Asan Sinani: Si e arrita suksesin në Belgjikë!

Intervista - - MUZIKE -

- Asan, mbiemri yt është Sinani apo Shkupi?

- (Buzëqesh) Unë quhem Asan Sinani dhe vij nga Shkupi, por prej shumë vitesh, jetoj e punoj në Belgjikë. Këtu në Belgjikë më njohin me emrin Asan Shkupi, për shkak të vendlindjes. Kam disa lokale këtu në Bruksel, ku më të veçantët janë ata që kanë më shumë emër në Belgjikë e jashtë saj, “VIP” dhe VILLA LOCA”.

- Më 17 shkurt, për nder të pavarësisë së Kosovës, ju organizuat një koncert madhështor në Belgjikë. Çfarë mund të na thoni rreth këtij eventi, kush ishte i ftuar dhe si doli koncerti?

- Kjo mega mbrëmje e 17 shkurtit ishte vetëm njëra ndër shumë mbrë mje të tjera që kam organizuar dhe të them të drejtën, në çdo organizim timin kam patur 2000 deri në 3000 persona. Mbrëmjen e fundit kam pasur të ftuar artistë nga të gjitha trevat dhe nga të gjitha zhanret e muzikës, kam pasur të ftuar yje të artit shqiptar duke filluar nga moderatori më i mirë shqiptar Labi, këngëtarët Sinan Hoxha, Shkurte Gashi, Ledri, Dafina, Mc Beka e shumë të tjerë. Koncerti i 17 shkurtit të këtij viti ishte një sukses i vërtetë!

- A ndiheni i vlerësuar në punën që bëni?

- Unë jam ndër të parët që kam filluar të merrem me organizim mbrëmjesh në Belgjikë dhe e njoh mirë këtë punë. Përpiqem të jem shumë komunikues me publikun dhe gjithmonë jam munduar të sjell personazhet më të dashura dhe të preferuarit për ta. Këtu, në organizimin e mbrëmjeve, gjithçka ka të bëjë me besimin. Publiku tashmë ka arritur të vlerësojë punën time dhe ka parë që mbrëmjet që organizoj janë të një niveli shumë të lartë. Nga mbrëmjet që kam organizuar nuk mund të veçoj asnjërën, sepse deri më sot, të gjitha kanë qenë të suksesshme.

- Ka ndonjë recetë që duhet të ndiqet, që një koncert të dalë me sukses?

- Unë mendoj se receta apo sekreti i realizimit të një mbrëmjeje është përdorimi i duhur i ideve dhe i mendjes. Më besoni, nuk është e lehtë të bësh përzgjedhjen e duhur të stafit.

- Si i gjykon koncertet nëse do të dalin apo jo me sukses?

- Unë gjithmonë kam projekte në mendje, por asnjëherë nuk i tregoj, derisa të jem 100% i sigurtë dhe i përgatitur në atë që kam ndërmend të bëj. Prandaj, gjithmonë kam sukses.

- Cili është synimi i një koncerti si ai që realizon ti?

- Synimi është kënaqësia e artistëve dhe e publikut, falënderimi i tyre.

- Cilat janë mënyrat më efikase për të tërhequr publikun?

- Përzgjedhja e qëlluar e artistëve që do të jenë në mbrëmje. Unë e prek publikun duke ua lexuar mendjen dhe dëshirën që kanë, duke e kuptuar se kush mund të jenë të preferuarit e tyre dhe, kam arritur të lexoj mirë deri tani. (Buzëqesh)

- E ke menduar me se do të merreshe nëse nuk do të bëje punën që bën?

- Duke qenë se unë kam lokalet e mia në pronësi, do të isha marrë me ato, pa organizuar mbrëmje. Gjithmonë kam qenë i mendimit se gjërat ndodhin për një arsye, kështu që edhe kjo që bëj unë e ka një arsye: të gëzoj publikun me mbrëmje të bukura!

- Në Belgjikë, ka edhe organizatorë të tjerë evenimentesh të tilla. E ndjen konkurrencën?

- Nuk e shikoj veten të konkurrueshëm, sepse vetë puna ime dhe arritjet e tregojnë një gjë të tillë.

- Sipas teje, kush ecën mirë në karrierë?

- Nuk mund të them se kush ecën mirë në karrierë, por mund të flas për veten sepse njeriu niset nga vetja dhe veten unë e shikoj në nivelin më të lartë të organizatorëve të mbrëmjeve dhe koncerteve.

- … po realisht, kush del më i fituar nga gjithë këto arritje?

- Kam përshtypjen që më së shumti fiton publiku sepse kënaqësia është mbi të gjitha.

- Cila është mënyra më e mirë e promovimit për një artist?

- Mënyra më e mirë e promovimit të një artisti është nëse i jepet mundësia të gjendet para një publiku të madh dhe të japë maksimumin e tij.

- Ju keni vite në Belgjikë. A ndjeni ndonjë ndryshim nga vendlindja?

- Po, është e vërtetë që unë kam shumë vite në Belgjikë dhe mund të them që Shkupi dhe Brukseli janë dy qytete që nuk i ndaj dot, te të dy gjej kënaqësi shpirtërore dhe kjo ka shumë rëndësi për mua.

- Ke ndonjë mesazh apo ndonjë urim në përfundim të kësaj interviste?

- Intervistën do ta mbyllim me urimin më të mirë për popullin tim: Ju uroj shëndet, rehati në familjet e tyre, i them që të kenë besimin e duhur tek unë dhe unë do të mundohem që gjithmonë t’ju sjell kënaqësi me shumë surpriza. Ju dua, populli im!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.