Letra për psikologun Kam një vajzë të pabindur

Intervista - - PYETJE -

- I nderuar psikolog, problemi im është ky: Jemi një çift që kemi dy vajza, njëra është 14 vjeçe dhe tjetra 5 vjeçe. Vajza e madhe vazhdon klasen e tetë, është një tip shumë i pandjeshëm, e ashpër, nuk dëgjon fare kur e urdhërojmë për diçka, ose do të kundërshtojë një herë e pastaj e kryen porosinë. Është mjaft e sertë edhe me motrën e vet që është 5 vjeçe. Mos ndoshta ngaqë vajza e vogël përkedhelet më shumë? Në mësime nuk është shumë e përqendruar, nuk ha ushqim ose duhet që t’i lutemi shumë që të hajë. Çfarë duhet të bëjmë që ajo të jetë më e dëgjueshme, më e ndjeshme? Si duhet ta bëjmë të thotë një herë “po”, kur e urdhërojmë për diçka? Ju faleminderit.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - Ju shkruani se 14 vjeçarja është shumë e pandjeshme dhe e ashpër. Mendoj se brenda qenies së saj ajo ka krijuar rezerva për ju dhe vepron ndaj kërkesave tuaja e cytur nga një si revoltë e brendshme për të cilën duhet të ketë dhe i ka “arsyet” e veta sipas mënyres dhe logjikës së vet të brishtë. Ndoshta këto arsye qëndrojnë në faktin se ju vraponi shumë për te 5-vjeçarja me të drejtë, si më e vogla e shtëpisë dhe me siguri duke dashur që t’i thoni me veprimet tuaja se “tashmë ti je e rritur”, kur në fakt ajo pavarësisht nga trupi, është ende fëmijë nga shpirti e ndjenja. Nuk ka asgjë të keqe pse ju shfaqni dashuri e përkujdesje ndaj më të voglës, pasi siç ka shkruar poeti ynë i madh Çajupi: “Me se rrojnë foshnjat, ç‘i rrit çiliminjtë? Dashuria e nënës dhe përkedhelitë!”, porse, duhet që patjetër t’i jepni edhe të madhes “pjesën e vet”. Jo vetëm ajo që tani po përjeton moshën “ulërimë” të adoleshencës, por çdo njeri në çdo moshë ka brenda vetes edhe pjesën prej fëmije e cila qan ose thërret kur i mungojnë dashuria, siguria, besimi, vetëbesimi etj. Shumë prindër besojnë se kur rritet fëmija, duhet që vetëm të urdhërojnë ose t’i bëjnë thirrje për kujdes, se tani duhet t’i logjikojë mirë gjërat dhe këtë gjë e bëjnë në ca mënyra pedante e urdhëronjëse, si në rolin e një mësueseje të rreptë ose intolerante. Në këto kushte “fyese” ose dyshuese, tek adoleshentet del në pah uni mbrojtës i cili kundërpërgjigjet me reflekset mbrojtëse të cilat prindërit i shohin si të gabuara, por nuk e besojnë që të jenë ata vetë shkaktarët e kësaj gjendjeje deri në prishje të komunikimit e “heqje të ambasadave” me fëmijët. Kam trajtuar adoleshentë që kanë dashur të ikin nga shtëpia, dhe thonë dy gjëra: “Nuk më besojnë, vetëm më “ulërasin” ose më gjykojnë pa më dëgjuar!”.

- Deri këtu besoj se u kuptuam, e nderuar letërshkruese. Tani le ta shpjegoj pse në adoleshencë duket sikur fëmija bëhet i pabindur e i padëgjueshëm aq sa profesor Hamit Beqja, ndjesë pastë, thoshte: “Ruajuni nga adoleshenti se ju kthen edhe dorë!”, pra, ju rreh! Ndodh diçka e tillë si te bota e kafshëve, kur zogu ende i vogël shkon vetëm pas mamasë dhe ajo e mbron deri me jetën e vet, por kur ai rritet e bëhet me flatra, duhet të ndërtojë folenë e vet e në këtë fazë edhe ai sulmon të ëmën si të barabartë, po ta cënojë! Me siguri, Krijuesi, ky arkitekt i pagabuar, këtë e ka menduar me mençuri, pasi ai po të mos jetë vetë i aftë që të gjuajë, të fluturojë, si dhe ta mbrojë veten, mamaja nuk do të ishte më në gjendje që t’ia plotësonte nevojat, as në sasi e as në cilësi, si për shembull, ushqimin. Edhe në botën njerëzore kjo gjë ndodh, ndaj ka adoleshentë që u vjen zor edhe nëse prindi vjen të interesohet te shkolla për ecurinë e tyre. Tani instinkti prind-fëmijë nuk e ka më fuqinë e mëparshme, kur dilte se instinkti është ndjenja e parë (ose ndjenjë e lindur) sepse tani më shumë veprojnë ndjenjat e dyta ose ndjenjat e larta si dashuria, dhimbshuria, ndjenjat e përgjegjësisë etj. Pra, do të ndodhë në adoleshencë diçka që nuk “shkon”. Shumë prindër i përjetojnë si me frikë këto ndryshime moshore, ashtu si ju tani kur ish-e vogla po “gruenohet” dhe përjeton një “lindje” e dytë, kur nga fëmija po lind i rrituri e kur dihet se nuk ka lindje pa dhimbjet e veta, edhe pse çdo lindje është e bukur. Është mosha kur fidani do mbështetje e kujdes më shumë të tërthortë dhe jo me ndalesa të ashpra, ose urdhra të prera. Shumë prindër e luajnë bukur këtë rol duke e dashur e inkurajuar adoleshentin, pa e llastuar tepër e pa i lënë të kuptojë se “tani u rrite, bëj ç’të duash”... Shumë prindër që u kërkojnë ndihmë me takt adoleshentëve, jo vetëm që ndihmohen prej tyre në punët e hallet e shtëpisë, por i përgatisin ata edhe më mirë për jetën. Kemi edhe raste siç kam shkruar tek “Intervista” për depresionet e adoleshentit ku një pjesë e mirë e këtyre depresioneve janë të fshehura ose të “maskuara”, saqë edhe unë mezi i dalloj sepse simptomat e depresionit ngatërrohen ose përngjajnë me ato të moshës ose periudhës-kapërcyell. Sa e vështirë do të ishte gjendja e një adoleshenti me depresion të maskuar, i cili jo vetëm që nuk trajtohet e ndihmohet nga prindërit, por madje sulmohet e larg qoftë, këto raste çojnë edhe në vetëvrasje. Sa më shumë konsulta me psikologun, aq më të lehtë do ta keni me rritjen e vajzës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.