Shpëtova shokun nga shkatërrimi

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një vajzë që sapo kam mbushur 20 vjeçe. Këtë histori po e shkruaj që të gjithë njerëzit të cilët do ta lexojnë të nxjerrin një mësim nëse u ndodh e njëjta histori që më ndodhi mua. E di se mund të ketë dhe paragjykime, por unë jam një njeri që nuk ua vë veshin shumë paragjykimeve.

Unë para nja tre viteve u njoha me një djalë që u transferua në shkollën tonë. Kur erdhi në fillim ishte mjaft shakaxhi, kështu që shumë shpejt u bë si ata djemtë nëpër filma me të cilët duan të rrinë të gjithë. Për çudi, ai ishte mirë edhe me mësime. Në fillim nuk kisha shumë muhabet me të, por një ditë na u caktua një detyrë së bashku dhe këtu lindi miqësia jonë. Të rrije me të ishte një nga gjërat më të bukura që kam përjetuar ndonjëherë. Edhe pse është shpejt ta them këtë se mund të kem edhe lidhje të tjera në jetë, deri tani ka qenë shumë e bukur.

Kjo miqësia jonë ishte e bukur jo vetëm se ne ishim në moshën më të bukur, por edhe pse ai ishte një djalë shumë i veçantë. Dinte të bënte çdo njeri për vete dhe të më bënte mua të lumtur në çdo moment që rrija me të.

Por një ditë ai nuk erdhi në shkollë. E mora në telefon dhe e kishte të fikur. Në fakt, ne kishim shoqëri me njëri-tjetrin, por familjet tona nuk i kishim përfshirë në këtë histori. Pyeta shokun e tij të ngushtë, por ai më tha shkurt: - Është sëmurë, me grip. - Dhe ka mbyllur telefonin? Si ka mundësi? - i thashë e habitur.

- Hë se vjen nesër. - tha ai shkurt.

“Ndoshta mund të ishte me gjithë mend me grip dhe telefonin e kishte fikur që të mos e merrte njeri kur ai të ishte me të shtëpisë”, mendova. Edhe pse kisha kaluar këto mendime në kokë, prapë kisha një ndjenjë sikur t’i kishte ndodhur ndonjë e keqe. E kalova pasditen duke menduar pë të edhe pse kisha shumë detyra për të bërë.

Të nesërmen ai nuk erdhi përsëri në shkollë dhe kjo mungesë e tij zgjati nja një javë. Kur er- dhi pas një jave, m’u duk shumë i transformuar.

- Pse ke munguar tërë këto ditë? - i thashë sapo u ula në bangë. – Ke qenë sëmurë?

- Ëhë. – tha shkurt ai, pa e ngritur kokën.

- Po telefonin, pse nuk e ke hapur? I kam rënë disa herë, por më dilte i fikur. - Më është prishur. Në atë çast, hyri mësuesja në klasë dhe ne e ndërpremë bisedën. Gjatë gjithë orës ai dukej sikur po flinte. Këtë e vuri re dhe mësuesja e cila e pyeti se pse nuk ishte përgatitur e ai shkurt iu përgjigj se kishte qenë sëmurë. Nuk ishte kjo sjellja e tij e zakonshme, prandaj mezi prita sa mbaroi ora dhe i thashë:

- Ti diçka ke, më thuaj si është puna.

- Asgjë nuk kam, vetëm kam qenë sëmurë.

- Këtë ua the të gjithë të tjerëve, por mua duhet të më thuash të vërtetën. Të ka ndodhur ndonjë gjë?

Përsëri ra zilja dhe biseda do të mbetej e papërfunduar, por unë e mora për krahu dhe i thashë:

- Eja të shkojmë të pimë një kafe! - Po… - I them unë mësueses. – Në atë çast mësuesja po bëhej gati të hynte në klasë.

- Mësuese, nuk ndihem mirë. A mund të shkoj të blej një ujë?

- Po a mund të të ndihmoj? - tha mësuesja. – Të thërrasim prindin.

- Jo, jo, tani jo. Ndoshta më vonë se nuk dua të shqetësohen. A mund të vijë Seldi me mua?

- Po sigurisht! Shkoni se i them unë rojes. – mësuesja u tregua e gatshme, sepse që të dy nuk ishim nxënës problematikë.

Ne dolëm dhe u ulëm te kafja përballë shkollës.

- Më thuaj tani se çfarë po të mundon?

- Asgjë, të thashë. Pse do patjetër të më bësh të flas? Kam qenë sëmurë e asgjë më shumë.

- Të lutem më trego! Ti më dukesh shumë i mërzitur!

Kur ai u kthye të më shikonte, gati iu mbushën sytë me lot.

- Po ja, ata të shtëpisë... Ata prindërit e mrekullueshëm që na bënë kokën, ata më sëmurin. - Pse çfarë ka ndodhur? - Po, ja… Ai, babi im… - Çfarë ka babi? - Asgjë nuk ka. Është si kokrra e mollës, po e pashë me njërën, që ishte sa gjysma e moshës së tij. - Po ndoshta… - E pastaj i thashë mamit. Ajo gati sa nuk u çmend. I iku truri. Në shtëpinë tonë ka vetëm luftë tani. Ja, pse jam kështu.

Nuk kisha çfarë të thosha. Ishte një gjë e rëndë për një njeri të ndjeshëm siç ishte ai. Që nga ajo ditë ai linte orët e mësimit e kur e takoja, dukej si i përhumbur. Një shok yni më tha se kishte filluar të merrte ndonjë gjë që e qetësonte, duke nënkuptuar hashashin.

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.