Erion Veliaj: E vërteta e rritjes së taksës së karrigeve...

Intervista - - AKTUALITET -

Zotin Erion Veliaj e gjeta në kodrat e Liqenit Artificial i fshehur pas një peme. Po fliste në telefon. Iu afrova:

Kaso Kosa: - Zoti Veliaj, përshendetje! Ç’po bëni këtu? Erjon Veliaj: - Shhhh, Kaso, se po flas në telefon. - Me kë? - Një minutë, Kaso, sa të mbaroj dhe llafosemi.

- Mirë, zoti Veliaj, po pres. - Ja, mbarova. Ku e lamë, Kaso? - Te telefonata pra. Me cilin po flisnit? - Sapo fola me zotin Toni Bler. - Ç’ju tha? Do na marrë prapë doganat për mbikqyrje?

- Jo, jo, këtë radhë do t’i japim ndonjë gjë tjetër, se nuk na katranosi gjë me doganat. Ishte bërë pikë e vrer, derëziu Toni.

- Përse na ishte mërzitur Toni? Mos ishte mërzitur sepse ata anglezët që mbikqyrnin doganat, nuk e realizuan planin?

- Jo, mo Kaso, jo! Ku e ke mendjen ti, ku e ka mendjen Toni dhe unë! Lëre, lëre se e ka gjetur belaja... - Ç’i ka ndodhur pra? - I kanë dalë llafe që ka shkuar me gruan e shokut.

- Aman, për këtë është mërzitur ai... Mërzitet burri i botës se shkoi me gruan e shokut?

- Po, pra, këtë i thashë edhe unë. Ne si parti madje këtë e kemi si kriter për të ecur përpara.

- Nuk më thoni, zoti Veliaj, ç’bëni këtu pas pemës?

- Po shikoj ata që bëjnë protestë për këndin e lojërave që po bëjmë këtu. - Po pse pas pemës? - Gjërat e mira bëhen fshehtas, ndaj. Unë, fshehtas ia futa edhe Nanos. U hoqa sikur doja të hiqja korrupsionin dhe e hëngri mileti.

- Nuk na thoni, zoti Veliaj: Përse keni vendosur të rrisni taksat për bizneset që kanë zënë hapësirat publike? Ama, të vërtetën...

- Ty, Kaso, të vërtetën të thonë të gjithë, ndaj po ta them edhe unë. Taksat po i rris për të ndihmuar Ramën dhe për fat të keq, Saimir Tahirin.

- Mirë Ramën që e dimë se e keni frikë dhe e ndihmoni, por Saimirin përse doni ta ndihmoni?! Ju me atë jeni rivalë... - Saimirin po e ndihmoj indirekt... - Nuk po ju kuptoj, zoti Veliaj. - Ja, Kaso të ta shpjegoj. Unë taksat i rrita për të shpëtuar Ramën dhe këtë e them botërisht. Kishin dalë llafe që Erioni do t’i marrë partinë Ramës. Besoj, edhe ti e ke dëgjuar këtë. - Këtë e di edhe unë. - Pikërisht, pra, Kaso. Për të mbyllur gojët e liga se unë dua t’i zë vendin Ramës, rrita taksat e zënies së hapësirës. Njerëzit ulen në tavolina jashtë dhe bisedojnë. Jo vetëm që bisedojnë, por i bëjnë bisedat me zë të lartë. Shajnë qeverinë. Thonë e ç’nuk thonë. Kaloi një hërë Rama pranë një lokali që ka tavolina jashtë. Meqë karriget janë larg njëra-tjetrës, se helbete paguajnë pak taksë, njerëzit bërtisnin. Po bërtisnin aq fort sa i dëgjoi zoti Rama që ishte 200 metra larg. E shanin Ramën dhe mua ata. S’linin gjë pa na thënë. - Ç’thoshin? - Ç’nuk thoshin, thuaj! “Ç’lesh janë hapur vende pune, thoshin. Po Veliaj mashtruesi ka lyer ca kazanë dhe na i shet për punë të madhe!”. Ja, kështu, Kaso. Vjen Rama duke qarë tek unë. “Lali Eri, më thotë. Si t’ia bëjmë që të mos dëgjojmë më kritika në rrugë?”. U mendova unë dhe i thashë: “Të rrisim taksën e tavolinave që janë jashtë lokaleve”. - Ia thatë ju këtë ide? - Po sigurisht që unë. Dhe kështu, Kaso. Që njerëzit të mos na kritikojnë në ambiente ta hapura, do t’i detyrojmë të futen brenda në lokale.

- Po edhe aty do t’ju kritikojnë ata, zoti Veliaj...

- E, mo Kaso, nuk e di t’i ç‘ka bërë Sajme Qorri (se kështu i flas unë atij, se e kam konkurrent)! Tani, edhe muret kanë veshë… Kur njerëzit na shajnë brenda në lokal, i kontrollojmë më mirë. Për këtë i thashë Saimir Tahirit të vendosë kamera në lokale. Gati e ka bërë ligjin. Ja, kështu, Kaso. Edhe Ramës ia bëra qejfin, edhe Saimirit... Këtij të fundit ia bëra një të mirë tani, por do t’ia fus në të ardhmen ama.

- Paska qenë e thellë kjo punë, zoti Veliaj!

- Pse, ç’ kujtove ti, Kaso? Gjërat bëhen me një synim politik, në radhë të parë.

Bisedoi me shaka:

KASO KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.