Punova si prostitutë për t’i paguar shkollën vëllait

Intervista - - FAQE 1 -

Jam Ana, me origjinë nga Shqipëria e Mesme. Jeta për mua ka qenë aq e vështirë sa ndonjëherë mendoj se do të ishte më mirë të mos kisha lindur fare. Gjithçka nisi vite më parë, kur prindërit e ndanë nga jeta për shkak të një aksidenti tragjik rrugor dhe më lanë jetime mua bashkë me dy vëllezërit më të vegjël. Në këto momente që ju shkruaj unë jam 29 vjeçe dhe gjithmonë kam ëndërruar të jetoja me princin tim të kaltër e të bëja një jetë normale, por shumë shpejt mësova që ato ëndrra shihen vetëm në gjumë pasi me sy hapur, jeta të bën ndryshe. Prindërit e mi më kanë rritur me edukatë dhe më kanë ndjekur hap pas hapi deri në momentin kur nuk ishin më. Unë u dërrmova shumë pas humbjes së prindërve, por duhet të gjeja patjetër forcën për të vazhduar përpara. Jeta nuk mund të më mundte. Amaneti i fundit i prindërve të mi ditën që kishin bërë aksidentin me furgon, ishte që “vajza e madhe t’u dalë krah më të vegjëlve”. Edhe mua më dhimbseshin shumë dy vëllezërit më të vegjël. Momentet më të vështira për mua kanë qenë kur u dhashë lajmin e vdekjes së prindërve dhe kur ata thërrisinin: “O maaa! O baaa!”, unë mekesha duke qarë. Më dhimbte shpirti e më pikonte zemra, e gjeja edhe unë veten brenda tyre, doja të bërtisja edhe unë më fort se ata. Jeta vuajtje paska qenë, tek e fundit!

Vitet e para pas vdekjes së tyre për ne ishin ndryshe, kishim përkrahjen e fisit ekonomikisht, por pastaj mbetëm plotësisht vetëm, pasi ata kishin hallet e tyre, po rritnin fëmijët e vet. Unë mbarova vetëm gjimnazin me të shtyrë, më shumë sepse mësuesve u vinte keq për mua. Dikush më jepte librat falas, dikush tjetër bukën e kështu gjërash. Provova të dilja edhe në disa emisione televizive për të kërkuar ndihmë, por më ndihmuan shumë pak e më pas çdo gjë u harrua, sikur e bënë për shou. Vura re se vëllezërit sa më shumë rriteshin, aq më shumë nevoja kishin e detyrimisht, duheshin edhe më shumë lekë. U detyrova të filloja punën. Gjatë kësaj periudhe filluan të më rriteshin edhe dy vëllezërit. I madhi ishte maturant dhe do të shkonte në shkollë të lartë. Ai mësonte shumë dhe ishte gjithashtu edhe pika e dobët e prindërve të mi, ndjesë paçin. Një ditë e pashë shumë të mërzitur... Në fakt e shikoja çdo ditë të mërzitur, megjithëse ai përpiqej ta fshihte këtë gjë dhe të mos më binte në sy mua. Ai e kishte kuptuar situatën dhe sa herë ndesheshim bashkë, më shmangej. U ulëm për të biseduar si të rritur dhe e pyeta se pse ishte mërzitur. Sytë e tij ishin të mbushur me lot, mbante kokën poshtë dhe nuk merrte guximin të fliste. Vetëm pasi ngulmova shumë, ai më tha:

- Po ja, unë tani u rrita, konsiderohem burri i shtëpisë dhe nuk më vjen mirë që motra ime të vuajë për bukën e gojës dhe të punojë për ne. Ajo duhet të shoh veten e saj dhe të krijojë familje për vete… - këtë ma tha me një zë therës që nuk e harroj as tani.

- Dëgjomë mua, – i thashë. - Kush ta ka thënë ty këtë? Nga kjo fatkeqësi që na ndodhi do mundohemi të çajmë përpara, ti shkollën e lartë do ta vazhdosh. Do bëhesh dikushi në jetë. Te puna si kameriere unë marr shumë bakshishe dhe mund t’ia dalim të tre shumë mirë, na mjaftojnë.

Ai sikur u qetësua. Megjithëse më kushtoi jashtëzakonisht shumë ta bindja dhe lodhesha pa masë, ndi- hesha e dërrmuar me veten time se si po e ndërprisja jetën time në mes dhe po lija gjërat e mia mënjanë. Ama, ndihesha mjaft e lumtur kur mendoja se po sakrifikoja për ëndrrën e vëllait tim dhe timen: Shkollimin! Besoja se aty do ta gjeja veten dhe unë.

Erdhën provimet e maturës dhe vëllai konkurroi për shkollë të lartë në Tiranë. As që dyshoja se do të fitonte një degë të mirë. Fitoi për Mjekësi dhe të gjithë që kishin dyshime në fis e që ishin kritikë ndaj nesh, ngelën gojëhapur. Ishte një ndër momentet më të gëzuara të jetës sime. Mirëpo vëllait i duheshin rreth gjysmë milioni lekë për konviktin dhe pagesat e tjera të shkollës që unë e kisha të pamundur t’i siguroja, për shkak të rrogës së pamjaftueshme si kameriere, aq më shumë që kisha vetëm disa muaj që kisha filluar punë. Ku t’i gjeja? Përditë vrisja mendjen, derisa një ditë erdhi një klient në lokal dhe në muhabet e sipër pasi ia qava hallin, më tha se kishte një kabare dhe të shkoja të kërceja për të atje se kisha trup të bukur. Herën e parë e refuzova pa një pa dy, por më pas ai këmbënguli dhe filloi të vinte shumë shpesh në lokalin ku punoja. Aty më nxori një milion lekë dhe më tha kjo do të ishte rroga ime mujore.

- Kabareja ime është shumë larg shtëpisë ku ti banon, askush nuk ka për ta marrë vesh. Rri e qetë. Pse do t’i lësh vëllezërit në rrugë? Me këtë rrogë që merr ti këtu, keni për të vdekur. Ka ikur koha e gocave të mira, hajde aty të bëj bose lali jot…- tha ai.

Me këto që tha nuk më tundoi shumë, por kur e pashë që kisha lakun në fyt pranova, edhe pse e parandieja që aty fillonte shkatërrimi im… Nuk po mendoja asgjë në ato çaste. Doja vetëm të shkoja në shtëpi e të ndaja me vëllain e madh lajmin e mirë se ia gjeta lekët.

- Uaaaauuu je motra më e mirë në botë, jo vetëm që më ke gjetur lekët e konviktit, por edhe qiranë e pagesën e shkollën për disa muaj. Jam shumë i lumtur! - më tha dhe më përqafoi me dashuri. Këto fjalë dhe gëzimi tij më bënë të ndjehesha shumë mirë.

Vëllai u nis në Tiranë dhe vinte në shtëpi një herë në muaj. Flisja vazhdimisht gjatë ditës me të në telefon. Ai mori drejtimin e duhur në jetë, ndërsa vëllain e vogël paradite e çoja shkollë dhe e vija në gjumë pasdite, kurse për mua në darkë niste ferri i vërtetë. Ditën e parë që shkova në kabare hasa shumë vajza të egra e të shkathëta dhe më dukej vetja e dështuar para tyre. Njëra që ishte si përgjegjëse quhej Lola. E takova fillimisht, më trajnoi dhe më mësoi si të kërceja në tub. Kisha shumë siklet, më vinte për të vjellë që të gjithë ata meshkuj shikonin trupin tim dhe doja të ikja që aty, por e dija që nuk mundesha, sikur isha zhytur në një pellg me baltë dhe nuk lëvizja dot. Shoqëria dhe gjithkush që kisha m’u larguan e pothuajse i humba kontaktet me njerëzit. Dilja shumë vonë nga puna. Sytë më ishin bërë rrathë-rrathë nga pagjumësia. Mezi i shtyja ditët. Fjalor banal përreth, fjalë të këqija orë e sekondë. Më dukej sikur po më ikte mendja aty, por kur mendoja pse po e bëja këtë, që po ...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.