8 gjëra të tmerrshme që i ndodhin trupit në hapësirë

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Hapësira përtej atmosferës së Tokës nuk ka presion, ose ajër. Temperaturat gjithashtu janë ose shumë të ftohta, ose përvëluese, në varësi të faktit nëse keni përballë diellin, apo jo. Ndërkohë, nga yjet vjen një sasi e madhe rrezatimi me rreze ultravjollcë vdekjeprurëse. Kështu, nëse ndonjë ditë do ta shihni veten duke fluturuar pa kostum jashtë stacioneve hapësinore (mendoni Xhorxh Klunin te “Gravity”), dijeni se nuk keni asnjë mundësi mbijetese. Ja, 8 gjëra që i ndodhin trupit të njeriut në hapësirë:

1. Asfiksimi

Nëse do të dilni jashtë një anijeje kozmike dhe nuk keni veshur një kostum kozmonautësh, do të ndjeni menjëherë se i gjithë ajri do t’ju dalë nga mushkëritë. Në hapësirë nuk ka presion atmosferik, kështu që ajri do të zgjerohet aq sa mund të çajë edhe indet e mushkërive. Në këtë rast, është më mirë ta nxirrni menjëherë të gjithë ajrin që keni në mushkëri, sesa të mbani frymën e fundit. Në një mjedis ekstrem si hapësira, trupit i duhen vetëm 15 sekonda për të përdorur gjithë oskigjenin që gjendet në gjak. Në sekondën që gjaku pa oksigjen mbërrin në tru, njeriu vdes.

2. Humbja e kontrollit

mbi jashtëqitjen

Ju mund të humbisni disa prej aftësive vetëkontrolluese të trupit nga një mungesë kaq e papritur e oksigjenit. Studiuesit bënë një eksperiment në vitin 1965 me 100 qen që u futën në një mjedis me vakum. Studiuesit vunë re se mushkëritë e qenve mbetën pa ajër, por edhe iu zbraz zorra e trashë. Kështu pra, ka gjasa ta bëni në brekë...

3. Zien gjaku

Sa më i ulët të jetë presioni atmosferik, aq më e ulët është pika e vlimit të një lëngu. Ja pse uji zien më shpejt në majë të malit, sesa në rrëzë të tij. Në hapësirë nuk ka fare presion, kështu që pika e vlimit të lëngjeve tuaja mund të ulet deri në temperaturën e trupit. Kështu, pështyma mund të fillojë të vlojë. Po kështu, edhe gjaku.

4. Bllokohet qarkullimi i gjakut dhe shpërthejnë

kapilarët

Gjithë ai gjak që vlon mund të bllokojë vajtjen e gjakut në organet jetësore, gjë që mund të shkaktojë vdekjen e personit. Nëse flluckat e gjakut që vlon shkojnë në zemër, ato mund të shkaktojnë infarkt. Ky gjak mund të çajë edhe kapilarët dhe mund ta shihni lëkurën tuaj të mbushet me pulla të zeza.

5. Fryrje

Nëse gjaku fillon të ziejë, ai mund të kthehet në një gaz që do ta bëjë lëkurën tuaj të fryhet. Nasa ka thënë se trupi nuk do të shpërthejë dhe as sytë nuk do të dalin nga vendi, siç është parë në disa filma fantastiko-shkencore. Megjithatë, mund të enjteni dhe të keni dhimbje.

6. Djegie nga dielli

Ndërkohë që ju pluskoni pa ndjenja dhe të enjtur, problemet nuk kanë marrë fund. Nëse keni përballë Diellin kur dilni nga anija kozmike, atëherë mund të përballeni me temperatura afro 120 gradë celsius. Kjo do të thotë: një djegie e menjëhershme nga dielli.

7. Mutacion qelizash

Ju gjithashtu do të bombardoheni me rrezatime nga yje të tjera, përveç Diellit me rreze të dëmshme ultravjollcë, rreze gama dhe X, që mund të dëmtojnë qelizat. Doza e rrezatimit nuk do t’ju japë superfuqi. Nëse do të mbijetoni aq sa dikush t’ju tërheqë përsëri brenda anijes, mund të vdisni më vonë prej helmimit nga rrezatimi, ose nga kanceri.

8. Ngrirje

Nëse nuk jeni përballë Diellit, ka mundësi që temperatura në hije të jetë - 220 gradë. Megjithatë, sipas Nasës, kjo nuk do të thotë se do të ngrini. Ngrohtësia do të vijë nga ndonjë drejtim. Edhe në hapësirë, muskujt tuaj do të prodhojnë nxehtësi dhe ajo nuk do të ketë nga të dalë, nëse ju do të jeni të rrethuar nga vakumi. Kështu, ngrirja nuk do të jetë në listën e problemeve tuaja.

Pavarësisht gjithë këtyre, ka ende shpresë se ju mund të mbijetoni. Shkencëtarët ekspozuan edhe shimpanzetë në kushtet e përafërta me vakumin, në vitin 1965. Ata zbuluan se shimpanzetë e morën veten pa ndonjë dëmtim edhe pasi kaluan 3.5 minuta në vakum. Megjithatë, njëri prej tyre pësoi infarkt të zemrës dhe një tjetër vdiq pas vetëm tre minutave. Si përfundim, ju mund të vdisni më shumë nga asfiksimi, por shkencëtarët janë të gjithë të një mendimi se, nëse nuk qëndroni më shumë se 60 sekonda në hapësirë, mund të mbijetoni.

Përgatitja

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.