Ismail Keta: Tani, do të promovoj shqiptarët!

Intervista - - SPORT -

Blerina Çizmja: - Ismail, ti tani merresh vetëm me trajnim. Nuk të hanë duart të veshësh dorezat e të ndeshesh në ring?

Ismail Keta: - (Qesh) E vërtetë! Është një pyetje që ia kam bërë vetes shpeshherë. Ua them edhe nxënësve të mi, kur i shikoj që stepen ndonjëherë: “Hej, kam kaq kohë që e kam lënë sportin, kam kaluar edhe një problem shëndetësor, ama i vesh dorezat e shiheni po s’u bëra kampion!”. E vërteta është se sportisti ngelet sportist dhe... më hanë duart, të them të drejtën, por një hap të tillë mund ta bëj vetëm nëse fëmijët e mi ngelen pa bukë, për një fëmijë të sëmurë ose nëse duhet të nderoj kombin tim. Për asgjë tjetër.

Aktualisht, pavarësisht se i jam larguar boksit profesionist, bëj edhe vetë sport sepse dua të jem shembull për sportistët e mi. Nuk ia lejoj vetes që t’i kërkoj sportistit të bëjë një gjë që nuk jam në gjendje ta bëj vetë, ama përgjegjësia ime kryesore tani është të jem një trajner i mirë.

- Vura re që të mjaftoi një fjalë për ta vënë Kristianin në punë... Kaq i bin- dur është gjithmonë ai?

- Po, është shumë i bindur, prandaj mendoj se do të bëhet kampion i madh. Nuk është vetëm puna ime si trajner që e bën të ecë përpara, por edhe talenti i tij. Unë kam parë veten te Kristiani... Është i përqendruar, i përkushtuar, ka respekt për mua si trajner dhe është mirënjohës, ndaj jap gjithmonë maksimumin që ai të bëhet kampion.

- Aktualisht, po e promovon Kristianin në Gjermani?

- Jo Kristianin, por vlerat e tij dhe vlerat e të gjithë djemve të tjerë që kanë talent. Unë u ofroj ndihmën time, nëpërmjet mundësive që kam.

- Ndërkohë që shumë punë kërkon edhe palestra që keni hapur në Tiranë...

- Ne u themi shkollë ambienteve të tilla sepse sportet e boksit janë vërtet shkollë. Në ring është si në jetë; duhet të jesh i shëndetshëm, i guximshëm, i vëmendshëm, i duruar dhe i zgjuar. Shkolla në Tiranë është bija e shkollës sonë në Mynih. Vij shpesh këtu për të kontrolluar cilësinë e për të ndihmuar sportistët. Në Shqipëri ka shumë talente dhe rinia jonë ka nevojë për sportet individuale, sepse janë edukative. Këtu stërvit këmbënguljen, përpikmërinë, stërvitesh të jesh i sjellshëm, guximtar, i duruar, stërvitesh mbi të gjitha me djersën, me punën, apo si i thonë në gjuhën popullore, me hallallëkun. Po nuk pati ambiente të tilla, fëmija do dalë të pijë duhan, pastaj drogë dhe kur nuk ka lek për drogë, del të vrasë e të vjedhë... Ndaj dua t’i vij sadopak në ndihmë Shqipërisë me këtë shkollë.

- A kanë interes të rinjtë shqiptarë për këto sporte?

- Aq shumë sa, po të mos kisha familjen time në Gjermani, do të kthehesha në Shqipëri për të bërë kampionë shqiptarët. Kanë interes dhe janë shumë të talentuar.

- Do t’i fusje djemtë tanë në rrugën e boksit e do të të merrnin inat shumë prindër pastaj...

- (Buzëqesh) ...dhe do t’i kuptoja. Unë kam dy fëmijë dhe kam filluar t’ua mësoj sportin e boksit për të mirat që jep, por nuk dua të bëhen sportistë profesionistë si unë. Unë me veten time jam shumë i egër, por te fëmija jam i butë dhe i kuptoj prindërit... Në këto sporte, njeriu stërvitet fizikisht e psikikisht aq shumë saqë po të thyejë hundën apo krahun, nuk i dhemb. Të dhemb vetëm kur ti humbet qëllimin që kishe! Sigurisht, nëse stërvitesh në mënyrën e duhur dhe me njerëzit e duhur. Mos harro se në të gjitha sportet ka njerëz që kanë vrarë veten, gjë që shumë rrallë ka ndodhur në boks, pasi këtu, në radhë të parë stërvit karakterin. Ndaj këtë sport ia këshilloj ta mësojë fëmija i çdo prindi.

- Ismail, je i kënaqur me çfarë ke arritur?

- Jam më shumë se i kënaqur, jam shumë i lumtur, sidomos pas këtij organizimit të fundit sepse ndieja shumë përgjegjësi për këtë event. Rastisi që kishim kundërshtarë sportistë nga vendet fqinje që kurrë nuk ia kanë dashur të mirën Shqipërisë...

- Kjo dukej si e përgatitur!

- Në fakt, jo, dhe dua ta theksoj këtë. Sigurisht, kur di vlerën e sportistëve të mi, edhe mund ta përgatis për t’i dhënë vlerë vendit tim, por në këtë rast, kjo ishte rastësi. Ne marrim pjesë në federatat më të mëdha në botë dhe ata bëjnë përzgjedhjen e sportistëve. Nëse ka sportistë të kualifikuar nga vendet fqinje të vendit ku zhvillohet aktiviteti, përzgjidhen ata. Sportistët e huaj të përzgjedhur për sfidat kishin më shumë ndeshje se sportistët tanë, por falë publikut shqiptar që të bën të ngrihesh nga varri, triumfuam! Një publik aq të zjarrtë sa Shqipëria nuk ka në asnjë vend të botës. Ata ishin katalizatori i fitores, u dhanë frymëzim çunave që nderuan Shqipërinë. Për këtë, jam i lumtur. - Synimi i radhës? - Gjetani dhe Kristiani janë ikonat e këtyre sporteve shqiptare për momentin dhe ata janë qëllimet e radhës. Për Gjetanin që të nesërmen e ndeshjes më kanë ardhur oferta nga Amerika dhe nga Gjermania. Tani, unë nuk jam vetëm djali i Asllanit, por i të gjithë shqiptarëve dhe veç Gjetanit, Feritit e Kristianit, dua të promovoj shumë shqiptarë të tjerë, kudo që të jenë, t’iu jap mundësinë të ndeshen në arena të tjera ndërkombëtare.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.