Inva Gashi: E bukura gjithmonë paguhet!

Intervista - - TELEVIZION -

Inva Gashi është një ndër aktoret me simpatike të Al Pazarit. “Policja” bjonde, e bukur edhe shumë tërheqëse, ndiqet me aq vëmendje nga fansat. Ashtu si në rol, Inva është një vajzë lozonjare, që flet me admirim për profesionin, për kolegët dhe thotë se pa Agron Llakajn në krye, “Al Pazari” nuk do ishte kaq i suksesshëm. Për më tepër rreth Invës dhe jetës së saj jashtë “Al Pazar”-it, lexoni këtë intervistë...

RitaRrjolli: - Inva përshëndetje! Si je?

Inva Gashi: - Përshëndetje, kënaqësi të jem me ju sot në këtë intervistë.

- Si është të jesh një aktore e njohur e gjithashtu, e përfolur?

- Vendi ku ne jetojmë është i vogël dhe domosdoshmërisht, një aktore humori njihet kudo. Kjo, po aq sa e bukur, është edhe e bezdisshme. Ti merr nga fansat gjithë kënaqësinë që të inkurajon për të ecur përpara, por ka edhe momente kur ke nevojë për privatësi.

- Për shembull, si ndihesh tani që shumë veprime të tuat mund të komentohen në publik?

- Më bën që të jem më e rezervuar dhe të kem më shumë përgjegjësi.

- Sa të ka ndihmuar për të ecur përpara, fakti që je një femër e bukur?

- Veten e konsideroj femër të pëlqyeshme për syrin dhe të kuruar. Ky është një kriter i rëndësishëm për botën e televizionit. Gjithsesi, parapëlqej të vlerësohem përtej pamjes së jashtme.

- Përpos “Al Pazarit”, ke marrë propozime për të qenë pjesë e formateve të tjera televizive?

- Përveç “Al Pazarit”, kam marrë pjesë gjithashtu në një film. Kam projekte të cilat për momentin preferoj të mos i bëj publike.

- Çfarë të bashkon dhe çfarë të ndan nga roli yt i komik, në jetën e përditshme?

- Skena është krejt ndryshe nga jeta e përditshme; aty je nën petkun e dikujt tjetër dhe mundohesh të japësh më të mirën tënde. Humori është pika e përbashkët si në skenë, ashtu edhe në përditshmëri.

- Si ishin fillimet e tua në skenë?

- Skena më ka tërhequr që e vogël dhe merrja pjesë gjithmonë në aktivitetet që organizonte shkolla, pa e ditur se një ditë, jeta ime do të ndiqte këtë rrugë e cila kulmoi me pjesëmarrjen në “Al Pazar”. Fillimisht, në skenën e “Al Pazar”-it isha si fëmija që hedh hapat e parë dhe gjithmonë ka nevojë për mbështetje. Mbështetja ime ka qenë Agroni, i cili në çdo hap më ka inkurajuar të arrija këtu ku jam sot.

- Pas kaq eksperience, çfarë do të ndryshoje në pikënisjen tënde?

- Si çdo fillestar, gjithkush ka difektet e gabimet e veta, por janë pikërisht ato që më kanë ndihmuar të arrij këtu ku jam sot. Për këtë arsye, nuk do të ndryshoja asgjë.

- S’ka asgjë për të cilën je bërë pishman?

- Çdo hap e kam hedhur me vetëdije të plotë. Unë bëj gjërat që dua dhe rrjedhimisht, nuk pendohem për asgjë.

- Më fol pak për Memaliajn...

- Memaliaj është vendi ku unë kam lindur dhe jam rritur, një vend i vogël që për mua do të thotë shumë. Atje kam kujtimet e mia të bukurua dhe më pak të bukura. Memaliaj është vendi që s‘do ta ndërroja me asnjë vend tjetër. Është vendi i shpirtit...

- Raporti me Agron Llakajn dhe me aktorët e tjerë është miqësor, apo mes kolegësh?

- Kur bëhet fjalë për Agron Llakajn, ka kaq shumë për të thënë sa nuk do të mjaftonte kjo intervistë. Ai më ka sjellë këtu ku jam sot, me mbështetjen e pakushtëzuar dhe me ngrohtësinë e një babai. Agroni është artist në shpirt dhe të bën të ndihesh si në shtëpinë tënde, të heq komplekset dhe me artin e tij, të frymëzon të arrish më të mirën. Përsa u përket aktorëve të tjerë, raportet janë përtej të qenit kolegë. Në jetën e përditshme ne jemi miq shumë të mirë dhe kalojmë shumë kohë së bashku.

- Inva, tashmë televizioni është kthyer në një biznes fitimprurës... Ti, po i shijon frytet?

- Tek “Al Pazari” nuk kam filluar për arsye financiare, por për të marrë kënaqësi për punën që bëj. Njerëzit sot më shumë se kurrë kanë nevojë të qeshin dhe kjo është arritja më e madhe: Të shohësh njerëzit të qeshin me humorin tënd.

- Nuk dimë asgjë për statusin tënd...

- Nuk kam qefë të prononcohem për gjëra personale. Gjynaja (gjynahu) dhe paraja nuk tregohet! (Qesh)

- Si është Iva e dashuruar?

- Dashuria nuk mund të përshkruhet... Unë jam dhe sillem në varësi të personit që kam në krah. Jam e butë dhe e ndjeshme, por gjithashtu, ekstremisht e egër. I zotëroj të dyja anët e medaljes.

- Xhelozia për ty është pjesë e raportit dashuror?

- Pa xhelozi, nuk ka dashuri... - Ti, xhelozon? - Unë jam femër që i zotëroj ato që çdo femër do të dëshironte, prandaj edhe xhelozia nuk është pjesë e karakterit tim. Gjithsesi, siç e thashë, pa xhelozi nuk ka dashuri. Ka momente kur edhe ajo ka të bukurat e saj.

- Si duhet të jetë mashkulli yt ideal? A ekziston ideali?

- Ideali nuk ekziston. Jemi njerëz dhe secili nga ne ka difekte. Për mua, ideali është ai që arrin të më plotësojë mua si femër në çdo aspekt.

- Preferon të dalësh me një djalë të shkolluar e me edukatë, apo me të shkathëtin tipik feminist?

- Unë preferoj atë të cilin me dedikohet mua dhe vetëm mua. Tipiku feminist s‘do të më tërhiqte pasi unë dua që mashkulli im të më përkasë dhe jo ta ndaj me të tjerat.

- Dashuria më e madhe që ke përjetuar në jetë?

- Unë jam e rrethuar nga dashuria atje ku punoj, atje ku jetoj dhe jam person që fal shumë dashuri. Dashuroj çdo gjë që më rrethon dhe nuk besoj se ka gjë më të mirë dhe dashuri më të madhe se kjo. - Zhgënjimi më i madh... - Në jetë njeriu pëson uljengritje. Humbet persona të rëndësishëm dhe këto të zh- gënjejnë, të bëjnë të mos u besosh më personave që i ke konsideruar të rëndësishëm në jetë.

- Si është një ditë e zakonshme e jotja?

- E thjeshtë, e organizuar midis punës, shoqërisë dhe çdo gjëje që më bën të ndihem mirë.

- Përpos aktrimit në “Al Pazar”, a ke pasion tjetër?

- Përveç aktrimit, natyrisht që kam edhe pasione të tjera, një prej të cilëve është ai në lidhje me kafshët, veçanërisht qentë. Jam shumë e dhënë pas tyre. Pasion tjetër është kërcimi.

- Kam dëgjuar se je e fiksuar pas markave të shtrenjta... Ia mban xhepi një aktori t’i blejë ato?

- E përmenda edhe më parë që rrugën e aktrimit nuk e ndoqa për arsye financiare. Mua më pëlqen e bukura, nuk ka rëndësi nëse është markë apo jo dhe e bukura gjithmonë paguhet.

- Si mendon, a duhet të ketë më shumë art dhe më pak telenovela në ekranet tona?

- Njerëzit kanë nevojë për të qeshur më shumë se çdo gjë tjetër, kanë nevojë për të parë të bukurën, kanë nevojë për të përfituar diçka nga ajo çfarë shohin, prandaj në ekrane duhet të ketë më shumë art.

- A ka xhelozi mes aktorësh?

- Mes nesh kemi raporte miqësore. Për të tjerët nuk mund të flas, por sa më përket mua, nuk xhelozoj dhe nuk ia kam zilinë askujt.

- Kur mblidheni, për çfarë diskutoni më shumë?

- Bisedat tona janë ato që bëhen mes miqsh, ku humori është gjithmonë i pranishëm. Janë biseda spontane që vijnë natyrshëm.

- Më kanë thënë që në bisedat tuaja ka pak banalitet... Ti, si je me fjalët “biiip”?

- Pamja ime s‘ka lidhje me karakterin. Unë jam tip djali, pra, zëri s‘ka lidhje me figurën... (Qesh) Si çdo person, në qoftë se më bie shumë në qafë, nuk është se t’i përtoj shumë edhe ato...

- A ke një dëshirë ende të parealizuar?

- Unë nuk kënaqem me pak dhe gjithmonë synoj që karriera ime të arrijë majat. Çdo dëshirë e imja lidhet me suksesin tim.

- Gjëja më e bukur që të shkon ndërmend tani? - Familja... - Sa e sinqertë ishte kjo intervistë?

- Çdo fjalë e kësaj interviste është e sinqertë.

- Inva, diçka të fundit për ndjekësit e tu?

- Përpara se të them diçka në lidhje me fansat e mi, dua të falënderoj edhe një herë Agron Llakajn, personin pa të cilin fansat e mi as nuk do të ekzistonin. Shpresoj me gjithë zemër që ta nderoj sadopak patriotin tim dhe të mësoj nga arti i tij, pasi Agroni është i pazëvendësueshem. Fansave doja t’u thoja që mbështetja e tyre më motivon për të ecur përpara. Unë bëj humor për ju për t’ju dhuruar buzëqeshjen që ndoshta ju mungon!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.