CILËT NUK INTERVISTUAM DOT KËTË JAVË?

Intervista - - AKTUALITET -

Nga Artan KRISTO

XHON KERRI

Pa dyshim, ngjarja më e rëndësishme politike këtë javë ishte vizita e Sekretarit Amerikan të shtetit, të cilin ne, fatkeqësisht, nuk e takuam dot për t’i marrë një intervistë. Po të na lejonte, do të donim ta pyesnim vetëm për problemin e muxhahedinëve, Pse na e bëri këtë peshqesh zoti Kerri? Ka dëgjuar për fjalën e urtë shqiptare “Ai që të do, ta fut”, apo, amerikanët kanë ndonjë shprehje tjetër më të saktë për këtë punë? Pse nuk i merr në SHBA-ja muxhahedinët, zoti Kerri? Pse nuk i pranon asnjë shtet në Evropë e në botë ata?! Pse na kërkohet mbajtja e tyre vetëm neve? Pse përdoret Shqipëria gjithnjë si “kosh plehrash”? Apo na i japin ata për të mbushur boshllëqet që kanë lënë e do të lënë shqiptarët që marrin rrugët e Evropës?! Ja, gjithë këto pyetje do deshëm t’ia bënim zotit Kerri, por nuk mundëm...

BUJAR NISHANI

Deshëm të takonim këtë javë edhe zotin Nishani, por nuk mundëm. Atë deshëm ta pyesnim se pse po vonon dekretimin e zotit Arben Ahmetaj e zonjës Milva Ikonomi. Thjesht për “kapriçio presidenciale”, apo ka ndonjë gjë me emrin e zotit Ahmetaj?

Po deshëm ta pyesnim edhe për enigmën e madhe të pritjes së zotit Kerri në aeroport. Është e vërete se zoti Kerri i kërkoi ta priste, apo ai nguli këmbë të takonte dhe zoti Kerri i tha që nuk mundej e, pas lutjeve, i la si alternativë vetëm pritjen te dera e avionit?! A është nromale që një president të presë një sekretar shteti, domethënë, një ministër të jashtëm të një vendi tjetër në këmbë te porta e avionit dhe më pas ai “t’i lërë pendët”?! Di zoti Nishani ndonjë shembull të tillë nga përvoja diplomatike botërore?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.