A kemi nevojë për njerëz si Diela Ana Preka?

Njerëzit më duan, sepse i respektoj

Intervista - - FAQE 1 -

Javën që shkoi, shumë gra festuan 8 Marsin, qoftë në familje, qoftë mes miqsh, ndërsa ne preferuam ta bëheshim pjesë e një evenimenti vërtet të veçantë, organizuar në Shkodër nga Fondacioni “Anna, zëri i shpresës”. Ana Preka, gruaja e hekurt, jo vetëm e Shkodrës, por tashmë edhe e Shqipërisë dhe e komunitetit shqiptar në Greqi, nuk kishte si të mos organizonte një 8 Mars, ndryshe nga të tjerët. Mes gëzimit dhe festës, në eveniment nuk munguan çmimet e dhëna për figura të njohura të ekranit, si Tinka Kurti e Margarita Xhepa, ashtu edhe për ata që kanë dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e problemeve që i shqetësojnë njerëzit sot. Ana solli sërish në vëmendje të të gjithëve njerëzit në nevojë, të cilëve ajo tashmë u ka kushtuar veçanërisht vëmendjen e saj, nëpërmjet fondacionit që drejton. Tashmë, Qendra Ditore për këta fëmijë ka kohë që funksionon, por aspiratat e zonjës Preka nuk mbarojnë me kaq... Mes emocioneve të festës dhe mirënjohjes së të pranishmëve, mundëm ta shkëpusnim Anën për këtë intervistë...

Blerina Çizmja: - Ana, më thuaj, pse njerëzit të duan kaq shumë?

Diela Ana Preka: - Sepse i kam bërë vendin vetes. (Qesh) Nëse i respekton, njerëzit të duan.

- Përveç biznesit, ti i je përkushtuar me mish e me shpirt punës për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe të shoh nga njëri aktivitet, në tjetrin. Nuk je lodhur tashmë nga kaq shumë përgjegjësi?

- Përkundrazi, kam marrë më tepër forcë. Ja, shiko evenimentin e sotëm! Qëllimi ishte jo thjesht të festonim, por edhe në sillnim në vëmendje problemet me të cilat përballen njerëzit në nevojë, por edhe arritjet e femrës në shumë fusha të jetës. Mendoj se gjithçka shkoi shumë bukur, edhe me ndihmën e stafit, si dhe të të ftuarave që kishin ardhur nga Greqia posaçërisht për këtë eveniment...

- Vërtet, pashë që kishe sjellë shumë figura femërore të emigracionit, për të festuar bashkë me personalitete e miq, në këtë festë...

- Po, për evenimentin kisha ftuar 53 gra dhe festimi bashkë me to ishte diçka shumë e bukur. Të ftuarat janë aktiviste të shoqatës, disa japin ndihmën e tyre te fondacioni, merren me çështjet sociale, si edhe shumë prej tyre, janë mësuese që japin shqip në Greqi...

- Tashmë, Fondacioni “Anna, zëri i shpresës”, nuk vepron vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi, apo jo?

- Në Greqi kam bërë një partneritet dhe besoj se shumë shpejt atje do të jemi një zë i fortë. Puna jonë do të përqendrohet në Athinë dhe qëllimi i fondacionit është që të ndihmojmë tamam njerëzit që kanë nevojë dhe jo njerëzit që thonë, se kanë nevojë. Për këtë arsye, kam krijuar grupet e punës dhe shkojmë në çdo familje që të shohim se si jetojnë. Ka familje ku asnjëri nuk është në punë, ka familje që kanë njerëz në burgje dhe ne i ndihmojmë me avokat, u japim ndihmë financiare dhe juridike. Me pak fjalë, mundohem që t’ua lehtësoj jetën, se kriza ka bërë punën e vet, por falë Zotit, mirë ia kemi dalë deri tani...

- Fondacioni u krijua më 8 prill 2015 me qendër në Shkodër, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë. Çfarë mund të themi për punën e tij pas tashmë një viti nga krijimi?

- Jam shumë e kënaqur me çfarë kemi arritur deri tani me punën tonë. Aktualisht, në Qendrën Ditore janë 21 fëmijë, 16 nga të cilët vijnë çdo ditë, si dhe janë tre fëmijë që kanë probleme me ilaçet. Synimi me të cilin ne ecim është që puna jonë të mos jetë vetëm në një drejtim, por të jetë një proces i tërë, i përshtatur me nevojat që ka secili fëmijë. Sigurisht, kemi edhe ndihmën e psikologes dhe të stafit dhe mundohemi të japim gjithçka që ata të ndihen si gjithë të tjerët.

- Çfarë objektivash i ke vënë vetes?

- Kam shumë dëshirë që punën me fondacionin ta zgjeroj më shumë, duke shtuar fushën e veprimtarisë sonë, tashmë jo vetëm në ndihmë të fëmijëve në nevojë, por edhe në ndihmë të shumë shtresave të tjera të popullsisë që aktualisht kanë probleme nga më të ndryshmet.

- Në cilat grupe dhe te cilat probleme mendoni të përqendroheni në vazhdim?

- Mbi të gjitha te gratë e dhunuara dhe te fëmijët e ngujuar, që vuajnë kaq shumë, ndërkohë që janë qenia më e pafajshme në këtë botë. Besoj se shumë shpejt do t’ia arrij qëllimit që të kemi diçka të re, por nuk mund të flas para kohe, sepse unë jam me parimin që njeriu duhet të veprojë e pastaj të flasë.

- Ke patur mbështetje të mjaftueshme në punën tënde?

- Jo shumë, por më kanë ndihmuar me ato që kanë mundësi, qoftë edhe familje shqiptare që janë në Greqi. Besoj se me kalimin e kohës e me projektet e reja që do të vëmë në zbatim, do të kemi edhe mbështetje më të madhe.

- Ana, vazhdon të aspirosh për t’u futur në politikë?

- Të them të drejtën, akoma nuk kam vendosur diçka. Më pëlqen shumë fusha sociale dhe kam shumë qejf të merrem me të. Sa për politikën, duke parë e duke bërë...

- Një nga momentet që do të doja ta ceknim në këtë intervistë ishte takimi me Ambasadorin Amerikan në Shqipëri, zotin Donald Lu...

- Ishte diçka shumë e veçantë pritja dhe biseda me Ambasadorin Amerikan në Shqipëri, të cilin e njoha shkurtimisht me aktivitetin e Fondacionit “Anna zëri i shpresës”, duke i dhuruar albumin që tregon një pjesë të aktivitetit tonë. Mënyra se si më foli e si më respektoi, më la shumë mbresa. Më mbajti gjithkund afër vetes. Edhe ai kishte një kushëri të sëmurë dhe e kuptonte shumë mirë punën time. Këta njerëz janë psikologë, e kuptojnë se kush punon me dëshirë e me shpirt dhe dinë ta dallojnë të mirën nga e keqja. Unë e falënderoj shumë dhe mund të them se takimi me të ishte nga ato që do t’i mbaj gjatë në kujtesë.

- Federata e Shoqatave Shqiptare, në fund të vitit të kaluar, të nderoi me titullin “Humanistja e Vitit”. Ç’do të thoshte ky çmim për ty?

- Fitova çmimin e parë pas 25 vjetësh në Greqi dhe pas një pune të madhe që kam bërë në atë vend. Ishte një respekt i madh që mu bë sepse çmimin ma dorëzoi Ministri i Brendshëm Panajotis Kuruplis dhe u ndjeva mjaft e nderuar atë natë, aq më tepër që është hera e parë që jepet një çmim i tillë në Greqi pas 25 vjetësh emigracion dhe, në ceremoni ishte pothuajse gjithë qeveria greke, përveç kryeministrit. Ishte një ceremoni madhështore dhe çmimi, një nderim i madh për mua!

- Ana, të uroj për festën, që të mbetesh gjithmonë kjo humaniste e madhe që je, një njeri që jetën e vet ua ka kushtuar atyre që kanë nevojë...

- Ju faleminderit. Ajo që dua, është t’u jap njerëzve dëshirën për të jetuar, që shumë e kanë humbur. Dua t’u qëndroj afër dhe t’u vij në ndihmë realisht e jo vetëm me fjalë, atyre që kanë nevojë për ndihmë. Besoj se me fondacionin tonë, do të bëjmë shumë në këtë drejtim.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.