Ju pyesni mjeku përgjigjet Kam mungesë pigmenti në lëkurë

Intervista - - PYETJE -

- Jam 27 vjeçe dhe që nga mosha 13 vjeçare më janë shfaqur disa njolla të bardha, pra mungesë pigmenti në lëkurë. Njollat i kam në gjunjë dhe në bërryla, por edhe nga pak në pjesë tjera të trupit dhe besoj që këtë mungesë pigmenti e kam trashëguar nga mami, por asaj herë i largohen, herë i dalin. Të njëjtin rast si mami e ka edhe motra tjetër, ndërsa mua më kanë mbetur ashtu siç më janë paraqitur. Dua të di, a do të më largohen ndonjë ditë? Ju, çfarë më këshilloni? Përse formohen?

Dr. Albana Lufi, Ph.D në Dermatologji: - E nderuar 27 vjeçare, m e shpjegimin që jepni besoj se bëhet fjalë për vetiligon. Vitiligoja është një patologji që shoqërohet me mungesë pigmenti në lëkurë dhe klinikisht, me shfaqjen e njollave të bardha. Ato lokalizohen shpeshherë simetrikisht në duar, parakrahë, qafë, në trung dhe në organet gjenitale. Virtiligoja mund të prekë gjithashtu mukozën e gojës dhe sytë. Ajo bën pjesë në grupin e patologjive autoimune dhe nuk ka një shkak të sigurt në shfaqjen e saj. Normalisht, ngjyra e flokëve, e lëkurës dhe e syve përcaktohet nga melanina dhe vitiligoja ndodh kur qelizat që prodhojnë melaninen ndalojnë së funksionuari. Ajo prek të gjitha tipet e lëkurave, por më e dukshme është te personat me ngjyrë të errët. Ekziston një predispozitë gjenetike për shfaqjen e vitiligos (por jo të gjithë pacientët referojnë për praninë e kësaj sëmundje në rrethin e tyre familjar).

- Vitiligoja mund të jetë e lidhur me një sëmundje të tiroides ose me sëmundje të tjera autoimune në të cilat sistemi juaj imunitar sulmon dhe shkatërron melanocitet (qelizat që prodhojnë pigmentin e lëkurës) në lëkurë. Faktorët acarues si djegia nga dielli ose stresi shërbejnë shpeshherë si faktorë shpërthyes të vitiligos në personat e predispozuar gjenetikisht. Vitiligoja është stresuese për personat që preken dhe mjekimi më tepër përmirëson njollat e bardha sesa trajton plotësisht sëmundjen. Trajtimi i vigiligos bëhet kryesisht me kortizonikët lokalë, të cilët mund të ndihmojnë në ripigmentimin e lëkurës sidomos nëse fillohet në stadet fillestare, por duhet patur kujdes në kohëzgjatjen e përdorimit, në mënyrë që të shmangen efektet anësore. Mund të përdoret gjithashtu kremi tacrolimus ose dovonex sidomos te personat me sipërfaqe të vogla të depigmentimit. Mundësi tjetër trajtimi ndoshta më shumë rezultative sesa me kremrat e përmendura është trajtimi me llambë ultraviolet B (UVB). Për të patur efektin e dëshiruar nevojiten disa seanca. Vatrat e bardha në lëkurë që vihen re në vitiligo nuk ikin vetë dhe kanë tendencën të rishfaqen. Në rastin tuaj mund të bëhet fjalë edhe për pitiriasis vesicolor, një patologji që trajtohet, por fillimisht për të vendosur diagnozen e vitiligos ose të pitiriasit vesicolor rekomandojmë ekzaminime me llambë Wood dhe pas ekzaminimit, rekomandojmë trajtimin e duhur, që ju përshtatet.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.