Çfarë dokumentesh më duhen për kartën e shëndetit?

Intervista - - PYETJE -

- Jam një lexuese e rregullt e kësaj rubrike. Doja të dija, si hapet kartë e re shëndeti? Çfarë dokumentesh duhen dhe a është e vlefshme kjo kartë në çdo qendër shëndetësore? Zonja nga Shkodra.

- E nderuar zonjë, së pari po ju them që kjo kartë shëndeti vlen për të gjitha shërbimet që ofron skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Është e vlefshme dhe për shërbimet shëndetësore spitalore, kryesisht të kardiologjisë dhe të nefrologjisë dhe kjo vlen edhe në disa qendra private të cilat janë të financuara nga kjo nismë shëndetësore. Përsa i përket dokumentacionit që ju duhet për të përfituar kartën shëndetësoren, ju nuk na thoni nëse jeni pensioniste, e punësuar etj., ndaj ne po ju përshkruajmë më poshtë disa nga kategoritë që përfitojnë kartë shëndeti dhe se çfarë dokumentesh ju duhen:

- Për të punësuarit: Kërkohet libreza e kontributeve të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor. Për këtë kategori do të merren në konsideratë edhe shënimet e bëra nga punëdhënësi për raportet mjekësore që paguhen nga ISSH. Afati i përdorimit të librezës do të jetë 6 muaj nga data e lëshimit.

- Të vetëpunësuar: Kjo kategori duhet të dorëzojë librezën e kontributeve të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor, me një afat përdorimi deri në 3 muaj nga data e lëshimit.

- Sigurim vullnetar: Kërkohet kontrata e lidhur me Fondin e Sigurimeve, si edhe dokumenti që vërteton derdhjen e kontributit vullnetar pranë drejtorisë rajonale të degës së sigurimeve shoqërore.

- Pensionistë: Për pensionistët kërkohet libreza e pensionit sipas kategorive të sigurimeve. Edhe për këtë kategori, vlefshmëria e dokumentit të dorëzuar do të jetë pa ndonjë afat të përcaktuar.

Pension i parakohshëm, i pjesshëm dhe i reduktuar: Në të gjitha këto raste, aplikuesit duhet të dorëzojnë librezën e pensionit sipas kategorive të sigurimeve shoqërore ku bëjnë pjesë.

Person pa pension pleqërie: Për këtë kategori nevojitet dorëzimi i kartës së identitetit, ose certifikata e gjendjes civile që vërteton moshën mbi 65 vjeç për burrat dhe mbi 60 vjeç për femrat.

- Fëmijë 0-12 muaj: Për këtë kategori kërkohet certifikatë lindjeje. Afati i përdorimit do të jetë nga data e lëshimit deri në moshën 12 muaj.

- Fëmijë 1-18 vjeç: Duhet të dorëzohet certifikatë lindjeje, ndërsa afati i përdorimit do të jetë nga data e lëshimit deri në moshën 18 vjeç.

- Studentët 18-25 vjeç: Kërkohet karta e identitetit, vërtetim nga universiteti përkatës, brenda ose jashtë vendit (i përkthyer dhe noterizuar për universitetet jashtë vendit). Afati i përdorimit do të jetë 1 vjeçar, nga data e lëshimit, deri në moshën 25 vjeç.

- Kujdestar për invalidët para dhe tetraplegjikë: Në dokumentet që kërkohen duhet të jetë libreza e kontributeve të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor. Për këto karta, përdorimi do të jetë pa afat.

- Invalid i plotë: Duhet të dorëzojnë vërtetimin e invaliditetit të marrë nga dega e sigurimeve shoqërore, si edhe librezën e invaliditetit. Përdorimi do të jetë pa afat të përcaktuar.

- Përfituese e lejes së lindjes: Dokumenti që kërkohet në këtë rast, konfirmohet sipas shënimit të punëdhënësit në librezën e kontributeve dhe përdorimi do të jetë po sipas afateve të librezës.

- Gratë shtatzëna: Kërkohet vërtetim i konsultorit shëndetësor për periudhën e shtatzanisë. Përdorimi do të jetë me afat sipas përcaktimeve të bëra në përmbajtjen e vërtetimit të lëshuar nga konsultori.

- Person që trajtohet me ndihmë ekonomike: Kërkohet vërtetim nga njësia e pushtetit vendor për personat e familjes që përfitojnë ndihmën ekonomike. Do të jetë me afat 3 mujor nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.

- I papunë punëkërkues: Kërkohet kartela personale e punëkërkuesit të papunë, lëshuar nga zyra rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Afati i përdorimit është 3-mujor, nga data e lëshimit të kartës së shëndetit. Ka edhe plot kategori të tjera, por ne ju përmendëm disa, duke menduar se mund t’i përkisni ndonjërës prej tyre. Nëse nuk jeni e qartë, mjafton të pyesni te qendra shëndetësore ku jeni regjistruar dhe do të merrni kartën.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.