Prindërit nuk më deshën kurrë

Intervista - - MËKATE -

(Vijon nga numri i kaluar)

E ndihmuam unë dhe djali i lavazhit.

Në fillim, shoferi i makinës më tha që s’kishte nevojë, por djali i lavazhit ia bëri me shenjë që s’isha i rrezikshëm. Kështu, pasi ndërruam gomën, ai më zgjati një dy mijë lekësh.

- Jo, faleminderit, të ndihmova se e pashë që e kishe problem të bëheshe pis, ndërkohë që unë pis jam e s’e kam problem, - i thashë e shkova në strofkën time. Djali që punonte te lavazhi atë ditë më solli një bukë, gjizë e një kile mollë. Për dy ditë u ngopa e më dukej vetja tjetër njeri. Qysh nga ajo ditë ai më tha t’i pastroja vendin rreth e rrotull lavazhit dhe do të më jepte ushqim. Për mua, kjo ishte mrekulli. Unë pastroja jo vetëm rrugën afër lavazhit, por edhe në lagje. Kështu, banorët e lagjes filluan të mësoheshin me pamjen time. Shumë gra nga lagjja kur donin të hidhnin rroba, i fusnin në qese të pastra e m’i jepnin në dorë. Kështu, të paktën dukesha më i veshur e më i pastër se ndërrohesha shpesh.

Ndërsa rrija në atë strofkën që kisha sajuar me kanatet e një dollapi që e kisha gjetur në plehra, vëzhgoja gjithë njerëzit që lëviznin lart e poshtë me shpresën se kujt mund t’i nevojitej ndihma ime. Një nga njerëzit që shikoja ishte një vajzë. Në fakt, kishte një problem, se shkonte me të gjithë djemtë e lagjes. Pasi e mendova mirë, thashë që me një vajzë të tillë s’mund të martohej askush që e njihte, por vetëm një njeri dhe ky isha unë. Ashtu i palarë, i paushqyer, fillova t’i dilja në rrugë që të më shihte e të mos trembej nga unë. I mësova oraret kur dilte e kur kthehej dhe doja që t’i flisja ndërkohë që punoja sepse doja t’i tregoja anën time të mirë. Dhe kështu, pasi e kisha përshëndetur disa herë, një mbrëmje kur po kthehej, i fola.

- Mirëmbrëma... A ke vetëm dy minuta kohë të më dëgjosh?

- Po, çfarë do? - tha dhe nga zëri e kuptova që po qante.

- Ç’të ka ndodhur? - e pyeta sepse vërtet u shqetësova.

- Më la edhe dashnori i radhës, - më tha, - ç’të kem tjetër?

- Më vjen keq, s’di si të të ndihmoj, por unë e di që me mentalitetin e djemve shqiptarë asnjë s’do të martohet me ty. Të gjithë të duan vetëm për momentin.

- Ouu edhe ti kështu mendon për mua?

- Jo, jo s’ka lidhje, më fal, ishte shumë e keqe ajo që thashë, por këtë kam dëgjuar... Unë desha të të them tjetër gjë.

- Pa hë, ta dëgjojmë ç’do na thuash ndonjë xhevahir tjetër?

- Epo, meqenëse nuk ke zgjidhje tjetër, pse nuk martohesh me mua? Jam djalë i mirë, nuk kam vese. Dhe me mua nuk do të martohet asnjë vajzë, do trembej gjithkush nga një lidhje me mua, - i thashë të gjitha pa frymë.

- Çfarëëëë? - tha ajo e shastisur - Unë të martohem me ty?

- Dakord, vetëm mos bërtit... - i thashë. - Të lutem, mos i thuaj askujt se çfarë të thashë dhe unë do ta ngre diku tjetër këtë koliben time, se nuk duroj dot sharje të tjera. Kam njëzet e pesë vjet që dëgjoj vetëm njerëz që më shajnë. Natën e mirë, - i thashë dhe ktheva shpinën.

U ktheva te kolibja, për habinë time, jo shumë i lënduar. Thellë-thellë isha i përgatitur për një jo të madhe nga ana e saj. Vetëm fillova të kujtoja vendet ku kisha ndenjur më parë që të mund të zhvendosja koliben, por më prishte punë, se s’kisha më ushqim. Thashë të ikja pasi të kërkoja ndonjë punë tjetër. Në fakt, të nesërmen e ditët në vijim nuk më ngac- moi askush. Një burri në lagje që kishte një biznes privat, i duhej një roje dhe më pyeti nëse doja të punoja për të. - Sigurisht, - i thashë. Një punë për mua do të ishte mrekulli. Kështu, jo vetëm punoja roje, por pastroja edhe ambientet rreth e rrotull. Pasi mora rrogën e parë, kërkova dhe mora një dhomë me qira aty në lagjen ku kisha koliben. Natën punoja roje e pastroja, paradite flija e pushoja, kurse mbasdite shkoja të pastroja te lavazhi. Tashmë e bëja për mirënjohje, sepse ata ishin të vetmit që më ushqyen për lëmoshë për muaj të tërë dhe nuk më përbuzën, kur në fakt më përbuzte edhe familja ime.

Pas tre muajsh punë, fillova ta merrja veten, kisha blerë dy- tri gjëra për dhomën dhe rroba, lahesha, pastrohesha, ushqehesha të paktën nuk bezdisja njeri. Dhomën e mbaja të pastër nga frika se mos ankoheshin komshinjtë se vinte erë e keqe e më nxirrnin nga shtëpia. Kështu, pas një viti, vajza e vetme që i propozova për martesë u kthye sërish tek unë.

- Më la edhe dashnori tjetër, më duket se po del parashikimi yt, - më tha, ndërsa rrethi i syve ishte theksuar aq shumë sa m’u duk dhjetë vite më e plakur.

- Po vjen tek unë që të më thuash këtë, apo të më thuash që do të vish të rrish me mua? - i thashë.

- Mendoj të vij të rri me ty. Ti s’je i bukur, por njeri i mirë e djalë punëtor...

E kështu ne jetojmë edhe sot bashkë, kemi të njëjtën dhomë që pata marrë në fillim sepse nuk përballojmë qira më të shtrenjtë dhe kemi dy fëmijë. Shyqyr, fëmijët nuk më ngjajnë mua, por mamasë së tyre. Gruaja ime më respekton, fëmijët më duan, ndërsa familja ime akoma nuk ka treguar interes për t’i parë fëmijët e mi. Megjithatë, mua më merr malli për prindërit, edhe pse më përbuzën gjithë jetën.

M.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.