24 sekrete për të qenë të lumtur në çift!

Intervista - - INTIMITET -

Është e vërtetë se që të ekzistojë një lidhje, duhet të ekzistojë dashuria, besimi dhe respekti reciprok. Megjithatë, shkenca ka provuar se nuk mjafton vetëm dashuria dhe afërsia, për ta bërë një lidhje afatgjatë. Ja disa fakte që, kur ndiqen, mund ta bëjnë lidhjen tuaj të lulëzojë...

1. Mos u nxitoni!

Një lidhje spontane mund të duket romantike, por është më mirë të ndjekësh rregullat dhe ta marrësh shtruar. Një studim i bërë nga universiteti i Xheorxhias, në SHBA, tregoi se sa më gjatë takoheshin çiftet para martesës, aq më shumë gjasa kishin për të qëndruar së bashku.

2. Evitoni dasmat e shtrenjta!

Unazat që bien në sy dhe dasmat e shtrenjta nuk e garantojnë lumturinë dhe jetëgjatësinë e martesës. I njëjti studim zbuloi se në 30% të rasteve, kohëzgjatja e martesës ishte në përpjestim të zhdrejtë me paratë e shpenzuara në dasëm. Stresi i borxheve është një fenomen i njohur pas dasme dhe zakonisht, ka pasoja negative në lidhje.

3. Qëndroni pranë.

Çiftet që flenë afër njëri-tjetrit janë më të lumtur se ata që nuk e bëjnë këtë. Në një studim të universitetit në Hertfordshire doli se 94% e çifteve që e kalonin natën në kontakt fizik me njëri-tjetrin, ishin të lumtur në lidhje. Ndër çiftet që nuk përqafoheshin, vetëm 68% thanë se ishin të lumtur.

4. Falënderoni tjetrin.

Sipas një studimi të universitetit të Kalifornisë, Berklei, kur të dy partnerët vlerësonin përpjekjet e tjetrit, kishin tendencë të kishin një lidhje më të lumtur. Kjo sjell një atmosferë të ngrohtë në familje, sepse shton nivelet e oksitocinës, një neurotransmetues që nxit besimin dhe afërsinë.

5. Ji i sinqertë.

Sipas një studimi të universitetit të Ilinoisit, marrëdhëniet ku të dy partnerët ishin të sinqertë me njëritjetrin në lidhje me gjendjen e mar- rëdhënies së tyre, kishin më shumë shanse të zgjasnin.

6. Gjestet e vogla kanë

rëndësi.

Gjeste si një përqafim i ngrohtë, një puthje, një filxhan çaji ose një dhuratë e papritur janë po aq të rëndësishme sa intimiteti fizik për një marrëdhënie të lumtur. Një studim i bërë nga shkencëtarët e Universitetit të Hapur në Angli, tregoi se një gjest i vogël afërsie forconte lidhjen e çiftit dhe largonte stresin.

7. Martesa nuk është çelësi i

vetëm i lumturisë.

Tani është rritur më shumë se kurrë numri i çifteve që bashkëjetojnë. Një studim i bërë nga Këshilli i Familjeve Bashkëkohore në Angli doli në përfundimin se çiftet që bashkëjetonin kishin të njëjtat përparësi si të martuarat. Në fakt, dasmat e shtrenjta kishin lidhje me një nivel më të lartë divorcesh.

8. Marrëdhëniet në distancë

funksionojnë.

Sipas një studimi të universitetit të Kornellit, çiftet që kanë një lidhje në distancë kanë më shumë gjasë të kenë një lidhje më të thellë, sesa ata që janë afër fizikisht. Me zhvillimin e teknologjisë së re, përdorimin e mjeteve të komunikimit si Skype dhe FaceTime, çiftet mund të ndjehen më afër njëri-tjetrit, edhe kur janë qindra kilometra larg.

9. Kërko një shok/shoqe jete,

jo shpirtin binjak.

Një studim i vitit 2014 tregoi se kur e mendon partnerin/en si shpirtin binjak, ose si dikë të cilin je i/e destinuar ta takosh, mund të pësosh zhgënjime në të ardhmen, kur personi në fjalë të mos përputhet me pritshmëritë tuaja. Më mirë mendojeni atë si një partner në rrugëtimin e jetës, i cili nuk është i sheshtë, por me ulje-ngritje.

10. Fëmijët nuk duhen bërë në

mënyrë kompulsive.

Një studim i bërë nga Universiteti i Hapur i Anglisë, tregoi se çiftet pa fëmijë ishin më të lumtur sesa ata me fëmijë. Kështu, bëni fëmijë vetëm nëse mendoni se keni kohë për t’i dedikuar rritjes e edukimit të tyre dhe ndajini përgjegjësitë me partnerin. Kjo është një zgjedhje, jo një vendim kompulsiv.

11. Tregohuni të sjellshëm.

Një studim i Xhon dhe Xhuli Gotmanit, të cilët studiuan çifte për 40 vjet rresht, tregoi se marrëdhëniet jetëgjata kishin nevojë për dy tipare thelbësore: Mirësjelljen dhe bujarinë. Gjestet e vogla të mirësjelljes, të bëra rregullisht, forconin besimin dhe afërsinë në marrëdhëniet e brishta.

12. Ndani eksperiencat me

njëri-tjetrin.

Dilni për një shëtitje, eksploroni vende të reja së bashku, ose shkoni në një restorant të ri. Kështu, do të kaloni kohë cilësore me njëri-tjetrin

dhe do të afroheni më shumë.

13. Kultivoni shkëmbimet

pozitive.

Bëjini komplimente, ose tregoni vlerësim ndaj veprimeve të partnerit tuaj. Gjithashtu, kujtoni momentet zbavitëse nga e kaluara për të kultivuar shkëmbimet pozitive, gjë që do ta forcojë lidhjen.

14. Qeshni së bashku.

Sipas një studimi të bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor në Angli, çiftet që qeshnin së bashku kishin më shumë gjasa të ishin të lumtur dhe të kënaqur me marrëdhënien e tyre. Studimi thoshte se këto të qeshura të përbashkëta ishin një tregues i të ndierit mirë në lidhje.

15. Flisni me njëri-tjetrin.

Është vrojtuar se çiftet që kalojnë pesë ose më shumë orë në javë duke qëndruar ose duke folur me njëri-tjetrin, kanë një lidhje të suksesshme.

16. Jini në formë.

Sipas një studimi 10 vjeçar në Australi, gjëra si lënia e vetes pas dore, gjithashtu, e dëmton lidhjen. Partnerët me mendje dhe fizik të shëndetshëm kontribuojnë në lumturinë e lidhjes.

17. Pakësoni qëndrimin para

ekraneve.

Sipas një studimi të universitetit të Jutah, SHBA, nëse jeni vazhdimisht i lidhur me teknologjinë e re, mund të krijoni një shkëputje në lidhje. Studimi tregoi se përdorimi i mesazheve telefonike për të komunikuar me tjetrin, gjithashtu e dëmtonte lidhjen.

18. Pini njëlloj me partnerin.

Sipas një studimi të universitetit të Bufalos, Nju Jork, niveli i divorcit ishte afro 50% te çiftet kur vetëm një partner pinte shumë. Megjithatë, çiftet ishin më të lumtura kur të dy partnerët pinin sasi të njëjtë alkooli, ose kur nuk pinin fare.

19. Rrethohuni nga çifte të

lumtura.

Sipas një studimi të universitetit Braun, në SHBA, divorci i një miku apo të afërmi shtonte gjasat e divorcit edhe në martesën tuaj. Nëse shoqëroheni me çifte të lumtura, do të ndihmoni edhe lidhjen tuaj.

20. Jini seksualisht aktivë.

Sipas një studimi të vitit 2004, të bërë nga David G. Blençflaouer dhe Endrju Osvald, çiftet që ishin seksualisht aktive kishin më shumë gjasa të ishin të lumtur, sesa ata te të cilët ishte vendosur rutina.

21. Mos kini të njëjtit miq.

Sipas një studimi të bërë nga Facebook-u dhe nga universiteti Kornell, çiftet që kishin shumë miq të përbashkët kishin më shumë gjasa të ndaheshin, sesa ata që kishin secili rrethin e tyre miqësor.

22. Flini mirë.

Sipas një studimi të Universitetit të Arizonës, cilësia e gjumit ishte në përpjestim të drejtë me një lidhje të lumtur. Çiftet ku të dy partnerët flinin mirë, ishin edhe më të lumtura.

23. Ndajini punët e shtëpisë

me njëri-tjetrin.

Sipas një sondazhi të vitit 2007 në SHBA, familjet ku partnerët ndanin së bashku punët e shtëpisë, ishin më të kënaqura.

24. Kini zakone të njëjta në

shpenzimin e parave.

Bazuar në një studim të universitetit të Miçiganit, të bërë me 1000 të martuar dhe beqarë, çiftet që kishin zakone të ndryshme në prishjen e parasë, kishin më shumë tendencë për t’u zënë në jetën e përditshme, ndërsa çiftet që kishin zakone të njëjta, ishin më të lumtur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.