Shkatërrova martesën time, por edhe jetën e motrës

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(vijon numrin e ardhshëm)

Ndërsa në shtëpi te gruaja justifikohesha se po përpiqesha të ndihmoja dy motrat e mëdha të iknin në Itali, paguaja paratë jo vetëm për to, por edhe për hotelet ku shkoja me dashnoren time.

Ndërsa motra e vogël kishte mbetur pa martuar dhe ishte bërë njëzet e tre vjeçe. Ime më, më qahej sa herë shkoja për t’i takuar.

- Njeh gjithë Durrësin e nuk gjen dot një dhëndërr, more bir? - ofshante.

- Po s’mund t’u them djemve që a doni nuse, moj mama, ç’thua kështu?

- Epo, thuaju si të duash, merre e mbaje në shtëpinë tënde që ta shohë njeri atje ndërsa del. Kush do ta shohë këtu, përveç lisat e malit kur shkon te burimi?

Dhe unë pasi fola me gruan time, vendosa të ndërhyja për një djalë që e kishim komshi te pallati ngjitur. Me këtë vendim timin, mori tatëpjetën e dytë martesa ime. Ne u zumë jo vetëm atë ditë për këtë problem, por pothuajse çdo ditë. Nga zënkat e përditshme fillova të marr inat time shoqe. Por dihet që fjala nxjerr fjalën. Pas një viti sherr të vazhdueshëm, ime shoqe mori vesh edhe për tradhtinë time.

Fillova që tronditjen time ta pasqyroja edhe në punë, edhe në shoqëri. Një ditë vendosa t’i hapesha motrës së vogël, meqenëse ishte e vetmja që më kishte mbetur pranë. Ndërsa po përpiqesha t’i shpjegoja belanë ku e kisha futur veten, ajo filloi të qante.

- Ç’ke, - i thashë, - ja do ta rregulloj, mos e merr kaq tatëpjetë.

- Po qaj për fatin tonë së bashku, - dhe nuk i pushohin dihamat.

- Pse për fatin tonë, mendoj se kjo është vetëm e imja, - i thashë me një frymë. Nuk desha ta besoja atë që sapo dëgjova.

- Sepse edhe unë e kam në zgrip martesën time. “Burri im i dashur” ka zënë një bjonde në punën që i gjete ti. Po ç’dreqin u pëlqejnë këto bjondet të gjithëve? - Dhe ndërkohë, qante me ngashërim.

- Tani e kuptoj pse jot shoqe mezi më flet. Pastaj, për çfarë dreqin duhet të më flasë ajo, ndërkohë që ti s’i vlen për asgjë? Për çfarë duhet burri, vetëm të të lërë shtatzënë? - m’u përvesh ajo.

- Unë mendoja se do të më jepje zemër si ta përballoja ose ndonjë lloj zgjidhjeje të kësaj situate e jo që do më ngarkoje më shumë, - i thashë.

- Në fakt, ju meritoni t’ju varin në mes të qytetit! Si u likan fëmijët pa baba për sa bjonde parukieresh shikohen në rrugë?

- Bjonde parukiere? Ç’domethënë? Kjo imja nuk është parukiere është e papunë, - thashë pa kuptuar asgjë.

- Jo, jo, bjonde të lyera në parukeri, që më shumë u peshojnë bojërat e tualetet sesa truri.

I prekur edhe nga historia e motrës, atë mbrëmje u ktheva në shtëpi me shpresën se do të mund të sqarohesha me time shoqe, t’i kërkoja të falur dhe t’i premtoja se do të ndahesha nga dashnorja. Në fakt, jo vetëm që nuk u sqarova me gruan, por shumë shpejt për- fundova i divorcuar. Gjykata më dha të drejtë t’i merrja fëmijët një herë në dy javë. Ndërsa motra ime u nda dhe mori edhe djalin me vete. Tashmë jetoj në të njëjtën çati me motrën. Gjatë javës kujdesem për nipin tim, ndërsa mezi pres fundjavën që të shoh fëmijët e mi.

Bjondes sime i dhashë duart, por vetëm pasi shkatërrova jetën e gruas, fëmijëve e në fund edhe timen. Edhe zgjedhja që kisha bërë për motrën më doli ashtu siç më kishte thënë ime shoqe, “shihi familjen, pastaj bëje mik”, por mendjemadhësia këtë bereqet paska.

A.

Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online që ditën e daljes në treg, vetëm për 89 cent në: http://www.pressreader.com/albania/intervista

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.