Letra për psikologun Babai im nuk durohet! Ç’të bëj me të?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar Doktor Demiri, jam një 27 vjeçare, vajzë e vetme dhe jetoj me të dy prindërit. Problemi im është se për fat të keq, kam një baba shumë egoist që nuk ka menduar kurrë për nënën time. Ai jetoi 20 vjet në emigrim dhe vinte sikur ishte djali i shtëpisë e jo si baba. Për nënën ka pasur gjithmonë përçmim. Tani është kthyer pa kokërr leku nga emigrimi dhe e keqja është që nuk përfitoi as pension dhe pret që ta mbajmë ne. Ne punojmë të dyja plot sakrifica dhe nuk ia dalim dot. Ndoshta tingëllon pak ashpër, por ajo që më shqetëson më shumë është që ai nuk mendon se unë lodhem gjithë ditën në punë e kthehem në 6, nuk kam kohë për veten time. Nuk kam kohë të njoh një njeri për të lidhur jetën se jam gjithë ditën në punë dhe kur kthehem, laj, shpëlaj, gatuaj dhe ajo që marr si përgjigje është: “nuk gjej asgjë për të ngrënë”. Gjithmonë ha ushqimin tonë, pa pyetur se ç’do hamë ne. Thotë: “E hëngra se, po të jem unë mirë, do jesh edhe ti”. Fillova të fshihja pjatën e gjellës për të nesërmen kur u ktheva nga puna, se nuk gjeja gjë për të ngrënë. Këto janë detaje shumë banale, që mua më vjen zor t’i diskutoj, por këto janë mundësitë tona, doktor. Unë dhe mami punojmë gjithë ditën për një copë bukë dhe nuk kemi bukë të hamë në shtëpi! Jemi vërtet në hall se babai ha, pi, rri, bën rrëmujë sikur i bën kastile, sillet si një fëmijë i llastuar. Si i vete halli doktor, se nuk kalohet jeta kështu? Jam munduar të flas me të, por më jep të drejtë e pastaj vepron siç e ka zakon. Është shumë kokëfortë dhe nuk dëgjon njeri për asgjë. Si do ta quanit ju këtë prind? Ajo çka më bën konfuze është se gjendem para një situate ku fëmija e do prindin si gjënë më të çmuar që ka, por njëkohësisht, sfilitet për ta mbajtur atë dhe prindi tregohet egoist në maksimum. Edhe të iki më vjen keq, se s’dua ta lë nënën vetëm. Ai sillet shumë keq dhe ajo është e shkatërruar psikologjikisht, ndaj shfryn tek unë. Çfarë këshille më jepni ju në lidhje me qëndrimin që duhet të mbaj? Jam vërtet keq. Për më tepër, vuaj edhe nga një sëmundje kronike e tiroides që acarohet nga stresi dhe ndihem kret e pashpresë për t’i dhënë drejtim jetës sime. Në pritje të një përgjigjeje nga ana juaj, ju uroj gjithë të mirat.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - E nderuara 27 vjeçare, tani që po e shkruaj përgjigjen tënde, gjendem në Parma të Italisë, pasi po bashkëpunoj me një specialist hipnoterapeut në Milano. Ia tregova letrën tënde profesorit italian dhe më tha: “Mjerë ai njeri i cili nuk paska qenë në gjendje të jetojë siç i ka hije burrit (fjalën burrit e vlerësojnë edhe këtu). Ky jetoka si ndonjë kacavjerrës, a i keni parë kacavjerrësit që mbërthejnë pemët e tjera dhe vetë harlisen për bukuri mbi ta? Këtu në Itali punojnë edhe pensionistët, deri duke kërkuar e gjetur punë vullnetare, pasi çdo pensionisti i bën mirë jeta aktive me nga 3-4 orë punë në ditë ose më tepër dhe sepse çdo njeriu i bën shumë keq jeta sedentare ose parazitare”, edhe pse pensionisti këtu e merr pensionin më të lartë se ç’marr unë profesori në Shqipëri. Ia përmenda profesorit dy thënie popullore shqiptare dhe pasi qeshi, hapi bllokun dhe i mbajti shënim: “kush s’punon dheut i rëndon” dhe “burri në shtëpi si kërcu i zi”. “Ka edhe më keq, i thashë: “burri në shtëpi si por... nëpër brekë”, sidomos kur gruaja bën punët e shtëpisë”... Italiani qeshi dhe tha: “Mama mia, edhe pse jam 67 vjeç, më bëre të punoj edhe nja 30 vite të tjera!”. Pastaj letrën tënde e lexoi ime shoqe, një grua aktive e shumë punëtore, energjike dhe e gjallë, që i “fluturojnë” punët nëpër duar siç thuhet për të dhe që dembelët i ka alergji...Ajo tha: “Më vjen keq për këtë gocen, por jo për nënën e saj, se ajo ia ka toleruar vetë të shoqit këto sjellje, e ka lënë që të degradojë, s’i ka kërkuar llogari, ndërkohë që edhe bleta i nxjerr meshkuj nga kosherja vetëm sepse nuk punojnë, por hanë mjaltin edhe në verë”. Gruaja ime i thotë mamit tënd se vargjet e një kënge popullore thonë: “dilja vetë e thuaja vetë si e ke mësuar...”. Tani, le të të them edhe me fjalët e mia, e nderuara vajzë, sepse ndoshta për ato ke më shumë nevojë. Je në moshën që duhet të ndërtosh të ardhmen tënde, jetën tënde dhe të mos mbetesh “peng” i askujt. Sado që prindërit të dhimbsen shumë, sidomos nëna, ndaje mendjen e thuaju: “Si i bëfshi, gjetshi, si shtrofshi, fjetshi!”. Kurseji lekët, ndiq ndonjë profesion apo shkollë të lartë, bëhu sa më e suksesshme sepse kjo i bën “princërit e kaltër” të të ulen ty në gjunjë, gjej shpirtin tënd binjak dhe lëri të “rrokullisen” ata të dy me njëritjetrin, pasi edhe nëna e ngarkuar nga ai, nuk ka përse të zbrazet te ti siç thua ti që “sa herë ai sillet keq me të, ajo shfryn tek unë”. Ti paske dialoguar me babain, por pa rezultat. Atëherë, çfarë pret? Unë di një vajzë të vetme, si ti, e cila vetëm se nuk e arriti mirëkuptimin e duhur, doli në një shtëpi me qira, punoi shumë me dy punë, ngriti një biznes të vogël dhe sot ka një shtëpi të sajën, përveç asaj të prindërve.

- Pra, kjo vajzë, për shkak të babait pijanec e xheloz, në pamundësi për ta bindur nënën që ta braktiste të shoqin, iku nga shtëpia me një valixhe në dorë e me macen me vete dhe sot jeton si “konteshë”, edhe pse për pak vite u lodh shumë e jetoi vetëm me macen. Të paktën gjeti rehat sepse ulërimat e babait pijanec egoist e kryeneç, nuk i dëgjonte dot më. Kjo vajzë më ka thënë se inati është i “ëmbël”, pra, vetëm me inat mund të mbijetonte. Mjerë ato vajza që martohen vetëm se duan të ikin nga shtëpia, pra, e marrin burrin “derr në thes”. Ajo e ka lidhur miqësinë me një djalë shumë të mirë ekonomist i lartë, që punon te firma e saj dhe po mendon për fejesë, por sidoqoftë nuk ngutet, edhe pse kandidatët për martesë janë shtuar shumë dhe ajo po mbush 30 vjeçe. Kur ka ardhur tek unë para ca vitesh, ajo vuante nga ankthi, stresi e pagjumësia, i ishin prishur të gjithë ekuilibrat dhe kishte filluar cigaren. Jeta e saj ndryshoi aq shumë brenda 7 vitesh dhe për mua sot ajo është një personalitet me vlera. Nënën e taktonte, por nuk e lejonte t’i qahej, babain e fuste në shtëpi. Ndodhi që nëna me babain ashtu si tenxherja me kapakun “rrokullisen” dhe gjejnë njëratjetrën, u ujdisën e ranë disi në qetësi sepse siç thonë, “nuk kishim se ku ta çonin njëritjetrin”. Atëherë kjo vajzë i solli ata për trajtim psikologjik dhe me terapi të ëmbël e seanca psikoterapike, jeta e tyre nga keqpërshtatje, kaloi në një mirëpështatje që e meritoi notën 8. Pra, jo pak, edhe pse kjo vajzë thotë se vetëm kur ata të meritojnë notën 10, do të kenë të drejtën që të jetojnë te shtëpia e saj, pra, ta meritojnë mbajtjen, përndryshe u thotë ajo “drejtojuni azilit, pasi askush, kushdoqoftë ai, s’ka të drejtë të prishë jetën e tjetrit dhe e dyta, për të të lënë rehat, është e drejta më universale botërore”. Kur unë e pyeta këtë vajzë me pak provokim se “mos ti po sillesh me intolerancë ndaj prindërve, pra, duhet të jesh pak më pranuese e fleksibël, pasi ata vetëm ty të kanë dritën e syrit”, ajo më dha një përgjigje interesante: “dhembshuria është këshilltar i keq, kurse ndëshkimi është edukim! Po të më donin aq shumë, ata nuk do të më mbingarkonin e të më mbilodhnin duke më vënë në rolin e “gjykatëses” midis tyre e duke më përdorur si gropë zbrazjeje. Unë i pata paralajmëruar dhe bëra zgjedhjen që të gjithë, edhe tezet e dajat ma quajtën të gabuar, por ata sot e shohin se unë dola më e fortë dhe ata, më të fituar. Pra, të gjithë dolëm më të fituar sepse siç thuhet, ajo që s’të vret, të bën edhe më të fortë”...

Të them të drejtën, më ka çuditur kjo vajzë e sa herë që pi kafe me këtë yll, ndiej admirim e respekt për të dhe them me vete: “Si lum ai që do të martohet me të!”. Një djali që e kërkonte për fejesë (shumë i bukur ai), ajo i vuri vizën vetëm sepse ai e vlerësonteshumëvirgjërinëfiziologjike të femrës, pra, e quante “vlerë” himenin (cipen e virgjërisë) dhe një tjetri po ashtu, vetëm sepse interesimi i tij u bë i më i madh e gati servilosës kur mori vesh se ajo kishte një apartament të sajin, pra, nuk kishte për të gëzim më të madh sesa kur e shihte këtë si “nuse me pajë”. Dhe e pa “me dylbi”! Ndoshta u zgjata pak duke të treguar për të tjerat, por fola për një shembull të bukur që e njoh vetë, i cili do të duhet edhe për shumë vajza të tjera ose për ata fëmijë, prindërit e të cilëve keqpërdorin të drejtat prindërore dhe u bëhen barrë fëmijëve më shumë nga qejfi sesa nga halli. Unë njoh djalin e një ish-kolegut tim i cili ishte deputet, por që nënën e çoi në azil sepse nuk i gjendej karari, ishte e pabindur dhe shumë grindavece, sidomos pasi i vdiq i shoqi. Edhe azili mund të jetë një zgjidhje e mirë për babain tënd. Në një takim ose bisedë telefonike, dua të të bëj nja 10 pyetje që të të jap një përgjigje më të plotë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.