Letra për psikologun

Intervista - - PYETJE -

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - Vërtet, e nderuara vajzë, nuk është një shkak i vogël që i fejuari juaj prej dy vitesh vazhdon t’ju gënjejë për gjëra shumë të rëndësishme jetësore dhe ju rrini duke pritur që ai ta “kuptojë” vetë e të ndryshojë. Nuk shkon ky muhabet, pasi “ku hyn gënjeshtra dhe dredhia, prishet miqësia”, thotë populli. Nuk është këtu fjala për rrena të “bardha” siç thonë anglezët, nga të cilat nuk ka dëm, por ndoshta edhe dobi. Ju thoni që ai e ka ves gënjeshtrën dhe ju gënjen për çështje madhore të jetës, madje edhe pse ia thoni, ai e anashkalon dhe si pa rëndësi, e përsërit. Këtë gjë unë e shoh me “rrezik” pasi humbja e besimit është si “humbja e shpirtit” e do të vijë koha që ju do ta shihni tek ai çdo gjë me dyshim e me frikë, pra, nuk do të jeni më e qetë dhe meraku se ai po ju gënjen do t’ju kthehet në obsesion duke mos i besuar më për asgjë. Ne psikologët kemi një arsye që në këto raste i kërkojmë me urgjencë sidomos çiftet e reja për të biseduar shtruar, pasi i njëjti “ngacmues” edhe sikur pa ndonjë rëndësi të madhe të jetë, duke u përsëritur, me kalimin e kohës, merr rëndësi e peshë dhe e gërryen marrëdhënien, e kërcënon, e prish atë. Ti je e detyruar të tregosh tek ai besim, edhe kur nuk e ke, por duke vepruar kështu, problemi yt mund të të dalë si me “firmat piramidale” që njerëzit nga frika e humbjes vazhdonin të besonin dhe të fusnin ende lekë.

Duhet parë mirë origjina e këtij njeriu, formimi i tij dhe edukata, pasi populli thotë se ai që gënjen, të gjitha i bën. Ja, të të pyes unë ty: a ka bixhozxhi që nuk gënjen? A ka alkoolist, donzhuan, drogaxhi e manipulator që nuk gënjen? Ata madje nuk dinë të bëjnë ndryshe! Prandaj do të doja të të bëja disa pyetje për marrëdhëniet e këtij njeriu me punën, me njerëzit e vet, me miqtë, pasi për ta njohur mirë një njeri, mos e shih atë vetëm në qëndrimin apo sjelljen ndaj teje, por edhe ndaj njerëzve të tjerë, duke u bërë një vëzhguese e kujdesshme, madje një “dedektive” në këtë drejtim, pasi ai do të jetë “timonieri” i shtëpisë dhe babai i fëmijëve të tu. Edhe në qoftë se ai ty të gënjen për të të qetësuar, sepse ti mund të jesh ankthioze dhe e mbindjeshme, kjo është një metodë e gabuar, pasi verifikimi i gënjeshtrave ty të nervozon e mërzit më shumë sesa vetë problemi... Unë vetë, jam një tip që më mirë të ma tregosh drejt një problem e të ma thuash që ta duroj sesa të më mbash me “rrena” e shpresa të kota... Kam frikë se kjo lloj mënyre veprimi ose mendimi se “gruas i duhen fshehur hallet” ka një origjinë tek ai, pra, që fëmijë ai e ka si të “projektuar” këtë lloj sjelljeje pasi e ka parë si një model te prindërit e vet.

- Mundet që kjo lloj “peshoreje” e gabuar ta ndjekë atë për të gjithë jetën dhe ti nuk do të mundesh ta durosh kështu. Kam njohur një “alamet” djali i cili më 14 shkurt, përveç të fejuarës, vajti në takim edhe me tre vajza të tjera, çdonjëra prej të cilave besonte se ishte e vetmja për të. Këtë gjë ai e bënte me një lloj shtirjeje e mjeshtërie mashtrimi spektakolare, për ta pasur zili edhe aktorët e Hollivudit. Kur unë i thashë se kjo është një lloj lodhjeje e shkapërderdhjeje e jetës, se donzhuanët nuk e provojnë atë lloj kënaqësie që të jep dashuria e vërtetë, ai më tha: “Ke të drejtë, por unë jam mësuar kështu, më është bërë ves, kam krijuar varësi nga kjo lloj sjelljeje e më duket si një lloj sporti, si një hobi, ashtu si ai bixhozxhiu i cili e kupton shumë mirë se është i humbur sapo të fillojë të luajë, por nuk rri dot pa luajtur”. Pastaj më kërkoi mua ilaçe bimore për të shtuar potencën e unë i thashë se sado që ato janë 100 % bimore, nuk është mirë që ta sforcosh organizmin e ta detyrosh që të punojë mbi ka- pacitetet e tij, pasi ai edhe kur ishte i lodhur apo i mbingopur në seks, përpiqej ta “çudiste” bijën e botës me potencën burrërore e dashurinë, si te romanet apo librat rozë. Puna dhe arsimimi për këtë djalë kishin mbetur në plan të fundit dhe në vend që ai t’i ndihmonte prindërit, u merrte lekë atyre. Unë i shpjegova se “turbina” e seksit t’i ha të gjitha energjitë, ndaj çdo teprim është i dëmshëm. “Edhe e mira e tepërt është e keqja e së mirës”, thonë francezët.

Besoj se e kuptove e nderuar vajzë që ti më kërkove të të këshilloja si vajzën time. Do të doja që ti t’i punoje atij edhe një stil, ta gënjeje e ta alarmoje e pastaj në një letër të parashkruar t’i tregoje të gjitha arsyet pse e bëre këtë gjë, pasi këta njerëz nuk e vënë asnjëherë veten në rolin e tjetrit. Kur ai të ndihet keq e i acaruar pse ti e gënjeve, ia thuaj se kjo është shumë pak, krahasuar me ato që bën ai ndaj teje. Mos rri në pritje se gjërat do të mund të ndryshojnë ashtu vetë. Asgjë nuk ndodh kot ose rastësisht dhe si kudo, edhe këtu është “hyzmeti-kësmeti”. Edhe populli thotë se gruaja e mirë edhe burrin e bën të mirë dhe burri i mirë, edhe gruan e bën të mirë. Në qoftë se ai nuk është as bashkëpunues e as i ndryshueshëm, sa më shpejt, më mirë ndahu nga ai. Fejesa është si një paraprovë, si një test, por në këtë test, gënjeshtra e bën atë që të humbasë shumë pikë! Edhe pse mund të jetë një mjeshtër për t’i fshehur e maskuar gjërat, nuk thonë kot se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra dhe deri në 40 ditë mbetet sekret, më shumë jo. Gjithsesi, do të doja që ti të më vije për një konsultë më të gjerë një herë vetë e pastaj edhe me atë. Martesa është çështje jete, është jeta vetë, po ose jo!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.