Prindërit nuk më deshën kurrë

Intervista - - FAQE 1 -

Një shok yni më tha se kishte filluar të merrte ndonjë gjë që e qetësonte, duke nënkuptuar hashashin. Nuk e di se si u bëra në ato momente kur e mora vesh. Ai kishte ardhur atë ditë në shkollë, por që në mëngjes ishte futur te lokali përballë dhe nuk kishte dalë nga andej. Ishte ora 11 dhe, sapo dola në pushim të madh, unë u futa në lokal. E pashë të ulur në një tavolinë me ca djem rreth të 30-tave. U sula si e marrë dhe i thashë:

- Ngrihu e eja me mua! - e kapa nga krahu, por ai ma lëshoi krahun e ra mbi ndenjëse.

- Po ti, moj zogëz, kush je? - më pyeti njëri nga ata që e shoqëronin.

- E ç’të duhet ty se kush jam unë? - i thashë, pa m’u dridhur qerpiku.

- Ej, kujt i flet ashtu ti? - ai u ngrit në këmbë e m’u afrua.

Në këtë çast, shoku im edhi në vete dhe më kapi për dore e dolëm nga lokali. Ai ecte para dhe më tërhiqte nga pas. - Ku po shkojmë? - I thashë. Ai nuk foli fare dhe në fund, përfunduam te shtëpia e tij. Aty ishte e ëma që i kishte sytë e skuqur nga e qara. Nuk e dija edhe vetë se çfarë të thoja kur u gjenda përballë me të. Më kishte sjellë papritur te shtëpia e tij. Vetëm rrija pa folur e shikoja të ëmën. Ajo ishte një grua shumë e bukur dhe dukej si të ishte motra e tij. Mendoja se si mund ta tradhtonte një burrë një grua të tillë!

- Si je, zemër? Si i ke prindërit? - Ajo po fliste aq ëmbël me mua a thua se kishte një jetë që më njihte. - Më ka folur shumë Seldi për ty. Ti je një bekim në jetën e tij.

Unë pas këtyre fjalëve ndihesha më rehat, kështu që të dyja filluam të flisnim. Ajo nuk më tregoi për historinë që u kishte ndodhur sepse e merrte me mend se unë e dija. Ai shkoi të shtrihej nga dhoma tjetër. Pas një bisede të gjatë, unë u ktheva në shtëpi. Ai nuk u ngrit derisa ika unë, si duket kishte pirë ndonjë gjë të fortë. Gjithë pasditen mendova se si mund ta shpëtoja këtë djalë nga ajo që po i ndodhte. U ula të flija dhe ende nuk kisha diçka në mendje, por të nesërmen në mëngjes isha shumë e sigurt se unë do t’ia dilja ta shpëtoja.

Ai nuk erdhi në shkollë se si duket ishte i lodhur nga dita e mëparshme, kështu që pas mësimit i shkova në shtëpi. Ai ishte në dhomën e tij. Ishte mirë dhe nuk dukej se dita e djeshme kishte lënë pasoja të këqija.

- Kam vendosur të fejohem me ty. - i thashë sapo e pashë.

- Ç’të gjeti kështu? Nga të erdhi kjo ide? Ne jemi akoma të vegjël...

- S’ka gjë. Edhe prindërit e mi ishin të vegjël kur u martuan dhe ja, ende janë bashkë. - Po të mitë? - Ndoshta me ne funksionon. – i thashë e bindur.

Dhe ashtu u bë. U fejuam dhe unë u kërkova prindërve të mi të rrija në shtëpinë e tij. Babai i tij, herë vinte në shtëpi e herë rrinte nga e ëma. Edhe kur vinte, dukej sikur ishte i penduar për atë që kishte bërë. Ne të dy rrinim gjithmonë bashkë, si në shkollë ashtu edhe pasdite e në shtëpi në darkë. Ai ndryshoi krejtësisht dhe familja dukej sikur po i përmirësonte marrëdhëniet, sepse e ëma i kërkoi të atit që të rrinte gjithmonë në shtëpi. Si duket, edhe ajo e kuptoi se mund të kishte qenë ndonjë gjë e rastit e donte t’i jepte një mundësi të dytë.

Kështu kaloi ai vit. Ne dhamë provimet ku dolëm shumë mirë. Konkurruam në universitete jashtë Shqipërisë dhe fituam që të dy, por unë fitova në një universitet në Londër e ai në Rumani. Kjo ka bërë që ne të dy të mos jemi bashkë tani sepse largësia bëri që fejesa jonë të mos kishte bukurinë e kohës kur jetonim afër njëri-tjetrit.

Ka pak kohë që jemi ndarë si të fejuar, ama jemi shokë të mirë. Unë e ndiej veten me fat që në jetën time pati një kohë të bukur si ajo që kalova me shokun tim, që tani mund të ishte i varur nga droga a ndoshta mund të mos ishte gjallë. Ai tani është në një rrugë të mbarë dhe për këtë, jam e lumtur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.