Kur thua 52Oni, ke thënë zjarr!

Intervista - - AKTUALITET -

Eltion Puka ose siç njihet për publikun me emrin e artit 52Oni, është fituesi i edicionit të dytë të spektaklit “Shkodra Fest”, një spektakël që mblodhi shumë artistë në një vend dhe ia dha çmimin më të mirit, 52Onit, me këngën e tij “Rren”, të realizuar enkas për këtë festival...

Fabjola Kuburi: - Pas hitit “Bela”, me të cilin fitove edhe mbështetjen e publikut, me “Rren”, fitove çmimin e parë në Shkodra Fest. Çfarë e bën kaq të suksesshme gjithçka që të lançon?

52Oni: - Të punuarit me shpirt ndoshta i bën kaq të suksesshme. ( Qesh) Pas këngës “Bela” kam pasur disa bashkëpunime të tjera të suksesshme, me Ratin, me Kristina Dedën, me Sabina Danën, me Klodian Kodrën, me Ardian Qokajn, me Elton Ismailin dhe shumë bashkëpunime të tjera si tekstshkrues. Kënga “Rren” është një këngë që e kam përgatitur së fundmi posaçërisht për “Shkodra Fest”, ku rezultoi e suksesshme dhe rrëmbeva edhe çmimin e madh. Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj.

- Më trego pak rreth këtij festivali, si u ndjeve kur u prezantua emri yt si fituesi i tij?

- Festivalin e bën kolegu im Eli G. Ai më ftoi që të isha pjesë, pasi ky eveniment mori përmasa të mëdha si një spektakël vërtet madhështor, jo vetëm në Shkodër po në të gjitha trevat shqipfolëse dhe mendova, pse jo?! Vërtet është një eveniment për të rinj, por aty morën pjesë edhe emra të mëdhenj të shoubizit shqiptar dhe konkurrova edhe unë, me këngën time. Nuk e prisja fare çmimin e madh sepse aty kishte shumë pjesëmarrës, konkurrenca ishte shumë e fortë e kishte këngë tepër të bukura. Kur u përmend emri im, vërtet u emocionova shumë.

- Suksesi, zakonisht, është i ëmbël?

- Patjetër që është i ëmbël, pse të rrej?! (Qesh)

- Mund të bëhet edhe i rrezikshëm?

- Duhet të kemi shumë kujdes, që të mos cënohet emri dhe jeta personale.

- Lloji i muzikës që nuk duhej të ekzistonte, sipas teje?

- Të gjitha llojet e muzikës le të ekzistojnë, s’ka ndonjë që më shqetëson. Mjafton që këngët të jenë krijuar dhe kënduar bukur, të tjerat s’kanë rëndësi; çdo lloj rryme është art për mua.

- Kënga që ke më për zemër? Përjashtohet përgjigjja “të gjitha i kam si gishtat e dorës”...

- Të gjitha kanë kuptimin e vet, por kënga që pëlqej më shumë e që e shikoj si dritën e syve të mi, është bashkëpunimi që kam me Ardian Qokajn.

- Cili nga kompozitorët shqiptarë të pëlqen më shumë dhe ka bërë karrierë në saje të realizimeve muzikore me vlerë?

- Sigurisht që Maringlen Boja, pa përjashtuar edhe disa që kanë arritur shumë në saje të produkteve të bukura që kanë krijuar.

- Çfarë mendon për skandalet, për skupet e këngëtareve?

- Do kisha folur 24 orë për këtë çështje, por them se është më mirë ta kalojmë, se nuk ia vlen... (Qesh)

- Gjatë gjithë kohës që ke qenë aktiv me punë, kur ke ndjerë më shumë se kurrë sukses?

- Pas çdo produkti që kam punuar kam ndjerë dhe kam shijuar suksesin, por jam ndjerë i suksesshëm vërtet, kur skeptikët u bënë fansa të mitë. (Qesh)

- Cila mendon se do të jetë pika kulmore në vazhdim?

- Kur të jem në listat e këngëve të MTV-së. (Qesh)

- Je nga ata meshkuj që u pëlqejnë detajet dhe që u kushtojnë vëmendje atyre?

- Po, shumë, në jetën e përditshme dhe në punë. E adhuroj thjeshtësinë, por detajet e bëjnë të bukurën.

- Në jetën e çdo njeriu ka momente të vështira. Ku drejtohesh dhe ku e gjen qetësinë në të tilla momente?

- Në jetën e çdokujt ka vështirësira, por sidomos te ne artistët kjo është mjaft e shpeshtë. Unë, ka dashur Zoti që të kem një familje të mrekullueshme dhe e gjej qetësinë e mbështetjen gjithmonë tek ajo.

- Deri tani, të gjitha bashkëpunimet apo këngët e tua kanë qenë të suksesshme, gjë që tregon se arrin ta nuhasësh çfarë u mungon fansave... Si

(Vijon në faqen 8)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.