Ku do të shkosh, Ela?!

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Ela ndihej shumë e lumtur me dashurinë e saj. Artani ishte djalë i mirë, e donte shumë dhe punonte në një autoservis për ta përgatitur sa më të bukur çerdhen e ardhshme të jetës së tij familjare. Kishin rreth gjashtë muaj që ishin njohur dhe ishin dashuruar. Dashuria e tyre ishte shumë e bukur dhe po bëheshin gati të bisedonin me prindërit e tyre që të caktonin ditën e martesës.

Ela rastisi një ditë në një supermarket me vëllain e saj të vogël. Ai pa diku një makinë lodër, e rrëmbeu dhe kërkonte patjetër që Ela t’ia blinte, por asaj nuk i mjaftonin paratë. Ela mundohej ta bindte se do të shkonin në shtëpi e të merrnin paratë e duhura, por vëllai nuk e lëshonte lodrën. Kur Ela tentonte t’ia merrte, ai shtrihej në dysheme dhe bërtiste me të madhe aq sa tërhoqi vëmendjen e atyre që ndod- heshin pranë.

- Pse ia prish qejfin djalit? - i foli një djalë mjaft i mbajtur dhe iu afrua.

- Dua makinën, - tha vëllai i Elës duke e shtrënguar fort.

- Eja, se ta blen xhaxhi, - i tha djali i panjohur dhe ia pagoi.

Ela u ndie e papërgatitur dhe nuk foli asnjë fjalë, ndërsa djali që kishte paguar lodrën e vëllait të saj, dukej shumë i sjellshëm. E mori vëllain e saj përdore derisa shkuan te makina e bukur që ndodhej para supermarketit.

- Na fal, - tha Ela, - por ne do shkojmë në shtëpi.

- Paskeni një vëlla shumë simpatik, - i tha djali. - Po ju çoj unë.

- Ju faleminderit, - tha Ela. - Nuk është nevoja.

- Unë do hipi në makinë, - tha vëllai dhe hyri brenda sapo djali hapi derën.

Ela u afrua te makina luksoze, kapi vëllain e saj për krahu dhe e tërhoqi jashtë, por ai u kap me forcë dhe filloi përsëri të bërtiste me sa fuqi kishte.

- Mos bëni kështu, - tha djali. - Ju çoj unë ku të doni, vetëm mos ia prish qejfin vëllait. Po na turpëroni në mes të rrugës.

Ela u ndie shumë ngushtë. T’ia linte vëllain atij djali të panjohur ishte e pamundur prandaj hipi në makinë dhe orientoi shoferin se ku do të shkonin. Djali u tregua shumë i mirë, i bëri komplimente Elës, e pyeti për emrin dhe i çoi deri atje ku i kërkoi ajo.

- Ju faleminderit! - i tha Ela kur zbritën.

- Mos e thuaj më atë fjalë, - i tha djali duke i shtrirë dorën. - Për mua ishte kënaqësi që ia bëra qejfin një fëmije.

Ela u largua pa e kthyer kokën pas dhe e qëlloi vël- lain e saj sapo arritën në shtëpi, por loja nuk mbaroi këtu. Djali i panjohur sikur i shfaqej rastësisht përpara, e përshëndeste Elën dhe një ditë e ftoi për kafe. Një botë, krejt tjetër nga bota ku jetonte Ela, u hap para saj. Pa e kuptuar ajo filloi ta pëlqente këtë botë dhe ta ëndërronte atë. Filloi t’i shmangej Artanit. Filloi edhe ta harronte dhe ta zëvendësonte me bosin. Djali i ri, që po futej në botën e saj, kishte para pa masë, e dërgonte në lokale moderne dhe i blinte çfarë t’i pëlqente. Kujtoi se fati i zbriti nga qielli dhe rendi si e çmendur në botën e re. Artani e kuptoi se Ela po ndryshonte, iu lut disa herë që të mos e shkatërronte dashurinë e tyre të bukur, u ul në gjunjë para saj, por... Mjerë kush ulet në gjunjë dhe lutet!

Ela tani kishte kaluar në një botë tjetër. Filloi të frekuentonte lokalet më të shtrenjta, të pinte pije alkoolike, të pinte cigare, të vishej tepër moderne dhe të shoqërohej me një qen. Artani nuk ekzistonte më në botën e saj dhe ato qurravitjet e tij e pështirosnin. Ajo i shikonte njerëzit si milingona dhe ishte e gatshme edhe t’i shkelte me këmbë. I vinte keq që nuk e kishte njohur me kohë bosin dhe që kishte dashuruar atë pabuksin që e kishte emrin Artan.

Por... Një ditë, bosi kishte dërguar dy shokë atje ku e priste gjithmonë. Ata i thanë se bosi nuk ishte mirë dhe kishte dërguar ata që ta merrnin. U merakos për shëndetin e bosit dhe shkoi me shokët e tij. Për çudi, bosi nuk ishte aty ku e dërguan ata.

- Ku është ai? - pyeti Ela, e merakosur se mos ishte sëmurë.

- Ka shkuar në Angli, - i tha njëri prej tyre.

- Si ka mundësi?! - foli Ela e habitur. - Pse nuk më paska thënë mua?

- Mos u mërzit, bukuroshe. Bosi na ka porositur që të kujdesemi ne për ty. Do të ta bëjmë qejfin më tepër sepse ne jemi dy.

E mbajtën Elën për dy ditë të mbyllur brenda duke e shfrytëzuar me të gjitha mënyrat. Në fillim i propozuan me fjalë të mira që ta dërgonin edhe atë në Angli dhe pastaj i bënë presion se do të hakmerreshin edhe duke i marrë vëllanë e vogël nëse bënte zhurmë. Lumturia e pafundme e kishte dërguar buzë një gremine të pafundme.

Ela! Ecte kot nëpër errësirën e thellë të natës. E vetmuar, e braktisur dhe e shkatërruar. Drita e cigares së ndezur griste terrin që e rrethonte, ndërsa qeni i kishte mbetur i vetmi mik në botë. Ku vallë mund të shkonte?!

Hysen Kica

Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online që ditën e daljes në treg, vetëm për 89 cent në: http://www.pressreader.com/albania/intervista

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.