Vrava një njeri, shkatërrova jetën time, prisha dasmën e vëllait

Intervista - - FAQE 1 -

E nderuar redaksi! Me djeg malli për familjen time, për fëmijët e vëllait dhe më vjen turp për egoizmin tim. E vetmja gjë që më ngushëllon është se në atë kohë unë isha shtatëmbëdhjetë vjeç. Qysh nga viti 1996 e deri më sot kam patur vitet e mia të ferrit si dhe vite të bukura, por asnjëherë ditë shumë të lumtura, sepse më mungon tmerrësisht familja ime dhe kjo, për fajin tim.

Kam lindur dhe jam rritur në një fshat të Korçës. Jami katër vëllezër e kemi një motër. Mamaja ime është nga veriu, por kur ka qenë në Shkollën Pedagogjike, është njohur me babanë tim dhe ata janë martuar sapo kanë mbaruar shkollën. Pavarësisht ndryshimeve që kishin në mënyrën e jetesës ata ia kanë kaluar mirë jo vetëm së bashku, por edhe me pjesën tjetër të të afërmve. Mamaja ime flet sikur të ketë lindur e të jetë rritur në Korçë e jo sikur është bërë tetëmbëdhjetë vjeçe në një fshat të veriut. Gjyshërit kanë jetuar me prindërit e mi dhe e mbaj mend që gjithmonë kam fjetur në krahët e gjyshit tim. Motrat e vëllezërit i zinte gjumi në krahët e gjyshes e pastaj i çonin në krevatet e tyre, ndërsa unë zgjohesha në momentin që më ngrinin për të më ndërruar vend. Mbaj mend që gjyshi përpiqej të mbante të qeshurën. Më në fund, dorëzohej ndërsa qeshte, më merrte në gji e me këndonte “Qingji i vogël”. Këto kujtime të mrekullueshme i kam kaluar aq shumë në mendjen time në ditët e zbehta e pa jetë që kam jetuar në burg!

Vëllai i madh vazhdoi shkollën për Ekonomik dhe mbaroi shkëlqyeshëm. Pasi punoi disa vite në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, pas rrëmujave të 1997-ës vendosi të emigronte. Ai iku me bashkëshorten e fëmijët e tij e sot janë të sistemuar në Kanada. Vëllai i dytë punoi në Greqi për dhjetë vite rresht. Kur ai mbushi njëzet e tetë vjeç, i tha babait të mendonte t’i gjente ndonjë çupë, që kur të kthehej nga Greqia, ta shihte vetë. Dhe sigurisht, prindërit u hodhën në sulm për të kërkuar nuse.

Ndërkohë, motra ime që ishte e katërta ndër ne, u dashurua kur ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme. Djali me të cilin ajo u martua jetonte në fshatin tonë. Ata u fejuan e ndenjën dy vite të fejuar. Sapo motra u martua, ikën me banim në qytetin e Durrësit sepse dhëndrri kishte blerë një shtëpi në qytet dhe kishte filluar edhe punë.

Vëllain e tretë e ndihmoi dhëndrri që të ikte në Itali. Atje u lidh me kushërinjtë tanë që jetonin prej vitesh dhe ata e ndihmuan të fillonte punë e të bënte dokumentet. Sot ai jeton me gruan e dy fëmijët në Itali. Jemi shpërndarë të pestë fëmijët nga njëri cep i botës në tjetrin dhe i vetmi që mbeti në shtëpi isha unë, më i vogli. Unë vazhdoja shkollën e mesme tashmë si më i përkëdheluri si nga prindërit, ashtu edhe nga gjyshi e gjyshja. Në shtëpi ishim goxha mirë, sepse prindërit ishin të dy në punë, vëllai që ishte në Tiranë kish- te rrogë goxha të mirë e na ndihmonte. Pastaj në ato vite ishin një vrull ndryshimet për mirë për të gjithë. Vëllai nga Greqia sillte jo vetëm para, por edhe ç’t’i shihte syri gjëra që mund të përdoreshin në shtëpi. Isha djali më i veshur jo vetëm në fshatin tim, por ngado që shkoja, isha i kapardisur. Në shkollë mësoja, por jo sa vëllai i madh. Sapo mbarova gjimnazin, vëllai erdhi nga Greqia dhe nga “kandidatet për nuse” që i kishte gjetur babai, njëra i mbeti në mendje. E takoi dy herë atë pranverë kur erdhi dhe iku se ai vetëm tre javë leje kishte, por çupa i kishte mbetur në mendje dhe ai mori leje sërish e erdhi në verë. Këtë radhë kishte marrë leje pak më gjatë e mbeti më shumë në rrugën e shtëpisë së vajzës sesa në shtëpinë tonë. Para se të ikte, ai vendosi që të lidhnin jetën bashkë. Kështu, prindërit shkuan i kërkuan dorën dhe pas nja dy muajsh, morëm vëllain në telefon dhe i thamë që edhe prindërit e çupës ishin darkod. Sigurisht, i dashuruari erdhi brenda javës.

U bë fejesa e vëllait, një drekë e mahnitshme në shtëpinë e çupës që dukej si zanë mali, aq e bukur dhe elegante ishte. Shndrinte e tëra. Çdo mashkull mund ta quajë një vajzë të tillë vajzën e ëndrrave të tij. Nusja ishte vajzë e mençur, jo thjesht e bukur. Im vëlla duroi edhe pesë muaj në Greqi pasi u fejua dhe pastaj vendosi të kthehej përfundimisht, pasi e shoqja nuk pranonte që të shkonte të jetonte me të në Greqi.

Dhe kështu, im vëlla u kthye në Shqipëri. Vëllai i nuses punonte në Tiranë, ishte person me rëndësi në një dikaster dhe e ndihmoi edhe tim vëlla që të fillonte punë. Im vëlla me paratë që kishte fituar në Greqi bleu një shtëpi në Tiranë. Pas një viti fejese, ai vendosi të martohej dhe datën e dasmës e ndanë në varësi të ardhjes së emigrantëve me pushime, pra, në muajin gusht.

Në shtëpinë tonë filloi muzika tri javë para dasme. Kushërinjtë e ardhur nga Greqia e Italia mblidheshin çdo natë në oborrin tonë e vallja e kënga vazhdonin deri pas mesnate çdo natë. Jo vetëm kërcehej e këndohej, por edhe pihej. Unë, si më karagjozi që isha, më i vogli e më i llastuari, u deha dy apo tri herë. Një natë, gjyshi më bëri për një lek dhe javën e dytë të muzikës ndenja urtë, vetëm kërceva e këndova për tim vëlla, por një natë më erdhi edhe një shok i shkollës që kish ardhur nga Greqia dhe mua më kapi dalldia. Në dalldi e sipër piva aq shumë sa jo vetëm që s’kuptoja në ato çaste, por edhe sot e kësaj dite nuk më kujtohet asgjë.

Më vonë më kanë treguar se ashtu të pirë, bashkë me shokun tim, jemi larguar në drejtim të shtëpisë së shokut. Unë kam ikur me sebepin e përcjelljes së shokut, por rrugës nuk e di se si jemi ngatërruar e jemi zënë me një tjetër bashkëmoshatar. Në zënie e sipër se si dreqin kam patur fuqi nuk e di, por e kam qëlluar aq shumë atë tjetrin sa ai vdiq. Të shkretin djalë njëzet e tre vjeç e përpiu varri vetëm pse unë desha të pija! Aty kishim fjetur në mes të rrugës bashkë me shokun tim, derisa dikush na ka gjetur në rrugë e kish lajmëruar policinë. Të nesërmen, ... (Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.