Sa ishte gjallë, mami nuk u kënaq me ne

Intervista - - MËKATE -

(Vijon nga numri i kaluar)

Unë e mora në krahë dhe pashë se bebja më shihte e më buzëqeshte. Edhe unë i buzëqesha.

- Është djalë, tani u bëre me dy vëllezër. Duhet ta duash shumë, se ti je e madhja.

- Po mami - i thashë, pa kuptuar asgjë...

Mami ndenji shumë te ne në fshat atë verë dhe unë kënaqesha me vëllanë e vogël. Ai ishte si një engjëll, tamam ashtu siç kishte thënë gjyshja. Pastaj, mami iku përsëri dhe kur u ndamë, më tha:

- Edhe pak dhe do të jemi bashkë. Do ta bësh klasën e pestë në qytet?

- Mirë, - thashë unë instinktivisht, pa e ditur se çfarë po thoja. E ku e dija unë se çfarë ishte qyteti?

Në fund të verës, gjyshja më tha se do të shkoja te mami në qytet. E pyeta nëse do të dinte edhe vëllai me mua dhe ajo më tha:

- Ai do të vijë më vonë. Shko ti njëherë. Kujdes e sillu mirë ashtu si këtu.

Jeta në qytet ishte krejt ndryshe nga ajo e fshatit. Jetonim në një pallat dhe unë kisha një dhomë timen. Në fakt, aty ishte edhe krevati i vëllait të vogël, por vëllain e mbante mami nga dhoma tjetër. Sa herë shihja atë krevat, ëndërroja sa mirë do të ishte të ishte në të vëllai që kisha në fshat. Shkolla ishte jo shumë larg shtëpisë si në fshat dhe mësueset ishin ndry- she. Ishte pra më mirë se fshati, por mua më mungonte shumë vëllai tjetër dhe gjyshërit. Pastaj, në qytet rrija më shumë brenda sesa jashtë. Edhe ato herë që dilja jashtë, nuk flisnim me askënd dhe mami më mbante sikur po më fshihte.

- Më ka marrë malli për vëllain. Edhe për gjyshin, gjyshen, dajën, për të gjithë. - i thashë një ditë mamit.

- Edhe mua zemër, por ja, duhet të durosh edhe pak, sa të vijnë pushimet e do të shkosh.

- Po pse nuk e marrim vëllain këtu mami? Edhe ai është fëmija yt!

- Edhe atë do ta marrim, por nuk na lënë njerëzit duke pyetur pastaj se çfarë ju kam. Prandaj të mbaj edhe ty brenda, që të mos merremi me thashetheme. Njerëzit janë të këqinj dhe flasin shumë.

Për çfarë do të flisnin njerëzit? Për ne që ishim fëmijët e saj? Në darkë dëgjova mamin t’i thoshte burrit me të cilin ishte martuar:

- Nuk kemi ç’të fshehim më. Janë fëmijët e mi e nuk jetoj dot pa ta. Le ta dinë të gjithë se ke marrë një grua me fëmijë. E ç’të keqe ka këtu?

- Nuk di ç’të them. Ja, vajzën e morëm e po e mbajmë të fshehur, po si do t’ia bëjmë me djalin? Apo nuk është i lëvizshëm ai! A do ta mbash dot brenda?

- Po gjithë jetën kështu do të jetë? – dëgjoja zërin e mamit dhe kuptova se ajo po qante.

Atëhere e kuptova se pse ajo na kishte lënë atje në fshat, se ishte turp të na shihnin të tjerët. E pse ishte turp? Turp të kesh fëmijë? Asgjë nuk po kuptoja.

Ndoshta nga lotët e mamit ai u prek dhe në fundjavë shkoi dhe mori vëllanë. Unë isha tepër e gëzuar. Ishim një familje e vërtetë, mami, burri i saj, dy vëllezërit dhe unë. Edhe pse më merrte malli shumë për gjyshërit e dajën, prapë ndjehesha shumë mirë me familjen. Tani ishim të kompletuar dhe nuk do të ndaheshim më nga mami, mirëpo edhe pas ardhjes së vëllait ne nuk dilnim shumë jashtë. Shkonim në shkollë dhe vinim në shtëpi, nuk kishim shokë në lagje dhe mërziteshim gjithë ditën brenda. Vëllai ishte në klasë të tretë dhe ndjente shumë nevojën që të dilte e të luante jashtë, se ashtu ishte mësuar në fshat. Këtë e kishte kuptuar edhe mami e ndoshta prandaj mori një vendim.

- E di se ju nuk ndjeheni rehat këtu. Jeni mësuar në fshat, prandaj sapo të mbarojë shkolla shkoni e rrini te gjyshërit. - Po ti mami do vish? - Po zemër, do të vij edhe unë. Tani vëllai është rritur dhe e kam më të lehtë.

Ashtu bëmë. Sapo mbaroi shkolla, ne u nisëm për në fshat. Sa u kënaqëm kur pamë vendin ku kishim jetuar çaste të bukura! Ishim mërzitur në atë shtëpi duke qëndruar gjithë ditën brenda katër mureve. Mami ndenji nja një muaj e pastaj iku e mori me vete vetëm vëllain e vogël.

- Po të doni, ejani edhe ju me mua, por atje mërziteni shumë.

- Unë nuk dua të vij, dua të rri këtu me gjyshen në fshat. – tha vëllai i vogël. – Nuk dua të rri pa shokë e pa luajtur jashtë.

Ishte i vogël e kishte dëshirë të luante, por edhe unë atë dëshirë kisha. Edhe pse e doja shumë familjen, ashtu të gjithë bashkë, doja më shumë vendin ku isha e lirë. Me kërkesën tonë, mami na la te gjyshja. Unë e vëllai tani e kishim parë edhe si jetohej në qytet, kështu që e dinim se nuk ishte për ne ajo jetë.

Jetuam edhe për 3 vjet në këtë mënyrë. Mami vinte më shpesh të na takonte dhe ne ishim shumë mirë me gjyshërit e dajën, mirëpo kohët e fundit gjyshen e shihja vazhdimisht duke qarë. Një ditë erdhi burri me të cilin ishte martuar mami dhe na mori. Ai nuk na çoi te shtëpia ku ne rrinim kur banonim në qytet, por mori një rrugë tjetër. Kur makina ndaloi, ne zbritëm në oborrin e një spitali. Në një nga dhomat e tij takuam mamin. Ajo ishte shpërfytyruar krejtësisht. Bukuria e saj tanimë ishte vyshkur. Ishte dobësuar krejtësisht dhe mezi lëvizi buzët për të na thënë të afroheshim. E kuptuam se ajo ishte shumë e sëmurë. Na përqafonte dhe nga sytë i rridhnin lot.

- Nuk jam kënaqur asnjëherë me ju. Do të më mbetet peng pse nuk ju mora me vete.

Dhe kështu, mami ynë vdiq, në moshën më të bukur. Jetoi me vuajtje të mëdha. Jetoi gjithmonë pa fëmijët e saj pranë, vetëm për të mos e bërë me fjalë burrin e dytë. Që nga ajo ditë, gjyshja dhe gjyshi filluan të shkriheshin si qiriri. Çdo mëngjes shikoja se si ata dalëngadalë po i afroheshin vdekjes.

Pas një viti, vdiq gjyshja e 6 muaj pas saj, edhe gjyshi. Burri me të cilin u martua mami, kur ishin gjallë gjyshërit vinte shpesh, por pastaj nuk erdhi më. Edhe vëllain e vogël nuk e sillte më.

Tanimë ishim vetëm ne të dy me dajën. Daja mori një nuse pa dasëm që edhe shtëpia mos të mbetej ashtu si e shkretë. Në fillim nusja ishte shumë e mirë, por kur bëri dy fëmijët e saj, mua më ktheu në shërbëtore dhe vëllain e kishte shumë inat. Tani ai ishte rritur dhe kishte nevojë për një njeri që ta mësonte për shumë gjëra. Daja mundohej, por ai vinte gjithmonë i rraskapitur nga puna dhe nuk dinte ç’të bënte më parë në atë orë që ishte në shtëpi. Koha kaloi dhe unë u bëra 18 vjeçe, kurse vëllai 16.

- Të kanë kërkuar të martohesh, - më tha nusja e dajës. – Sa fat ke mi! Alamet djali të ka rënë për hise.

- Po kush është ky? Unë nuk njoh ndonjë.

- E ç’të duhet ty të njohësh njeri? Ja, të erdhi fati në derë. Në qytet mi! Lum si ti! Apo do të rrish këtu në fshat e të hash dynjanë me lopë e dele?

Nuk fola se po prisja të vinte daja e ta sqaroja me të këtë ngatërresë. Kur erdhi daja, m’u duk se do të shpëtoja.

- Ti ke të drejtë të zgjedhësh. Shihe njëherë e po nuk të pëlqeu, thuaj “jo”. - tha ai.

Isha mësuar t’i bindesha dajës, se ai vetë gjithmonë më fliste me ëmbëlsi dhe kisha shumë besim tek ai.

Kur erdhi djali që më kishte kërkuar bashkë me të atin, vendosa se më mirë do të ishte të bëja ashtu si më thanë daja e nusja e tij. Djali ishte shumë simpatik dhe mua m’u duk i mirë. Unë e vëllai ishim të tepërt në atë shtëpi tani. Nuk e mendova gjatë dhe thashë “po”.

E kështu, me pak fjalë, unë u fejova e u martova dhe në fakt, nuk kisha gabuar. Pas një viti martesë mora edhe vëllain në qytet e ai mbaroi shkollën, kurse tani është jashtë shtetit. Burri që kam është një bashkëshort i mrekullueshëm me të cilin kam një vajzë të vogël. Disa herë e takoj edhe vëllain e vogël dhe ndjej se edhe atij i mungon shumë mami, ashtu si mua.

Gjithmonë më shkon mendja se si shkoi mami im duke menduar për ne. Ah, sikur të na shihte nga lart se ne tani jemi rregulluar shumë mirë! Mungon vetëm ajo që të jetë me ne, por jam e sigurt se ajo është me gjyshin e gjyshin të cilët e deshën aq fort dhe i shkuan nga pas se nuk rrinin dot pa të.

Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online që ditën e daljes në treg, vetëm për 89 cent në: http://www.pressreader.com/albania/intervista

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.