BALI: Është muzika ajo që nuk më lë mua

Intervista - - MUZIKE -

Bali është femër e suksesshme në punën e saj. Prej vitesh ajo organizon spektakle në Belgjikë, por nuk harron edhe pasionin e saj të vjetër, të kënduarit. Këtë herë, Bali flet për pëlqimet, dashurinë, muzikën, të bukurën, shfaq anën e saj personale, përveç asaj profesionale, që tashmë e njohim mirë...

Fabjola Kuburi: - Bali, a të duhet ende punë për t’u quajtur e suksesshme në kuptimin e plotë të fjalës?

Bali: - Mendoj se duhet ende punë, sepse e mira nuk ka fund dhe suksesi po ashtu, ama unë jam gjithmonë me këmbë në tokë.

- Cila është gjëja e parë që të vjen në mendje sapo hap sytë në mëngjes?

- Si fillim, nuk harroj të falënderoj Zotin që më ka dhënë shën- detin dhe familjen. Çdo ditë mendoj si ta bëj ditën sa më pak monotone. (Buzëqesh)

- Je e sigurt në vetvete apo ka raste kur ke edhe lëkundje?

- Duke ditur që kam shumë vite që merrem me muzikë dhe organizoj spektakle, jam e sigurt në hapat që hedh dhe kam besim në vetvete. Të tillë më ka

bërë puna

së cilës i kam kushtuar gjithmonë një rëndësi të veçantë.

- Të pëlqen jeta e natës apo ndihesh e detyruar ta pëlqesh vetëm nga profesioni?

- Në fakt, jeta e natës ka vite që është pjesë e jetës sime sepse unë kam organizuar spektakle, por edhe kam kam kënduar për shqiptarët në Belgjike e jo vetëm. Të them të vërtetën, nuk është se më pëlqen shumë jeta e natës, është vetëm puna që më lidh me të, që në jo pak raste, është shumë e lodhshme.

- A je romantike dhe cili ka qenë gjesti më romantik që ke bërë ndonjëherë?

- Kam qenë dhe jam shumë romantike. Unë mendoj se romanticiteti është mënyra e vetme për ta bërë dashurinë më interesante dhe më të bukur. Dashuria e mban shpirtin të ri.

- Cila është ajo gjë që e vlerëson më shumë te vetja?

- Sinqeriteti, korrektesa dhe karakteri i fortë që kam.

- Ç’lloj muzike të fal momente lumturie dhe qetësie?

- Të gjitha llojet, ama popullorja është muzika e shpirtit tim!

- Çfarë të bën të lumtur dhe çfarë të nervozon?

- Më lumturojnë pa fund sukseset që arrij dhe dashuria për njerëzit e mi më të afërt, sidomos e vajzave të mia dhe e nipit tim, zemrës sime Kleos, të cilët janë gjëja më e shtrenjtë dhe më e bukur e jetës sime. Mundohem të mbaj larg vetes njerëzit që më japin energji negative dhe janë xhelozë. Mundohem t’u qëndroj sa më larg, sepse më nervozojnë. Mendoj se ka shumë të tillë sot dhe e mira e të mirave është të rrish sa më larg tyre.

- Mendon se mund të blihet çdo gjë me para?

- Jo, janë disa gjëra që nuk mund të blihen me para... Për shembull, dashuria është një ndjenjë që nuk mund të blihet. Ka tendenca për të menduar se gjithçka mund të blihet apo zgjidhet me para e mes këtyre edhe dashuria, por për mua, jo.

- Ku ndihesh më e shpërblyer, në planin profesional apo në atë personal?

- Ndihem e shpërblyer në të dyja aspektet dhe do të mundohem t’i mbaj fort, që të mos më ikin kurrë nga dora.

- Sipas teje, aktualisht, cili këngëtar po ecën mirë në karrierë?

- Për momentin, në karrierë po ecin shumë këngëtarë, por mendoj se në krye është Sinan Hoxha. Ka edhe të tjerë, edhe nga Kosova dhe nuk di për kë të them janë të gjithë shumë të mirë. I përshëndes të gjithë ata këngëtarë nga Kosova dhe Shqipëria që i kam pasur në koncertet e mia; jeni më të mirët!

- Po kush fiton më së shumti?

- Nuk di se kush mund të fitojë më shumë, por me hamendje mund ta kuptoni edhe vetë; të gjithë ata këngëtarë që kanë bërë emër.

- Pasione të tjera, përveç muzikës...

- Pasionet e mia janë të shumta. Kam shumë dëshirë të shëtis në të gjithë botën dhe po ia arrij pak e shumë, sepse çdo muaj më ke nëpër shtete të ndryshme.

- Të ka ndodhur të lexosh diçka të pakëndshme për veten?

- Po, kam lexuar dhe kam parë gjëra të papëlqyeshme të thëna për mua në Youtube, por nuk jam mërzitur fare, se nuk prekem nga njerëzit që nuk më njohin as si njeri dhe as si karakter. Ata mund dhe kanë të drejtë të flasin sa herë të duan dhe si të duan. Secili, në fund, tregon veten.

- A ndihet keq një femër e bukur kur meshkujt tërhiqen nga pamja dhe pak mendojnë për inteligjencën?

- Nuk e di si mund të ndihet një femër në këtë rast, se mund të ketë shumë raste të tilla, por unë i kam pasur të dyja... Jam një femër e bukur, moderne dhe inteligjente. (Buzëqesh)

- Është paragjykim kur thuhet se femrat e bukura, rrallë janë edhe inteligjente?

- Po, mendoj se është paragjykim. Ka femra të bukura e të përmbushura në çdo pikëpamje, siç ka femra të bukura që nuk janë aspak të zgjuara.

- Kush e ka përhapur këtë shprehje, femrat më pak të bukura?

- Njerëzimi është njësoj. Femrës së bukur dhe femrës së shëmtuar jetën, por edhe zgjuarsinë ia ka dhuruar Zoti. Për mendimin tim, kjo ndodh në një situatë të tillë: kur një djalë jo shumë i bukur i propozon një femre të bukur dhe ajo e refuzon, ai gjen justifikimin që nuk e donte vetë se ajo “ishte e trashë”. (Qesh)

- Ti ke vite në Belgjikë. Cili është ndryshimi midis vendit ku jeton dhe vendlindjes?

- Po, unë kam shumë vite në Belgjikë... E dua vendlindjen time se jam shqiptare, por këtu në Belgjikë ndihem shumë e qetë dhe shumë mirë. Faktikisht, ka një hendek të madh ne mes, se këtu është kulturë evropiane dhe ku ka kulturë dhe edukatë, jeta bëhet më e mirë.

- Si e shikon nivelin e muzikës shqiptare, në përgjithësi?

- Ah, edhe kjo nuk do t’ju pëlqejë që ta them, por unë do ta them: në kohën tonë kishte lezet të dëgjoje muzikë, sepse ajo kishte nivelin e duhur. Me pak fjalë, po të them se muzika jonë nuk ka më nivel derisa këngëtarët tanë të këndojnë tallava. Stop tallavasë!

- Ku do të jetë Bali në të ardhmen?

- Në fakt, synimi im personal është që të eci vetëm përpara, flas për muzikën, por edhe për organizimet e spektakleve. Nga muzika nuk do të heq dorë kurrë, ka qenë pasioni im dhe tani është ajo që nuk më lë mua.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.