5 rekordet më të rrezikshme për jetën

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Trupi i njeriut është shumë i ndjeshëm, por ka njerëz të cilëve u pëlqen ta shtyjnë deri në maksimum, për të zbuluar kufijtë e durimit të tij. Ne kërkuam dhe mësuam sesa mund të durojë trupi ynë pa ushqim, ujë, oksigjen, etj. Ja, pesë arritje të jashtëzakonshme të durimit mbinjerëzor.

Pa gjumë: 11 ditë

Në vitin 1965, Rendi Gardner, 17 vjeç, theu rekordin botëror duke qëndruar zgjuar për 264.4 orë rresht (11 ditë e 24 minuta). Gjumi i natës është shumë i rëndësishëm për kujtesën dhe për aftësitë e tjera të njeriut, si edhe për të qenë në formë gjatë ditës.

Pa marrë frymë: 22 minuta

Njeriu që arriti të qëndronte pa frymë nën ujë për 22 minuta ishte zhytësi danez Stig Saverinsen, në vitin 2012. Pa oksigjen, truri i njeriut vdes për katër minuta. Severinseni arriti ta mposhtte vdekjen duke thithur oksigjen të pastër për afro 19 minuta përpara se të kryente eksperimentin, diçka që i dha trurit të tij mundësinë që të vazhdonte të punonte edhe kur ndodhej nën ujë.

Pa ushqim dhe ujë: 18 ditë

Në vitin 1979, Andreas Mihavecs, i cili ishte atëherë 18 vjeç, qëndroi i burgosur dhe i harruar në një qeli të nëndheshme derisa u zbulua rastësisht 18 ditë më vonë. Kjo ndodhi nuk ishte eksperiment, por neglizhencë e autoriteteve të burgut dhe pas kësaj, Mihavecsit iu deshën disa javë që të merrte veten. Uji është më i rëndësishëm sesa ushqimi. Trupi i një të rrituri përbëhet nga 60% ujë, i cili nevojitet për lubrifikimin e kyçeve, largimin e helmeve nga trupi dhe për rregullimin e temperaturës së tij.

Pa rëndesë: 437.7 ditë

Le ta pranojmë, ndjesia e mungesës së rëndesës mund të duket shumë zbavitëse, por jo për 437 ditë që përbëjnë një rekord botëror të mbajtur nga kozmonauti rus, Valeri Poliakov, në vitin 1995. Trupi i njeriut është krijuar që të funksionojë në kushtet e rëndesës së Tokës. Pa rëndesë, muskujt e astronautëve, përfshi këtu edhe ato të zemrës, humbasin vëllimin dhe fuqinë e tyre.

Pa diell: Vite

Një nga ekperimentet më popullore të atyre të cilëve u pëlqejnë gjërat e rrezikshme, është të varrosen për së gjalli. Në vitin 2004, magjistari çek, Zdenek Zahradka, theu rekordin botëror duke qëndruar mbi 10 ditë në një arkivol të varosur nën tokë nga ku dilte vetëm një tub për të marrë frymë dhe as ushqim, as ujë, as dritë.

Megjithatë, rekordin e qëndrimit pa dritën e diellit e mbajnë disa fëmijë. Në vitin 2012, policia ruse zbuloi një fis, që jetonte në nëntokën e Tatarstanit, ku shumë fëmijë të fisit nuk kishin parë kurrë diell me sy. Dielli është një burim i rëndësishëm i vitaminës D, që ndihmon trupin të thithë kalciumin që duhet për kockat. Dielli nxit gjithashtu prodhimin e serotoninës, që rregullon gjumin, humorin dhe oreksin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.