Nga Miss, përfundova prostitutë!

Intervista - - MËKATE -

Unë që po ju shkruaj, po e bëj këtë për të parandaluar dhe informuar publikun për një fenomen të ri që po ndodh në Shqipëri. Të gjithë duhet ta marrin vesh e të mësojnë se çfarë maskarallëqesh ndodhin në Shqipërinë tonë. Ju nuk e keni idenë se pas disa konkurseve të bukurisë shqiptare nga më të njohurat, me producentë që kanë vite në këtë treg, zhvillohen pazare të qelbura prostitucioni dhe përfitimesh. Unë që po marr guximin të shkruaj këtë letër dëshiroj të prezantohem me emrin Uendi dhe dua të mbetem anonime, për arsye se ata njerëz që unë i quaj kriminelë, mund të më lëndojnë. Ama, dua ta nxjerr të gjithë këtë mllef që kam brenda vetes dhe të tregoj se si më mashtruan mua e vajza të tjera si unë, që ishim të brishta e lehtësisht të thyeshme, në moshën tonë më të bukur, gjatë adoleshencës. Ata na vodhën ëndrrat tona të vajzërisë duke na futur në një treg të mirëfilltë prostitucioni, një skandal që ndodh në televizionet më të mëdha shqiptare e që shitet si konkurs i ndershëm bukurie.

Gjithçka nisi para disa vitesh, kur pashë në televizor një reklamë që u bënte thirrje vajzave të reja anembanë Shqipërisë për të marrë pjesë në konkurs bukurie. Pa pyetur familjen, e mbajta shënim num- rin që jepej në reklamë dhe telefonova fshehurazi. Kisha ëndërr që e vogël të isha Miss e të merrja pjesë nëpër spektaklet e bukurisë dhe sapo pashë reklamën, thashë me vete “ky është shansi im”. Telefonova dhe më doli në telefon një vajzë e re që më tha të bëja foto të profilit e trupit dhe bashkë me përmasat t’ua dërgoja në një adresë emaili. Qyteti ku unë banoj është qytet i vogël dhe më vinte shumë zor të bëja këto foto, por një ditë mu mbush mendja dhe bëra disa foto siç m’i kërkuan, sipas parametrave të tyre dhe ua dërgova me email. Pas pak ditësh më erdhi përgjigjja: “Urime, jeni kualifikuar për në fazën tjetër të konkursit tonë të bukurisë”. Ata më morën edhe në telefon dhe më caktuan një ditë për të shkuar në zyrat e tyre në Tiranë për të bërë audicionin nga afër. U lumturova jashtë mase. Nuk po më mbante vendi. Në shkollë më dukej vetja më e mirë se vajzat e tjera. Thoja gjithnjë me vete se kishte ardhur momenti të isha në qendër të vëmendjes, siç e meritoja. Nuk do të isha më një vajzë e thjeshtë dhe e panjohur. Shihja shumë televizor dhe më joshte gjithnjë ideja se si jetonte një modele: në apartamente luksoze, me jetë sharmante dhe me makinën te këmbët. U entuziazmova shumë dhe thoja: “Ja, kjo duhet të jem unë! Do vizitoj shumë vende, do shkoj jashtë shtetit, do gëzoj pasuri të pamasë”. Me pak fjalë, më rrëmbeu budallallëku i moshës. Isha më shumë se kurrë gati të shkoja në Tiranë, mezi po e prisja ditën e parë që do të vizitoja zyrat e tyre. Ah, sikur të kisha mundësinë ta ktheja dhe njëherë kohën prapa, ta ndryshoja atë ditë dhe të bëja çmos për ta shmangur!

Kisha vetëm një problem të vogël përpara asaj dite, duhet t’i tregoja babait që kisha aplikuar për një konkurs bukurie dhe ta bindja që të më linte të shkoja. Këtej më shqetësonte ideja që babai do të më bërtiste pse kisha aplikuar pa i thënë atij, por edhe a do të më lejonte të vazhdoja. Për këtë gjeta mbështetjen e një kushërirës sime dhe shkova bashkë me atë për t’i bërë këtë muhabet. Një ditë të bukur, kur dhe ai ishte në humor, i thashë:

- O ba, të lutem, hajde shihe pak këtë reklamën që po jepet në televizor!

- Eh, budallallëqe, xhani babait...

- O ba, të lutem mos u inatos me mua, por unë kam aplikuar aty, nuk do të kishe edhe ti dëshirë ta shihje bijën tënde Missin e Shqipërisë?!

Këtu u hodh dhe mamaja ime dhe kushërira në të njëjtën kohë (se unë kisha folur më përpara me ato) dhe i thanë babait që nuk ka problem,... (Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.