Nexhmije Hoxha: Pse i vrau shokët Enveri?

Intervista - - AKTUALITET -

Ajo çka deklaroi Rudina Xhunga se intervista e dhënë për të ishte e fundit që do jepte në këtë jetë Nexhmije Hoxha, nuk ishte e vërtetë. Pas intervistës me zonjën Xhunga, ashtu siç na kishte premtuar, shoqja Nexhmije, të nesërmen, më priti në shtëpinë e saj për të dhënë intervistën e fundit, intervistën e jetës së saj… Në orarin e caktuar u gjenda para portës së shtëpisë së saj, tek ish-pularia.

- Së pari, faleminderit që na pranuat neve për të dhënë intervistën e fundit në jetën tuaj, shoqja Nexhmije. Fillojmë?

Nexhmije Hoxha: - Po. Urdhëroni Kaso!

- Ç’janë këto, shoqja Nexhmije?

- Pyetjet që do më bëni… - Më falni, shoqja Nexhmije, por unë s’marr pyetje të gatshme. Ato i bëj vetë.

- E, mo Kaso, ndaj ke mbetur pa lekë ti… Nejse, meqë më erdhe në shtëpi, më bëj ç’pyetje të duash. Së pari, të më falësh që nuk po të nxjerr ndonjë portokalle a ndonjë mollë për qerasje, por s’kam marrë akoma tollonën nga Fronti. Shkova tek ata të Frontit dhe më thanë se duhet të prisja datën 5 Maj për ato 2 kile mollë e portokalle. - Ç’ne deri në 5 Maj, zonja Hoxha? - Po meqë është Dita e Dëshmorëve Kaso, apo harrove?! Duhen respektuar të rënët.

- Meqë më kujtuat 5 Majin, zonja Hox- ha… Si u vra Qemali? Thonë se e spiunoi Enveri dhe për këtë gjë, nëna e Qemalit nuk i fliste Enverit. A është e vërtetë?

- I kam pasur përherë qejf portokallet, por kemi qenë hollë ekonomikisht dhe mezi i blinim. - Ju keni qenë keq ekonomikisht? - Po Kaso, po. Kemi qenë keq ekonomiksht. Mezi shtynim muajin. Madje për të kursyer ca lekë, iknim nga shtëpia jonë dhe shkonim në Shtëpitë e Pritjes në Pogradec, Vlorë, Durrës. Rrinim atje me muaj të tërë. Atje të paktën shpenzimet na i hiqte Partia. Dilja edhe jashtë shtetit shpesh. Madje jo vetëm unë, por edhe fëmijët iknin jashtë. Ndaj iknim. Në shtëpi me rrogat që kishim, s’na dilte as për të blerë çorape.

- Meqë më kujtuat çorapet. Keni thënë që ju dhe shoku Enver i keni arnuar shpesh ato.

- Sigurisht, Kaso! Shoku Enver i kishte thonjtë e gjatë dhe i griseshin shpejt çorapet. Detyroheshim dhe i arnonim pastaj. - Përse nuk i priste thonjtë? - Enveri im, si bir i denjë i Shqipërisë duhej t’i mbante thonjtë të gjatë. Shqiponjat kështu i mbajnë thonjtë, Kaso. Pastaj, ku kishte gërshërë t’i priste?! Kishim një palë të ndryshkura që lëre mos m’i kujto. I thosha: “Enver, mirë lekë që të blejmë çorape dhe gërshërë s’kemi, por të paktën mpreh këto gërshërë që kemi”. “Jo, më thoshte Enveri, se më parë duhet të mpreh shpatën edhe njëherë, o për situatën”. - Kur e njohët shokun Enver? - E njoha atëherë kur s’duhej, Kaso. Atëherë kur e njoha unë, kisha vendosur të mos martohesha pa mbaruar lufta. Isha në legalitet, sepse Gjykata Ushtarake më kishte dënuar me 13 vite burg. - Dhe nuk ju kapnin dot?

- Po kush të më kapte. Kaso? E di ti që kunati i shokut Enver, zoti Bahri, qëndronte pranë shtëpisë së Prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit? I kishim qepur gjërat me Qazimin ne. Që ta dish ti: Unë 4 muaj, megjithëse isha në legalitet, merrja rrogën si mësuese.

- Çfarë urrente më shumë në jetë shoku Enver? - Borxhin Kaso. Atë e kishte alergji fare. Gjirokastrit hesapi. Nuk donte fare të merrte borxh. Edhe kur ishte i detyruar që të merrte, nuk e kthente. - Për shembull? - Syrja Selfo për shembull, gjatë luftës, ia bëri borxh shokut Enver. Syrjai ishte i kamur, Kaso. Gjatë luftës, unë e shoku Enver rrinim shpesh te një shtëpi që ai e kishte marrë me qira për ne. Edhe motrat e prindërit e Enverit i ndihmonte Syrjai. Pas lufte, Syrjanë e vramë… - Përse? - Se s’kishim mundësi t’i kthenim borxhin. - Jua kërkonte Syrjai paratë? - Jo, jo, Kaso, paratë nuk na i kërkonte, por shoku Enver ndihej borxhli në vetvete ndaj Syrjait. E thirri pas lufte dhe i tha: “Syrja, sa ke shpenzuar për mua dhe familjen time?”. “Nuk e di Enver, i tha Syrjai. Paratë i kam dhënë pa kupon tatimor”. “Syrja, ia ktheu Enveri, nuk dua të të jem borxhli. Para nuk kam të të kthej, se siç e shikon jam keq ekonomikisht. Si thua: A të të heq qafe?”. - Po Syrjai, si u përgjigj? - “Për shoqërinë jam i gatshëm të pranoj gjithçka”, tha Syrjai. Ja, kështu, Kaso. Dhe e vramë Syrjanë, se s’kishim lekë t’i kthenim borxhet. Fjalën “borxh” e urrente Enveri, po të thom. Kishte shokë të Partisë për shembull që ia “bënin borxh” shokut Enver me lëvdata. U thoshte Enveri: “O gjigand! Po ma bën borxh po të thom. Ti e di që e urrej borxhin”. Dhe meqë urrente borxhin, i vriste shokët që “ia bënin borxh” duke e mburrur.

- Shoku Enver, ama, nuk vrau vetëm ata që u ishte borxhli. Vrau edhe të tjerë...

- Vrau edhe ata që e shanin. Se edhe ata ia bënin borxh, duke i rënë më qafë kot. Enveri ishte njeri i balancuar mendërisht, Kaso. As nuk donte t’ia bënin borxh me lëvdata, as nuk donte t’ia bënin borxh me të shara. Ç’faj ka pasur Enveri që ata nuk gjenin balancën? Dhe tani, Kaso, mjaft me këto pyetje dhe vazhdo me ato të tjerat që kam bërë unë...

Dhe biseda vazhdoi për shtatë palë qejfe me pyetjet që shoqja Nexhmije na i kishte përgatitur me merak...

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.