Vjehrra na mbrojti nga im shoq

Intervista - - FAQE 1 -

E nderuar redaksi! Po e shkruaj këtë histori të trishtë për të falënderuar vjehrrën time, e cila më ktheu në shtëpi, më riktheu familjen e dashurinë e tim shoqi. Sot jam njeriu që e “vizitoj” më shpesh spitalin, për shkak të problemeve shëndetësore që ka ime bijë dhe njeriu që më ndjek e më ndihmon gjithmonë është ime vjehrrë.

Prindërit e mi janë njerëz punëtorë, kanë punuar në fillim të martesës së tyre në fabrika, siç ishte koha atëherë e tashmë janë të punësuar në privat. Nuk janë biznesmenë, sigurisht, se ata nuk ishin njerëz me shkollë që të dinin si funksionojnë këto punët e zyrave apo bizneset, nuk janë njerëz të iniciativës. Edhe ne fëmijët jemi si ata. Na kanë mësuar të punojmë, im atë ka një shprehje: “më mirë puno kot, sesa rri kot” e në fakt, edhe unë jam dakord me të.

Kështu, vëllai e motra ime që janë më të mëdhenj, sapo mbaruan shkollën e mesme filluan punë. Vëllai te një marangoz, shok i babait ku mori edhe zanatin. Sot ka repartin e vet ku punon, ndërsa motra punon një një dyqan byrekësh. Ndihet mirë aty ku është se ka orar të pjesshëm dhe i mbetet kohë të merret edhe me punët e shtëpisë, përcjell fëmijët, kujdeset për prindërit e të shoqit se janë pleq goxha në moshë.

Unë, si më e vogla e fëmijëve, pasi mbarova shkollën e mesme, meqë i kisha qejf gjuhët e huaja, prindërit u ngushtuan shumë e më futën në një kurs privat për mësuar italisht. Dhe ua shpërbleva. Italishten e mësova jo vetëm me kurs, por lexoja edhe libra për fëmijë (në fillimet e mia, sepse kishin fjalor më të thjeshtë për një fillestare) dhe fillova punë si sekretare në një firmë italiane. Rroga ishte shumë e mirë dhe punë e qetë. Edhe pse ka emrin sekretare, nuk kishte lidhje me të qenit dashnorja e pronarit. Pronari, përveçse vinte shumë rrallë në Shqipëri, kishte bërë një hile tjetër për të kontrolluar të gjithë punonjësit. Zyrat ishin të ndara nga njëra-tjetra me duralumin dhe me xham të pastër si dritaret (jo të bombarduar) dhe të gjithë e shihnim njëri-tjetrin se ç’po bënte. Kështu, mundësia e llafeve ishte zero. Në punë ishim dyzet e shtatë vetë, mosha të ndryshme e nga zona të ndryshme të Shqipërisë.

E kemi kaluar mirë dhe kemi festuar gjithmonë lokaleve festat e fundvitit, apo edhe kemi sajuar festa për t’u mbledhur sa herë vinte pronari nga Italia. Një vit që puna në firmë eci shumë mirë, pronari na propozoi që të shkonim me nga dy grupe në Itali për pesë ditë dhe kështu u ndamë, njëzet e pesë njëri grup e njëzet e dy, grupi tjetër. Ishim ndarë sipas shoqërisë që na ecte më shumë muhabeti. Shpenzimet gjysmat i mori përsipër pronari dhe gjysmat i paguam vetë.

Ishin ditë të paharrueshme jo vetëm sepse vizitova Romën, por edhe se aty u dashurova me shokun tim të jetës. Në grupin tim prej njëzet e pesë personash ishim shtatëmbëdhjetë beqarë dhe pjesën tjetër i kishim të martuar. Ne beqarëve, pas darke, pronari na tregoi se ku mund të harboheshim e atje përfunduam. Nuk ndodhi asgjë e keqe, nuk u dehëm apo nuk kaluam cakun, por aty e kuptova aq mirë Leonardin. Ishte njeriu që kishte me pak lidhje pune me mua në të gjithë firmën dhe vinte aq rrallë në zyrën time! Prandaj s’e kisha vënë re asnjëherë në Tiranë, por në Itali jo vetëm më ra në sy, por edhe më ra në kokë për të. Ai është nga një qytet tjetër dhe në Tiranë kishte marrë një shtëpi me qira bashkë me tre shokë e ndanin shpenzimet. Sigurisht në një shtëpi ku jetojnë katër djem, dihet rrëmuja e pastërtia, moda apo veshjet e tyre. Gjithsesi, për në Itali ia kishte bërë gati valixhen e motra. Në lokale, ndërsa kërcenim, apo rrugëve të Romës ndërsa ne vizitonim vende historike mrekullisht të bukura të Romës, ndjeja eromën e rrobave të tij dhe erën e trupit të tij. ai filloi jo vetëm të më rrinte afër, por edhe kapej pas krahut tim, si shenjë miqësie në dukje nga grupi, por unë e ndieja se shtrëngimi i tij ishte ndryshe. Një natë, ndërsa kërcenim, ai më hodhi duart rreth belit dhe në vesh më pëshpëriti:

- Elegantja ime, o Zot më duket e pabesueshme që të kam në krahët e mi, - e ndërkohë më rrotullonte duke kërcyer. Nuk arrita të ktheja përgjigje asnjëherë pas pëshpërimave të tij sepse menjëherë më rrotullonte e vazhdonte kërcimin. Me këtë ai nuk linte asgjë për të dyshuar te pjesa e grupit dhe mua ma hoqi trurin fare. Atë natë u ndamë në hollin e hotelit dhe pothuajse nuk fjeta, duke analizuar ato që më kishte thënë. Të nesërmen në mëngjes, kur zbrita për të ngrënë mëngjes dhe për të pirë kafen, e gjeta aty me sytë nga ashensori dhe pashë që i shkëlqyen bebet e syrit kur më pa.

- Mirëmëngjes, mirë je sot? – më pyeti dhe si një natë më parë, nuk më la kohë t’i përgjigjesha. – Nuk i kam larë duart mbrëmë dhe më duket sikur akoma i kam në belin tënd, - dhe qeshi.

- Dhe me duar të palara do të hash? – thashë ndërkohë që s’më erdhi tjetër gjë në mendje t’i thoja. Fatmirësisht, nuk u fye, por qeshi.

– Jo s’e kam bezdi të ha me duart që të prek ty, - dhe me shumë kujdes me përzieu qumështin me një pako sheqer dhe më shihte e qeshte.

Ai nisi të tregonte diçka nga historitë e shkollës së tij dhe shumë shpejt, tavolina jonë u mbush me kolegët tanë. Pasi dolëm, u nisëm për të vizituar Koloseun, ai u afrua dhe...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.