitesha edhe vetë për në punë.

Në punë po prisja me padurim momentin kur ai të vinte, por për çudi, ai nuk erdhi atë ditë. Mendova se i kishte mbetur hatri që nuk e mora në tele- fon, kështu që sapo mora pushimin e drekës, i telefonova: - Alo, si jeni? - Mirë faleminderit! Kush jeni ju?

- Ajo që më dhatë numrin e telefonit dje, kamerierja e lokalit...

- Oh, më fal, nuk ta njoha zërin. Faleminderit për telefonatën. Nuk besova se do të më merrje në telefon, megjithëse e lashë numrin...

- Desha të të merrja më parë, por nuk kisha kohë... - i thashë.

- S’ka gjë më mirë vonë, se kurrë! – tha ai me një humor të hollë dhe të këndshëm.

Me kaq e mbyllëm telefonatën e parë. Edhe pse kisha vendosur të mos lidhesha me një tjetër mashkull, për të do ta thyeja vendimin. Vazhdova punën dhe në darkë e mora përsëri. Sa po përshën- deteshim, ai dëgjoi vajzën që po më kërkonte t’i shikoja detyrat.

- Kush po të thërret “mami”? - më pyeti i habitur. - Vajza ime, – i thashë. - Pse ke fëmijë, në atë moshë që je ti?

- Po, sigurisht! Pastaj, besoj se jam në moshë të përshtatshme për të patur fëmijë...

- Oh, më fal, por ti je tepër e re. Ti je ende fëmijë vetë.

- Faleminderit për komplimentin, - qesha unë, - por jam 28 vjeçe. Edhe pak e mbush 29.

- Vërtet? Po nuk dukesh më e madhe se njëzet! Po habitem...

- Njëzet është ajo tjetra, jo unë. – i thashë, ende pa kuptuar asgjë.

- Cila tjetër? - ai vazhdonte të habitej dhe më tepër.

- Kamerierja tjetër që punojmë së bashku.

Nga ana tjetër e telefonit nuk u dëgjua asnjë zë. Kjo heshtje më bëri të kuptoja se kisha gabuar që e kisha marrë atë copë letër, pasi ai e kishte lënë për kolegen time e jo për mua.

- Oh, mos më thuaj se ti e ke lënë numrin për… - nuk i thoshja dot emrin e saj se dukej se do të më shembej tavani mbi kokë.

- Të lutem, më fal për keqkuptimin! - u shfajësua ai. Në fakt, ai nuk kishte pse të shfajësohej sepse gabimin e kisha bërë unë.

- Jo, jo, ju nuk keni faj unë gabova duke menduar se...

- I gjithë faji është i imi. Nuk duhej ta kisha lënë numrin im në tavolinë, por nuk po gjeja mënyrë tjetër. Më fal edhe një herë.

Ja pra se si u përmbysën gjërat me një të thërritur të vajzës “mami”. U mërzita shumë dhe nuk më bëhej të shkoja në punë. Nuk e dija...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.