Leonora Jakupi: Kur do të dëgjoni krisma për mua...

Intervista - - MUZIKE -

Atë e duan të gjithë dhe nuk u vë dot faj sepse tek ajo i gjen të gjitha në një: femrën e bukur, por modeste, këngëtaren e talentuar, por pa bujë dhe familjaren e përkushtuar deri në sakrificë. E tillë është shfaqur që në filim dhe e tillë ka mbetur edhe sot, një artiste e vërtetë. Leonora e meriton këtë emërtim, duke qenë se gati 20 vite karrierë të saj ngërthejnë dhjetëra këngë hite, paraqitje dinjitoze e jo më pak edhe çmime. Dhe kur suksesin e kërkon me punë dhe jo me zhurmë, ai di të të qëndrojë besnik për një kohë të gjatë. Për ta vërtetuar këtë, ajo sjell “Pushkë dhe cifteli”, një këngë që thërret për bashkim kombëtar. Ngjan të jetë në vazhdën e këngës legjendë “A vritet pafajësia” kur ajo ishte vetëm 17 vjeçe, por këtë herë triumfuese mbi të kaluarën e dhimbshme, në pozitat e qytetares së shtetit më të ri në botë...

Alma Buci: - Leonora, këtë herë vjen me “artileri të rëndë’, me “Pushkë dhe çifteli”. Si erdhi bashkëpunimi me Goldin?

Leonora Jakupi: - Ka qenë krejt i rastësishëm. Unë kërkova një tekst nga Goldi, por meqë teksti ishte i mirë, mendova të ishte edhe ai pjesë e këtij bashkëpunimi.

- Çfarë përfaqësojnë për ty pushka e çiftelia dhe çfarë ndikimi kanë patur njëra dhe tjera në jetën tënde?

- Ne jemi rrit nëpër luftra, sidomos ne që jetojmë në Kosovë e kemi patur shumë të vështirë. Në gjeneratën time ka patur helme edhe nëpër shkolla. Unë e kam përjetuar kohën e luftës dhe e di se kënga ka qenë një motiv shumë i mirë në kohë lufte e paqeje, kështu që “çiftelia” është ajo kënga… (Buzëqesh)

- Kur i dëgjon fjalët “pushkë” e “çifteli” të përmenden nga një vajzë që vjen nga një e kaluar patriotike, në mendje të vjen Shqipëria e Madhe...

- Ne shqiptarët e Kosovës e kemi kërku gjithmonë Shqipërinë e Madhe, madje kemi thurur edhe shumë këngë e vargje për bashkimin kombëtar. Ne sot e kemi shtetin që e kemi ëndërruar, por në zemrat tona është ende “Shqipëri, o nëna ime”. Le të shpresojmë për një bashkim të trojeve shqiptare në vazhdim.

- E do vëmendjen Leonora, si femër dhe si artiste?

- Çdo femre i pëlqen vëmendja, por kur je artiste, është shumë ndryshe. Atëherë ti shihesh si femër dhe si artiste, jeton si mes dy zjarresh.

- Mendon se ia ke marrë më të mirën karrierës tënde apo ka akoma?

- Një artist, nuk mendon kurrë se ka bërë më të mirën dhe se është në kulminacionin e vet. Gjithmonë është në kërkim të më së mirës dhe unë mendoj njësoj si artistët e tjerë.

- Nëse do të të ishte dhënë mundësia për të lëvizur jashtë ku do të bëje edhe karrierë ndërkombëtare, do ta lije Shqipërinë?

- S’e kam menduar asnjëherë këtë mundësi se nuk kam patur ambicie të tillë. Nëse do të kisha patur, do të kisha bërë një zhanër tjetër. Jam mjaftuar me muzikën shqiptare sepse ajo dëgjohet edhe jashtë trojeve shqiptare.

- U bënë vite në muzikë. Pas kaq kohësh, mendon se ia njeh mirë rregullat këtij biznesi?

- E njoh mjaft mirë. Dikush e quan biznes, por unë nuk do ta quaja biznes se po nuk e pate të brendshme, nuk quhet art.

- Je e ndërgjegjshme për energjinë që përçon në publik?

- Publiku e sheh sinqeritetin te një artist. Me sinqeritet, nuk del nga natyra jote dhe ofron energji pozitive.

- Tanimë, kur vitet i zënë vendin njëri-tjetrit, e shikon ende si të patundur territorin e Leonorës?

- Mendoj se secili këngëtar e ka vendin e vet, pavarësisht vendit e moshës… Unë i dëgjoj akoma këngët e Nexhmije Pagarushës e cila për mua është e pazëvendësueshme.

- Me cilin këngëtar do të ndiheshe e nderuar ta ndaje skenën?

- Ka shumë, por Sabri Fejzullahu është i vetmi që ka një energji të pashtershme.

- Çfarë të bën buzëqeshësh?

- Njerëzit pozitivë të cilët kanë sensin e humorit, serialet komikë gjithashtu…

- Kur të ka ndodhur të qeshësh përmes lotëve?

- S’po më kujtohet valla, për momentin.

- Për çfarë i lutesh më shumë Zotit?

- Për familjen, shëndetin e tyre, timin dhe të njerëzve të mi të dashur.

- Nëse do të të pyesnin për çfarë ke nevojë tani...

- Paqe dhe dashuri mes njerëzve se kjo po mungon shumë kohët e fundit.

- Gjërat që të marrin kohë

të më së shumti?

- Rutina, kujdesi ndaj vetes, detaje të përditshme… Edhe nëse performancat e mia mbarojnë në 4 ose 5 të mëngjesit, unë nuk fle kurrë me grim.

- Vendimi më i vështirë që të është dashur të marrësh?

- Kur e kemi lëshu shtëpinë në kohë të luftës dhe kemi ardh në Shqipëri, pa e dit a do ktheheshim më apo jo.

- Reflekton femrën e fortë, të matur, të sigurt në vetvete... Cila është frika më e madhe që ke?

- S’kam frikë nga asgjë, vetëm nga Zoti.

- Çfarë duhet për të prekur shpirtin e një femre?

- Ndonjëherë mjafton edhe vetëm një lule, por që të jesh i sinqertë me një femër, është gjithçka.

- Shumë njerëz thonë se e kanë ditur gjithnjë se si do të ishte jeta e tyre, e kanë ditur rrugën që do të përshkonin, suksesin që do t’i ndiqte… Ti, ke patur të tillë ndjenjë ndërgjegjësimi që përpara se të ishe Leonora që je tani?

- Po, e kam pas dit. Ndoshta jo deri në këtë masë, por e kam pas njëfarë intuite. Që e vogël e kam dasht gjithmonë muzikën. Kur kam qenë e vogël, hipja në karrige të larta, merrja diçka si mikrofon në dorë dhe improvizoja. Mami ka studiuar Mjekësi, kurse babi Inxhinieri dhe ndonjëherë mendoja se do bëhesha mjeke si mami, ndonjëherë, inxhiniere si babi, por përfundova me ëndrrën e fëmijërisë. (Buzëqesh)

- Çfarë këshille bukurie do t’u jepje vajzave të reja sot?

- Unë nuk jam kundër ndërhyrjeve kur njeriu ka ndonjë të metë të madhe sepse kjo ndikon në psikologjinë e tij, por jam kundër gjërave të ekzagjeruara. Këshilla ime është kujdesi ndaj vetes. Po pate kujdes të veçantë për fytyrën, kurrë mos u mërzit sa vjeçe do të bëhesh. - Në ç’fazë të jetës je tani? - Shumë komode, ndoshta në fazën më të mirë që kam qenë ndonjëherë. Jam gjithmonë mirë kur familja është mirë, ndërsa kur ata s’janë mirë, e humbas.

- Një mundësi e madhe që ke humbur...

- S’po më vjen ndërmend të kem humb diçka të madhe. Nëse s’e kam bërë dot sot, e kam bërë të nesërmen.

- Cili nga njerëzit që ti njeh, sjell muzikë te ti?

- Muzikë për mua këto vitet e fundit sjell mbesa ime e vogël. (Buzëqesh) Edhe nëse ajo qan, mua më duket muzikë.

- Çfarë mendon sot kur dëgjon për histori që mbyllen ende pa nisur mirë?

- Ata kalojnë në imoralitete pastaj, janë njerëz që e dëshirojnë diçka të tillë. Njeriu duhet të mendohet para se ta nisë një lidhje. S’më intereson çfarë bëjnë të tjerët sepse është jeta e tyre, megjithatë kjo nuk është e mirë për shoqërinë.

- Çfarë ke mësuar për veten gjatë këtyre viteve?

- Pavarësisht se dukem shumë e fortë, jam shumë delikate, shumë e ndjeshme, shumë emocionale. E kam Leonorën e fortë brenda vetes, po kur del ajo e buta, e mund të fortën. Njeri i mirë jam... (Qesh) Me rëndësi është mos me ia dasht të keqen askujt.

- Në veri, pushkët kërcasin kur martohet dikush, ose kur lind djalë… Kur do të dëgjojmë “krisma” për ty?

- Ishalla sa më shpejt. Gjërat e mira bëhen ngadalë, pa armë. (Qesh)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.