Armend Sherifi: Kur bukuria është në nivelin e duhur...

Intervista - - MUZIKE -

Prishtinaliu Armend Sherifi është një këngëtar shumë i mirë, gjë që nuk e them unë, por sukseset e tij, këngët që ka në treg, por edhe albumi “I verbër pa ty”. Armendi është cilësuar si një këngëtar i kërkuar dhe i privilegjuar në stilin e tij. Ambiciet e tij për të ardhmen përfshijnë klipe të reja, albume dhe një udhëtim në Nju Jork, ku ka plan të shpalosë edhe talentin e tij. Suksese Armend!

Fabjola Kuburi: - Do na tregosh pak se kush është Armend Sherifi?

Armend Sherifi: - Përshëndetje. E nisëm me pyetjen më të mprehtë, prezantimi i vetvetes! Unë jam një djalë i ri prishtinali, që zemrën, shpirtin dhe zërin ia kam dedikuar muzikës së mirëfilltë moderne, veçanërisht, muzikës live.

- Cila është rruga që për- shkove për te muzika?

- Ka qenë një mori planesh e kontributesh që nga koha kur isha nxënës në fillore e që më pas rezultuan në të kënduarin ambicioz në vitin 2008. Në vitin 2010 realizova këngën time të parë, “Lutjet e Natës”. Të gjitha këto kanë qenë impuls i fortë për t’u cilësuar një këngëtar i privilegjuar e me talent në stilin tim.

- Na trego diçka rreth klipit tënd më të ri. Di që ke edhe një album në treg, apo gaboj?

- Po, unë tashmë kam realizuar një album me këngët e mia i cili vazhdon të “vërdalliset” nëpër duart e fansave të mi. Specifika e tij është këndimi krejtësisht live dhe i përshtatur me kohën. Albumi u lançua në vitin 2014 dhe titullohet “I verbër pa ty”.

- Po sa i përket klipit tënd të fundit...

- Klipi im i fundit është një realizim ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim sepse ngërthen në vete një skenar të pastër, të mirërealizuar dhe të përshtatur me këngën. Klipin e kam realizuar me shumë vullnet dhe përkushtim, duke mos harruar përkrahjen e pakursyer të bashkëpunëtorëve të mi. Të gjithë e kemi ndërtuar së bashku atë histori të bukur që paraqitet aty. Kemi shpresuar për sukses, sepse çdo gjë është gërshetuar mirë për t’iu servirur këndshëm dëgjuesit, shikuesit dhe komentuesit të këngëve të mia.

- Sa të suksesshëm e quan veten?

- Dëshira për sukses është e pamatshme dhe ne, si krijues të këngës, jemi gjithmonë në kërkim të sukseseve të mëtejshme. Kurrsesi nuk dua ta kënaq veten me pak, kur ndjekësit e mi kërkojnë vazhdim të asaj që unë realizoj.

- Sa e bukur dhe sa e vështirë është muzika?

- Unë konsideroj të bukur çdo gjë të paraqitur mirë dhe me mesazh të qartë e elegant. Kur bukuria është në nivelin e duhur, asgjë nuk mbetet e vështirë.

- Ka ndonjë mënyrë për të arritur shpejt sukses?

- Unë besoj thellësisht që këmbëngulja rreth një qëllimi është rruga më frytdhënëse për arritjen e nivelit të ëndërruar në profesion. Mirëpo, rruga që ndjekim pas arritjes së këtij niveli, kërkon më tepër përgjegjësi.

- Sa i sigurt ndihesh në vetvete?

- Këmbëngulja në arritjen e qëllimeve, më ka bërë të suksesshëm dhe të kem siguri në vendimet që marr e në atë çfarë bëj.

- Sa i ndjek trendet muzikore?

- Mundohem të jem i mirëinformuar përgjithësisht në ecurinë muzikore dhe artistike, mirëpo në këtë kohë dinamike jo gjithçka kalon në bagazhin e njohurive të mia.

- Cila është gjëja e parë që të vjen në mendje sapo hap sytë në mëngjes?

- Rutina ime mëngjesore është e lidhur fort me planet që më sillen nëpër kokë për ditën vijuese, prandaj mundohem të jem i relaksuar dhe energjik për ta filluar ditën mbarë. Gjëja e parë që bëj është të falënderoj Zotin për ditën e re që nis. - Sa e pëlqen jetën e natës? - Jeta e natës më jep argëtim dhe energji pranë shoqërisë, mirëpo nuk preferoj që shumë netë t’i kaloj jashtë. Kam kontroll në raport me jetën e natës.

- Sa i shpërblyer ndihesh në planin profesional dhe në atë personal?

- Jam shumë i lumtur për arritjet e deritanishme, shpërblimet janë dhe do të vazhdojnë të jenë impulse të forta për punë të mëtejshme.

- Ku do jetë Armendi në të ardhmen?

- Armendi i së ardhmes do të jetë personi i etur për rezultate të merituara të mëtejshme. E ardhmja e afërt mbetet të shihet në realizimin e projekteve në Nju Jork, realizimi i klipit të ri dhe koncerte.

- Në fund, çfarë na ngeli pa thënë?

- Dua të shtoj që i falënderoj të gjithë ata që e dëgjojnë këngën time dhe me shumë kënaqësi mirëpres propozime e vërejtje për zgjerimin e bagazhit tim profesional. I jam mirënjohës edhe mikut dhe sponsorit tim respektiv Fatos Borovci, pronar i “Zoom Cafe Bar”, Prishtinë dhe sponsor gjeneral i Restorant “Aroma”, Bardhosh-Prishtinë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.