Shkatërrova martesën time, por edhe jetën e motrës

Intervista - - FAQE 1 -

Sapo jam kthyer nga emigracioni dhe hasa gazetën tuaj. E kam lexuar kur kam qenë shumë i ri dhe nuk e dija që ishte ende në treg, për këtë ju përgëzoj. Kur ju lexoja unë, ju nuk botonit histori nga jeta, por tani shoh që paska shumë ngjarje të tilla interesante dhe do kisha shumë dëshirë ta shihja jetën time te këto faqe... Sigurisht, jo gjithë jetën se unë çfarë s’kam bërë, po tani jam shtruar dhe dua t’ju tregoj për mëkatin që më solli këtu në Shqipëri, pas njëzet vitesh të kaluara sa në Belgjikë, sa në Angli e sa në Zvicër... Nejse, tani së fundi isha në Greqi dhe qeshë stabilizuar disi, po nuk qe e thënë. Me sa duket, më kot pata besuar se nuk do të ktheehsha më në Shqipëri, sepse jo vetëm që u ktheva, por as nuk kam më mundësi të iki prej këtej, se emri im ësh- të shënuar me vizë të kuqe... Ç’t’i bësh? Gabimet nuk u bëkan vetëm në rini, po edhe kur je dyzet, si puna ime...

Në Greqi pata filluar punë në një restorant si ndihmëskuzhinier. Çfarë s’kam bërë unë në jetën time; lloj-lloj profesionesh! Edhe ky më kishte munguar, që të futesha në një skutë e të rija gjithë ditën duke qëruar qepë e patate, por kur je emigrant duhet t’i pranosh të gjitha. Unë pranoja edhe keqtrajtimin e kuzhinierit që kisha mbi kokë. Të kuptohemi, jo keqtrajtim fizik, se ku ia mbante atij të hahej me një div si puna ime, po ama me aq sa kishte mundësi, ai ma nxinte jetën. Çfarë s’kam hequr nga ai! Intriga nga më të ndryshmet; më hiqte ditën e punës, i thoshte shefit se nuk e bëja punën mirë, bënte vetë pisllëqe dhe fajin ma vinte mua, vidhte gjëra në kuzhinë dhe po të diktoheshin, gishtin e drejtonte nga unë e kështu... fatmirësisht, pronari i restorantit, në njëfarë mënyre e njihte, besoj. E them këtë se, nëse do të kishte qenë njeri tjetër, do të më kishte hequr me kohë nga puna, po atij i pëlqente puna ime, e shihte që rrija me kokën ulur dhe si duket, nuk i besonte shumë kuzhinierit që kushedi me sa të tjerë para meje e kishte bërë këtë punë... Para se të futesha në punë aty, më patën thënë se shumë të tjerë kishin ardhur e kishin ikur nga ajo punë. Unë habitesha, se rroga ishte vërtet e mirë, po kur u futa vetë, e kuptova se gjithë të keqen e bënte kuzhinieri. Ja që pronari ia kishte nevojën si duket se, po aq sa ishte i zoti të thurte intriga, po aq ai ishte i zoti në kuzhinë dhe restoranti rrinte gjithmonë plot. Na kishte zënë rrota bishtin domethënë, si mua që e kisha mbi krye, ashtu edhe pronarin që e kishte në varësi...

Të them të drejtën, edhe unë habitesha se sa shumë e duroja atë njeri. Si duket, mosha bën të vetën. Sa isha i ri, me kë s’isha zënë për një llaf goje, ndaj s’më zuri vend b... kur i thonë, nga njëri vend te tjetri. Këtë maskarain grek e duroja e s’i ktheja gjysmë fjale. E kisha gjetur zgjidhjen; bëja sikur s’e dëgjoja dhe vazhdoja punën time. Në fakt, kisha vërtet nevojë për atë punë. Unë jetoja vetëm, se nuk jam as i fejuar as i martuar dhe familjen e kisha në Shqipëri, por në atë kohë kur fillova punë aty, në Shqipëri më qe aksidentuar vëllai dhe kishte mbetur thuajse i paralizuar në shtëpi. Fatmirësisht, lëvizte me paterica, po as që bëhej fjalë të punonte. As pension nuk merrte se deri në atë kohë kishte punuar në të zezë; e dini ju Shqipërinë tonë ku s’e merr vesh i pari të dytin! Kur mësova që m’u aksidentua vëllai, desha të nisesha menjëherë për në Shqipëri, edhe pse mund të më digjeshin dokumentet, por nuk më la mamaja. Duke qarë, ajo më doli në telefon dhe m’u lut që të mos nisesha, se do t’i bëja dëm edhe vetes, edhe atyre.

“Deri më sot s’të kam kërkuar gjë, o bir, më tha. Nëse ke dashur të na sjellësh gjë, të kam thënë “faleminderit”, por sot na ka zënë laku fytin. Fëmijët e tët vëllai duan të hanë, o bir dhe unë nuk mund të punoj në këtë moshë. Nusja punon e shkreta, po sa lek merr ajo?!... Nëse e do vërtet tët vëlla, tregoja duke e ndihmuar me para e jo duke ardhur, shpirt i nënës. Të ra barra ty tani, të paktën sa t’i rriten fëmijët...”.

Nëna më qante nga njëra anë e telefonit dhe unë nisa të qaja nga tjetra. Nuk kisha provuar dhimbje më të madhe në jetën time! Nëna e kishte mbajtur veten gjithmonë para nesh, s’e kisha parë asnjëherë të qante, edhe pse na rriti pa baba e na bëri burrames halleve. Kur ndjeva dhimbjen e saj, e kuptova se kishte ardhur koha që të harroja aventurat e mia dhe të bëhesha për herë të parë burrë, shtylla e shtëpisë. Kështu pra, vetëm për hir të nënës e të fëmijëve të vëllait, unë dëgjoja e haja veten me dhëmbë kur maskarai grek gati sa s’m’i nxirrte sytë me kthetrat e tij. Njeri më të ndyrë s’kam takuar në jetë, po edhe më ngushtë nuk e kisha parë veten. Kështu, duroja. Po edhe durimi e ka një kufi dhe...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.