Nënës sime...

Intervista - - POSTA -

Ajo më merrte përdore gjithmonë… Rrugëtimi ynë filloi nga një përkëdhelje barku, në ato momente, kur unë, e fshehur nën atë cipën e hollë të lëkurës së saj, e lidhur ne kerthize, i zgjata dorën të ma rrokte. Prekja e saj ishte diçka e veçantë që askush tjetër në vite nuk do të ma zëvendësonte. Ndenji zgjuar mbi mua qe une te rritesha. Ajo kishte fantazinë të më çonte në botën e përrallave, të më bënte që të më përpëliteshin qerpikët nga kurreshtja dhe pastaj të më zinte gjumi me habinë e fantazisë. Më mësoi se si të kënaqesha ne mes gjërave të bukura, si t’i dëshiroja dhe t’i bëja ëndërra ato… Ajo më mori përdore e më çoi pranë një tavoline të më vizatonte një pemë, një shtëpi, një të bukur princeshë. Më mori përdore e më bleu kukulla pa fund. Kukulla që unë i vendosja emra njerëzish të cilët ajo m’i njohu dhe që i desha gjithnjë afër... Me mori me vete të njihesha me rrugët e qytetit, të ndjeja erën e blirit darkave verore. Bëmë fotografi bashkë te “Skënderbeu”, ashtu e quanim atë lulishten e bukur me pisha të larta dhe stola mermeri në qendër të qytetit tim, që nuk ekziston më sot. Në pranverë gratë e punishtes së mirëmbajtjes kishin mbjellë lule vjollce dhe gojë ujku dhe ajo më përshpëriste si fllad në vesh: “Ku janë më të bukurat ulu”. Më vjen një ndjesi malli tek i shkruaj këto emra lulesh kaq të thjeshta, por aq të përhapura në kohët e fëmijërisë time, që më japin një kënaqesi më të madhe se trëndafilat apo orkidetë që i dhurojmë shpesh sot. Ato ishin lulet e qytetit tim siç janë rrënojat antike të një kujtese historike. E ndoqa koncerteve, në shëtitjen tonë që vazhdoi përgjatë jetës, e ulur në dhomën e makiazhit tek shikoja me sy të mahnitur kostumet popullore që vishte ajo, apo grupi i valleve. Sa kënaqesha në ato pasdite provash, apo koncertesh e strukur pas perdes së kuqe të skenës. Nuk dëshiroja të isha spektatore, por një asistente e vogël. Ndjehesha një fëmijë i privilegjuar. Zëri i saj më ndiqte më mbështillte në ngrohtësi. E adhuroja nënën time kur këndonte. Aty unë e njoha nga afër artin, pianon, violinën, daullen dhe kërcimin. Njoha nga afër vokalizën, zërin që modifikohej me vibrimin e emocionit, njoha nga afër notat dhe pentagramin. U vesha edhe vetë me kostumin dardhar që më pelqente aq shumë, paçka se në të cilin futesha tre here, eca me këpucët me taka kur këmba ime e vogël mbushte vetem majat... Duke shëtitur e mbërthyer nga dora e saj e butë, fillova të doja shumë botën e bukur femërore. Shëtita gërmave të alfabetit, dora ime nën të sajën shkruajti A-në e parë. Nga ajo kam kaligrafinë time të bukur. Mësova si të qëndis dhe të qep për të patur në jetë gjëra bukura e me vlerë. Gatuam bashkë biskotat e para. Më tregoi se një abazhur është i vlefshëm për të lexuar një libër ashtu si edhe një libër të ndriçon errësirën si një abazhur. Shëtitëm adoleshencës time me pasionet që ka ajo moshë duke më ndenjur gjithmonë me dorën shtrirë si të ishte një parvaz i sigurtë ku të mbështetesha herë të pushoja e herë të mendohesha duke parë gjithmonë botën që më rrethonte. Ecëm bashkë në rrugë të gjata, qamë, qeshëm, gëzuam, në të gjitha momentet e mia. Sot ndjej nëpër ajër aromën e flokëve të saj, atë aromë karakteristike që kanë nënat. Tani larg e kërkoj gjithmonë dhe kjo largësi më bën ta kërkoj më shpesh, sidomos në pranverë, kur unë me ato pak para që mund të mblidhja e vogël i blija një kolonjë erë manushaqeje për 8 Mars.

ANILA KADIJA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.