Agim Krasniqi: Nuk gjej fjalë ta falënderoj…

Intervista - - ANKETA -

Punon prej vitesh në ambientet muzikore më me emër në Evropë, është nga Drenica e Kosovës dhe quhet Agim Krasniqi. E ka nisur muzikën në vogëli me një instrument shumë të dashur për shqiptarët, sidomos për veriun, çiftelinë, por me kalimin e viteve dhe me modernizimin e instrumenteve u mor me organon, instrument që u bë primar për të. Agimi jeton në Belgjikë, por e do vendlindjen dhe njerëzit e tij, bën muzikë për ta dhe me ta…

Fabjola Kuburi: - Përshëndetje Agim! Nëse do të ishe përballë një jurie, si do të prezantoheshe?

Agim Krasniqi: - Përshëndetje dhe uroj të jeni mirë. Unë jam Agim Krasniqi nga Drenica, por punoj e jetoj me familjen në Belgjikë prej kohësh. Kam një familje të mrekullueshme, një zonjë me emrin Mirvete dhe dy fëmijë, Albinin dhe Aurelën, të cilët janë motivi im për të ecur përpara. Të them të vërtetën, me muzikën jam marrë që në fëmijëri, që në bangat e shkollës fillore, in- strumenti im ka qenë çiftelia dhe kam qenë shumë i lidhur për shumë kohë me të.

- Si ka qenë hera e parë që ke interpretuar në skenë?

- Isha shumë i vogël kur kam interpretuar për herë të parë për një publik të gjerë, por nuk i harroj asnjëherë ndjesitë që më kanë përshkuar atë herë. Nuk do të ketë një herë të dytë si ajo!

- Më pas, si u lidhe kaq shumë me muzikën?

- Siç ju thashë, kam qenë

shumë i lidhur me çiftelinë, por duke parë që edhe muzika u modernizua dhe u prodhuan shumë instrumente elektronike e teknologjike, kalova tek organoja, që unë tashmë e kam instrumentin tim dhe e gjithë karriera ime vërtitet rreth saj. Me muzikën jam shumë i lidhur, e dua, kam të lidhur gjithë jetën time me të dhe e ndjej shpirtërisht.

- Kjo të ka bërë të jesh një organist me emër në Diasporë... Pse zgjodhe organon dhe jo një instrument tjetër?

- Aty kam gjetur veten, jap më të mirën nga vetja dhe e njoh këtë instrument po aq sa veten.

- Përveç muzikës, merresh me diçka tjetër?

- Jo, nuk bëj ndonjë gjë tjetër, sepse edhe po të dua, jam shumë i ngarkuar me punë. Bëj një jetë normale, një jetë që unë e dua dhe që e kam organizuar në mënyrë të tillë që t’i përkushtohem muzikës, por edhe familjes.

- Është e dukshme që e do muzikën, por a nuk mendon se te muzika shikohet edhe ana financiare, e theksuar kohët e fundit?

- Do të ishte e pandershme nga ana ime dhe nga ana e çdo muzikanti të mos pranonim që muzika është ajo që na siguron edhe një jetë të mirë me familjen. Nuk e diskutoj që është diçka që e bëj me dëshirë, por edhe siguron një jetesë mjaft të mirë. Me keqardhje them se gjithçka po kalon në komercializëm, pasi paraja është bërë “mbreti” i botës.

- Sa e zotëron ti këtë profesion që ke?

- Vetë puna që kam realizuar deri tani dhe angazhimet e shumta, tregojnë që unë tashmë e zotëroj shumë mirë si profesion.

- Kush të mbështet më shumë?

- Shtylla ime që e kam pasur dhe e kam në krah gjithmonë, janë bashkëshortja ime, djali dhe vajza, pra, familja ime e mrekullueshme.

- Kush të ka dhënë dorën më të rëndësishme në profesion?

- Meqë m’u dha rasti, përmes gazetës suaj dua të falënderoj personin, falë të cilit jam sot ky që jam në botën e muzikës. Ai është miku im i përjetshëm, bilbili i këngës shqipe Shaqir Cervadiku. Nuk do të gjeja fjalë që ta falëndëroja dhe do t’i jem mirënjohës për gjithë jetën.

- Flitet kaq shumë për materializim... A ka mbetur më profesionalizëm në muzikë?

- Siç e thashë edhe më lart, është e vërtetë që muzika është materializuar po edhe muzikantë profesionistë ka, madje shumë prej tyre unë i kam miq dhe e di që janë shumë profesionistë.

- Ti ke vite që punon live në lokalet më të mira muzikore në Evropë. Je i lodhur apo i mërzitur nga jeta e natës?

- Sigurisht që ka lodhje, si çdo punë tjetër, por nuk e kam menduar asnjëherë që më ka lodhur shumë dhe nuk jam mërzitur prej punës që bëj. Kur ta mendoj këtë, do ta lë fare dhe nuk do të merrem më me muzikë.

- Çfarë ka pozitive dhe çfarë negative të punuarit live?

- Poziviteti i të interpretuarit live është fakti që i jep shpirt dhe gjallëri, këngës dhe muzikës. Negative, ende nuk di. (Buzëqesh)

- Ku ndryshon publiku shqiptar nga i huaji?

- Ndryshojmë nga publiku i huaj sepse ne jemi populli më i mirë në botë! (Buzëqesh)

- Si do ta mbyllim këtë intervistë?

- Intervistën dua ta mbyllim me një urim për popullin tim. I uroj të gjitha të mirat e botës, të jemi më të dashur me njëri-tjetrin, të jemi me humanë, më të lidhur, më të fjalës dhe të besës sepse kështu na njeh bota. Për kolegët dhe miqtë e mi, shëndet dhe sa më shumë punë!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.