Taulant Balla: Terroristin në Bruksel e kapa unë!

Intervista - - AKTUALITET -

Në intervistën e radhës po sjell heroin e kësaj jave, atë që me veprimet dhe mosveprimet e tij bëri të mundur arrestimin e njërit prej terroristëve në Bruksel. E kush tjetër mund të ishte, veç zotit Taulant Balla, të cilin e gjeta me këmbë përpjetë në një klinikë fizioterapie?!...

- Përshëndetje zoti Balla! Më falni që erdha pa ju sjellë ndonjë komposto…

- Hë mo Kaso, ç’kemi? Si të venë punët? Për komposton mos u shqetëso. S’je i vetmi që s’më ke sjellë.

- Pse, kush tjetër ka ardhur t’ju shikojë pa ju sjellë gjë?

- S’më ka ardhur asnjë në fakt. Vetëm Jozefina më dërgoi një kile portokalle dhe një kartolinë.

- E keni fjalën për zonjën Topalli? Bravo ajo! Me sa dimë unë dhe publiku, ju me të ziheni shpesh...

- Kështu e ka politka, Kaso. Të do më shumë ai me të cilin zihesh. Ata maskarenjtë e mi të partisë, as u kujtuan fare për mua. Le të më vinin në spital, por as një kile portokalle s’u kujtuan të sillnin. Dhe kujt, mua, që i nderova në Bruksel!

- Meqë e hapët bisedën që në fakt do ta hapja vetë, si ndodhi shpërthimi në Bruksel?

- E ç’më pyet, Kaso xhani?! E ka marrë vesh bota si ndodhi. Shiko aty mbi tavolinë. I shikon ato mijëra telegrame urimesh? Janë për mua. Më ka sjellë telegram edhe zonja Obama, madje.

- Ç’thuhet në ato telegrame?

- Më falënderojnë Kaso për trimërinë që tregova. Kam kapur një terrorist! Pak të duket ty kjo gjë? - Ju e kapët terroristin? - Unë, pse kush tjetër!? E kapa me presh në dorë. - Si? - Po hante presh ai, në momentin që më takoi.

- Aman, o zoti Balla, se jam kurioz të di: Përse e shpërtheu bombën ai kokëqypi dhe si e kapët ju?

- I tregova orën, që thua ti Kaso.

- Ju pyeti se sa ishte ora?

- Jo, mor Kaso, jo. Shiko si ndodhi: Siç të thashë, ai po hante presh aty pranë metrosë. Më tha mua ai kur i kalova afër: “Do të blesh një orë t ë mirë? E shes lirë. Sapo e kam vjedhur në një dyqan në Grand Plas”. “Ik, o çun, i thashë. Unë kam orën time” dhe i tregova orën... - Sa ishte ora? - O Kasoooo! Po të them se i tregova orën që mbaja në dorë. Nuk po të them që i tregova sa ishte ora. Kupton ti, apo jo?

- Më falni zoti Balla, por jam vërtet i hutuar nga akti terrorist në Bruksel dhe mezi kuptoj.

- E, mo Kaso frikacaku! Ke frikë ti që s’ishe aty e s’kam unë që e pashë me sytë e mi! - Nuk u trembët fare? - Po, Kaso po, aty mbahu ti... Unë nuk kam pyetur nga Berisha kur ishte në pushtet. Syri “tërr” s’ma bënte nga ai e jo më të pyes nga të tjerët...

- Keni të drejtë zoti Balla, por të mos harrojmë thelbin e bisedës. Ç’ndodhi pasi ju i treguat orën terroristit?

- Atij djalit, sa pa orën time mijëra euroshe, i iku zari fare. U zbardh fare nga inati...

- U nxi nga inati, deshët të thoshit, besoj...

- Jo, Kasi jo, u zbardh, se i nxirë ishte vetë ai. “Ku e ke marrë këtë orë?”, më pyeti. “Në Mynih”, i thashë unë. “Aty e ushtron aktivitetin tënd?”, më pyeti pastaj ai.

- Për ç’aktivitet e kishte fjalën?

- Po prit o Kaso, o shtatanik, prit! Ai kujtonte se meqë ishte vetë drogaxhi dhe hajdut, do isha edhe unë. Kupton ti?

- Kuptoj ndonjëherë, zoti Balla...

- Ja kështu, Kaso. I thashë unë atij. “Or ti çun që s’ta di emrin, me cilin më ngatërron mua ti? Me ndonjë nga ata që futen nëpër dyqane dhe marrin ora të shtrenjta? Unë në Mynih shkoj për qejf, or çun. Shkoj se shikoj Bajernin”. Aty ai djali u bë bishë fare Kaso.

- Përse u bë bishë dhe si e kuptuat që u bishëzua?

- U zbardh fare në fytyrë, prandaj. Më tërhoqi nga xhaketa dhe më tha: “Po ti, mor zagar! Me Bajernin je tifoz?”. “Po, i thashë unë trimërisht. Me Bajernin jam dhe e kam për nder që jam me të”. Aty atij djalit i iku zari i vet dhe zari i telefonit...

- Mirë zarin e vet, po që i iku zari i telefonit, si e kuptuat?

- I iku Kaso, se e përplasi telefonin në tokë nga inati. “Ore qafir, tha. Unë jam tifoz me Anderlehtin”, e kap e bjerë telefonit me shqelm ai. Në ato çaste, unë dëgjova një “Baaaam”. - Shpërtheu bomba? - Po, pra, Kaso. Ai djali nga inati, duke goditur tastierën e telefonit, kishte aktivizuar bombën me telekomandë. Sa shpërtheu ajo, ia futi me vrap. Unë s’prita. Ai vrap dhe unë vrap. - Po ju, përse vraponit? - Me thënë të vërtetën Kaso, unë vrapoja nga frika, por ti shkruaj që po vrapoja të kapja terroristin. E, siç të thashë Kaso... Ai vrap, e unë pas tij. U rrëzua ai, u rrëzova edhe unë mbi të. Në atë çast, erdhi policia. Mua më lëshuan, se e morën vesh që s’kisha gisht në atë punë.

- Si e morën vesh, zoti Balla?

- Më pyetën mua: “Nga je?”. “Nga Shqipëria”, u thashë unë. “Lëshojeni! Shqiptarët nuk hedhin kurrë bomba jashtë vendit të tyre”, tha komandanti i tyre. E kështu, Kaso. Më lëshuan, por më parë më bënë një ceremoni madhështore falënderimi, se kapa terroristin. - Ju lumtë, zoti Balla! - Ç’më lumtë Kaso! Kot që bëhem trim unë. Kam vite që bëhem trim me Saliun dhe zoti Rama s’më vë që s’më vë Ministër të Brendshëm... Bisedoi me shaka:

KASO KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.