Arben Ristani: Përse e kërcënova gazetarin…

Intervista - - AKTUALITET -

Zotin Ristani e gjeta teksa po dilte nga një lokal, pranë selisë së PDsë. Iu afrova dhe e ftova të uleshim të dy së bashku. Kamerieri erdhi brenda sekondës, siç vijnë përherë. Porosita dy makiato dhe filluam bisedën e mëposhtme: Arben Ristani: - Që je djalë legen, je! Mirë që më fton, po porosit edhe makiato pale! Përse nuk ma shtrove tavolinën? E di atë ti? Kaso Kosa: - Cilën? - Atë që, kush vjen pa ftuar, e gjen pa shtruar. - Po, e di… - Ti, a më ftove? - Po, ju ftova… - Atëherë, përderisa më ke ftuar, përse nuk ma ke shtruar? Ëëë?! Burrash, të mos e përsërisësh më këtë gabim. Lashë takimin me Lul Bashën, vetëm e vetëm që të vija në tavolinë me ty.

- Po lini pa takuar zotin Basha, për mua?!

- Sigurisht! Eeeeeuuuu sa herë e lë të më presë mua ai. Kam angazhime të tjera më të rëndësishme se ato partiake. Unë jam kokë në parti. E meqë përmende kokën. A porosisim ndonjë kokë të pjekur?

- Zoti Ristani?! Unë s’jua përmenda fare kokën. Ishit ju që e përmendët. Leqë nuk e honeps fare, se ka dhjamë…

- Epo, gazetar që s’ha kokë të pjekur, vetëm ty kam parë. Për kokë të kokës së pjekur, sikur të haje kokë të pjekur, do t’ia kalonim mirë bashkë.

- Në fakt, unë ju ftova që të bisedonim rreth çështjes së kërcënimit që i bëtë një gazetari. Konkretisht, zotit Çika. Nuk më thoni: Përse e kërcënuat? Ai është edhe i djathtë…

- Meqë më kujtove djathin, Kaso, a marrim një djathë tepelene dhe e hamë? Apo nuk shkon me rakinë ai! E bëjnë mirë ata të zonës, me thënë të vërtetën. E qajnë fare, e qajnë.

- Zoti Ristani, flasim njëherë për çështjet e brendshme që na interesojnë...

- Meqë më kujtove të brendshmet: Na porosit ca të brendshme qengji!

- Çfarë të brendshmesh thoni, zoti Ristani? Ky lokal është vetëm për të pirë. Leqë mua bëjnë keq të skuqurat...

- Epo, njeri që s’ha të brendshme vetëm ty kam parë.

- E di, e di! Në poli

tikë

i preferoni të brendshmet, se hani brenda llojit. Nejse, i lëmë të brendshmet, por më thoni, ju lutem: Përse e kërcënuat gazetarin? Të kërcënonit ndonjë tjetër, hajde de, por ai është edhe i djathtë denbabadem.

- Pikërisht ndaj e kërcënova, se është i djathtë.

- Nuk ju kuptoj. Ju lutem, jini më konkret!

- E mirë, marrim konjak, meqë thua ti, Kaso. Konjak dhe ca kikirikë me kripë. Del një kombinim që të lëpish gishtat. Konjakun dhe kikirikët paguaji ti, kripën e vë unë. Që ta dish ti: Unë dal përherë me kripë me vete. E mbaj në xhep. Gjithë dynjaja mbajnë sheqer në xhep që t’u eci mbarë, unë mbaj kripë. Ka lezetin e vet me konjakun, ajo e shkretë kripë…

- Thashë kon-kret, jo kon-jak.

- Paska pije të quajtur “konkret” dhe nuk e ditkam?! Ky është një turp për mua, Kaso. Kur paska dalë kjo pije me këtë emër? Unë jam edhe Sekretar i Përgjithshëm i PD-së. E di ti përse më kanë vënë sekretar?

- Jo, zoti Ristani, nuk e di. Në fakt, e di: Ju kanë vënë se i dhatë fitoren në zgjedhjet vendore zotit Basha.

- Po Kaso, po, gjithë dynjaja kështu e di, por unë po ta them vetëm ty. Sekretar, që ta dish ti, më caktoi vetë zoti Berisha.

- Atë e di unë, se kush cakton, po përse iu caktoi juve dhe jo ndonjë tjetër?

- Më ftoi Saliu mua në zyrë dhe më tha: “Ty, Beni, kam vendosur të të bëj Sek- retar të Përgjithshëm të Partisë. Kam besimin dhe bindjen që ti e bën më mirë se të tjerët”. “Faleminderit zoti Berisha, i thashë unë. Po përse menduat për mua?”.

- Pikërisht këtë pyetje do të bëja edhe unë tani. Përse juve?

- Po duro, o Kaso shtataniku, duro! Shiko ç’më tha zoti Berisha: “Partia jonë është katandisur në atë fazë që i merren këmbët, më tha. Dukemi si parti që ka pirë. Kështu, ty Beni, meqë i njeh mirë si fenomene sekretet e përgjithshme të pijes, do të të bëj “Sekret-ar të Përgjithshëm”.

- Uuuueeee, tani e kuptova unë. Domethënë, meqë fjala “sekretar”, vjen nga fjala “sekret”, zoti Berisha ju bëri juve, Sekretar. Është i madh zoti Berisha, për Zotin!

- I madh është posi, ndaj ka zgjedhur një njeri të madh si unë.

- Zoti Ristani! Më mbeti pa marrë përgjigje për pyetjen: Përse e kërcënuat gazetarin e njohur Çika? Ai është sagllam i djathtë, siç edhe thashë qëparë.

- Po ndaj e kërcënova, Kaso. Po më shikonte në tavolinë. Më dukej sikur më thoshte: “Mbete lokaleve duke ngrënë e pirë. Ik bëj ndonjë punë partie!”. Aty unë u nxeha shumë. U çova dhe i thashë: Unë të grij, dëgjon apo jo?! Në të djathët jetojmë për qejfe dhe jo për ideal, si të majtët. Po s’e mbushëm stomakun dëng, ç’të djathtë leshi jemi?! - Kështu i thatë? - Ore, meqë ra llafi te “thatë”. Po ma lë bisedën thatë ti mua. Nuk ka lezet kështu…

- Jua jap ditë tjetër zoti Ristani, ju premtoj.

- Herën tjetër atëherë do më japësh 11 birra. - Përse 11? - Më ka mbetur zakon. Përherë gjërave u shtoj dhjetë... Dhe ja ku po ta them, Kaso; Nëse kjo qeveri do bjerë një ditë, pas 11 vjetësh, atë nuk do ta hedhë opozita që s’mban dot ushkuret e veta. Do ta hedhin dy personazhet e “Portokallisë”: Ajo e gjora nënë qe shet majdanoz dhe ajo drejtoresha që do “mitraloz”... Bisedoi me shaka :

Kaso Kosa

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.