Shkëlqim Cani: Pse kam besim tek Arben Ahmetaj…

Intervista - - AKTUALITET -

Pasi mora vesh që zoti Rama ka larguar nga posti i Ministrit të Financave zotin Cani, u nisa me të shpejtë drejt ministrisë. “Ta mbërthej kur del, mendova, e të llafosem ca me të”. Dhe nuk gabova. Sa arrita unë, zoti Cani po dilte nga godina...

Kaso Kosa: - Përshëndetje zoti Cani! Më vjen keq që u larguat nga posti i ministrit… Shkëlqim Cani: - Përshendetje Kaso dhe më vjen keq që ty të vjen keq, se për veten time mua më vjen mirë që s’jam më ministër.

- Po më habisni, zoti Cani. Dynjaja ku ta gjejnë të bëhen ministër!

- E po unë s’jam dynjaja, Kaso. Unë kam qenë shpesh në kolltuk. Po shyqyr që ika thuaj, se kam harruar edhe tabelën e shumëzimit.

- Ku e keni harruar tabelën e shumëzimit? - E kam harruar në shtëpi. - Jeni mirë, zoti Cani? - O Kaso! Thashë: kam harruar tabelën e shumëzimit, në kuptimin që kur isha ministër, 4x4 nuk bënin 16, por bënin 20.

- E pse 20?

- Po se duhej shtuar me disa pikë performanca e qeverisë...

- Tani kuptoj, zoti Cani! Mund të më thoni, nëse mundet: Përse ju largoi Rama nga posti i ministrit? - Për disa arsye, Kaso… - A mundet të më thoni disa prej tyre?

- Së pari, kur lindi ajo gallata me atë vajzën e FRESSH-it që kishte shkuar te Pallati i Saimirit, u mor vesh në bazë të hetimeve që ndërmori partia jonë, se ajo vajza kishte pirë e ishte bërë tapë.

- Ç’lidhje ka tapllëku i saj, me heqjen tuaj?

- Kishte pirë vodka të kaluar kontrabandë në doganë. Kështu kishte deklaruar ajo te partia. Një në dorë… - Pse, ka edhe arsye tjetër? - Ka plot, Kaso. Tjetra është që duhet të ulim shpenzimet qeveritare. - Nuk ju kuptoj, zoti Cani... - Me heqjen time dhe vendosjen e zotit Ahmetaj, qeveria kursen nga shërbimet operative. Ti e di që ai ka mbaruar shkollën për anglisht. Me këtë rast, qeveria heq shpenzimet e një përkthyesi. Fundja, përse duhet një përkthyes, kur Beni e përkthen vetë bisedën, si t’ia dojë qejfi?

- Po thoni që zoti Ahmetaj di anglisht më shumë se ju?

- Më shumë se unë s’di, por Beni s’di as nga financat. Edhe kjo është një plus. - Daleni, daleni, zoti Cani se po më habisni! Si mund të jetë një plus, fakti që s’di nga financat?!

- Po sigurisht Kaso që është një plus për Benin. Do shkojë Beni të takojë Edin për shembull? Të dy, meqë s’dinë nga financa, do të kuptohen shumë mirë me shoshoqin, se s’do flasin fare për financat. Njerëzit kuptohen më lehtë me njëritjetrin kur s’ia kanë haberin një gjëje. - Mos më bëni edhe mua pesimist rreth financave të vendit, zoti Cani…

- Përkundrazi, Kaso! Duhet të kesh besim te Beni Ahmetaj. Ai e ka treguar me fakte që bën punë. A nuk i solli ai kinezët në Spitallë për shembull?

- Cilët kinezë mo? Ata që do të investonin 1.5 miliardë dollarë dhe do hapnin 50 mijë vende pune?

- Po, pra, ata Kaso. Ata Beni i solli. Ndaj duhet të kesh besim te Beni, siç kam edhe unë.

- Po ata kinezët nuk u dukën më, zoti Cani!

- Nuk u dukën, por ama, Beni të vetën e bëri. Fakti që kinezët s’erdhën më, s’është faji i Benit. Është faji i… - Faji i kujt? - Është problem strategjik Kaso, por po ta shpjegoj shkurt. Erdhën kinezët në Spitallë dhe panë që aty toka ishte kënetore. Iu duk Spitalla si kënetat e Vietnamit. Meqë kinezët kanë problem më Vietnamin për punë territoresh, vendosën: Nuk do investojmë në Spitallë, se nuk duam të investojmë në Vietnam. Ja, kështu, Kaso. Beni Ahmetaj, ama, e bëri punën e vet. - Po thoni që e vlerësoni Benin? - Sigurisht! Kam besim se me në krye zotin Ahmetaj, financat e vendit do jenë më transparente. - Ku e bazoni këtë zoti Cani? - Po ja, Kaso! Pardje në Parlament, Beni i tha Saliut: Unë bëj be për dy vajzat e mia, që do jap dorëheqjen nëse provohet që kam vjedhur. E kupton, pra, Kaso? I mjaftoi vetëm një ditë Benit, që shqiptarët të merrnin vesh që ai ka dy vajza. Unë ndenja dy vjet e gjysëm si Ministër i Financave dhe shqiptarët s’morën vesh sa fëmijë kam. Ja, pra, pse mendoj se Beni do jetë transparent…

Bisedoi me shaka:

KASO KOSA

Comments

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.