Eduart Ndocaj: Unë do fitoj, se më përkrah SADNA

Intervista - - FAQE 1 -

Intervistën e radhës mendova ta bëja me zotin Eduart Ndocaj, të djathtin që kërkon të bëhet kryetar i PS- së. Zotin Ndocaj e gjeta përpara Kuvendit, duke rregulluar kapelen e tij të madhe...

Kaso Kosa: - Përshëndetje! Mendoni se do t’i fitoni zgjedhjet në PS, zoti Ndocaj?

Eduart Ndocaj: - Sigurisht që do fitoj, Kaso. Unë jam i djathtë dhe e meritoj kreun e PS- së.

- Nuk ju kuptova...

- Si nuk më kupton? Shqip fola. PS-ja s’po lë gjë pa privatizuar Kaso. Pra, na ka vjedhur programin ne të djathtëve. E kush më mirë se një i djathtë, mund të jetë në krye të saj?

- Pra, keni shpresë që...

- Nëse nuk më vjedhin votat, do fitoj se s’bën. Kam përkrahjen e ndërkombëtarëve unë Kaso...

- Keni edhe përkrahjen e ndërkombëtarëve? Të cilëve për shembull?

- Zonja Sadije më ka shprehur përkrahjen e saj për kandidimin tim.

- Më falni, zoti Ndocaj, për injorancën! Cila është kjo Sadije, se nuk e njoh?

- Nuk njeh Sadijen ti!? Kaq i paditur je bre burrë?!

- Më falni edhe një herë për injorancën, por nuk e njoh. Turkeshë është kjo?

- Më mirë akoma. Është indieshë bre.

- Indieshë? Domethënë indiane?

- Po, pra, indiane. Si nuk njeh Sadien ti bre?! Për të qanë gjithë gratë e vendit.

- Të vendit të saj?

- Të vendit tonë, pra. Ne vendin e tyre nuk e di unë nëse qanë apo jo.

- Kush është kjo?

- Sadna pra, ajo e telenovelës indiane. Unë nuk i them Sadna, por Sadije.

- Tani ju kuptova. Veçse nuk kuptoj një gjë: Përse Sadija do t’ju ndihmojë juve?

- Do më ndihmojë, pasi unë jam një kauboj. E di ti kuptimin e kësaj fjale?

- Me sa di unë, kështu quhet një gangster.

- As shqipen nuk e di ti!? Le nam le! “Kauboj”, quhet ”lopçari”.

- “Lopçari” quhet “kauboj”? Nuk e dija këtë zoti Ndocaj. Po përse do t’ju ndihmojë ju Sadija, nuk marr vesh?

- Dëgjo Kaso! Ti e di që indianët e kanë të shenjtë lopën. E di këtë fakt, besoj. Përderisa kanë lopën si gjë të shenjtë edhe mua si “kauboj”, pra, lopçar që jam, do më ndihmojnë. Kuptove tani?

- Tani kuptova. Po si do t’ju ndihmojë kjo Sadna juve. Kjo Sadija, domethënë?

- Ndihma do të konsistojë në dy mënyra, që ta dish ti. E para: Do të më sjellë nga India 1 mijë lopë.

- Keni folur me Sadnën për këtë gjë? - Kam folur dhe ma premtoi. Muajin tjetër, lopët e Sadijes mbrrijnë në Shqipëri. Indiani kur jep fjalën, ther edhe gjënë më të shenjtë...

- Ther djalën...

- Therr lopën, Kaso. Gjeja më e shenjtë për indianin është lopa.

- Ç’do bëni me lopët e Sadijes?

- Do t’ua shpërndaj anëtarëve të Partisë Socialiste, kështu që ata do të votojnë që unë të jem kryetar i PS-së. Dritan Prifti me disa lopë që shpërndau, për pak na u bë deputet! Kuptove Kaso?

- Tani po filloj të kuptoj. Pikën e parë, domethënë, e kuptova. Tani më mbetet të kuptoj pikën e dytë.

- Pika e dytë ka të bëjë me fushatën. Mua këtë do ma bëjë Sadija.

- Do merrni Sadnën për fushatë? Ky qenka lajm ekskluzivisht për mua. Le ta dijë gjithë Shqipëria që këtë gjë ia thatë vetëm Kasos!

- E kupton Kaso, që një llaf i Sadijes tund malet tona. Imagjino të thotë Sadija: Ju anëtare gra të PS- së, votoni zotin Ndocaj për kryetar partie. Mendon ti se do të mbetet grua socialiste pa e dëgjuar. Për Sadijen qanë gratë më shumë se ç’kanë qarë për njerëzit e tyre.

- Me gratë e mora vesh që e keni qepur muhabetin. Burrave të PS-së si do t’ua bëni që t’ua merni votat?

- I kam bërë të gjitha llogaritë Kaso. Anëtarët burra të PS- së do ndajnë votat e tyre midis Ramës dhe Blushit, kështu që unë fitoren e kam të sigurtë. Nga gratë.

- Keni diçka të shtoni, se po arrijmë në fund të intervistës...

- Përshëndes vetëm gratë e PS-së.

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.