Mund të bëhet divorci pa qenë i pranishëm?

Intervista - - PYETJE REKLAMA PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje Avokat, jam Denisa nga Tirana, por me banim në Londër. Në vitin 2005 jam martuar në Shqipëri me një djalë nga Tropoja. Në vitin 2007 kemi ardhur të dy në mënyrë ilegale në Londër. Vitet e para kemi sakrifikuar shumë për të krijuar familjen dhe për të mbijetuar, pasi dihet që emigracioni është shumë i vështirë. Për këtë, të dy kemi punuar shumë, por kur njeriu fillon të rregullojë diçka në jetë, do të ketë gjithmonë ndonjë problem. Bashkëshorti im, duke filluar nga viti 2013, ka filluar të bëjë jetë të shfrenuar dhe të shthurur, duke u sjellë si adoleshent. Ka ditë që ikën nga shtëpia e nuk vjen fare dhe më tradhton në mënyrë të vazhdueshme. E kam toleruar, pasi ai më ka kërkuar falje se nuk do t’i përsëriste këto veprime. Megjithatë, durimi ka një kufi dhe kam vendosur të divorcohem. Fëmijë nuk kemi nga martesa jonë, por kam problem se në Londër jemi pa letra dhe nuk e zgjidhim dot këtu martesën. A mund ta zgjidh martesën në Sh- qipëri edhe pa qenë unë aty, pasi jam pa letra dhe nuk mund të vij? Ju faleminderit!

Përshëndetje zonja Denisa. Veprimet e bashkëshortit tuaj janë të papranueshme për funksionimin sa më normal të familjes. Është për t’u vlerësuar sakrifica juaj në familje në vitet e para të martesës, së bashku me bashkëshortin, por këto veprime të tijat janë të pajustifikueshme dhe jo normale. Aq më tepër në shoqëritë e zhvilluara, konkretisht në Britani, ku ju jetoni, tradhtia është një nga shkaqet për zgjidhjen e martesës. Për më tepër, është një nga rrethanat për t’u zgjidhur martesa me fajin nga bashkëshorti i cili e kryen atë.

- Përsa i përket pyetjes suaj, për ta zgjidhur martesën në Republikën e Shqipërisë, patjetër që është e mundur, pasi martesa ligjore këtu është lidhur dhe njëri nga bashkëshortët ka të drejtë të ngrejë padi për zgjidhjen e martesës për arsyet e lartpërmendura në letrën tuaj. Tradhtia është një nga shkaqet e ligjshme të përcaktuara nga Kodi i Familjes për zgjidhjen e martesës. Por Kodi i Familjes e ka të përcaktuar në mënyrë taksative që paditësi duhet të jetë i pranishëm në seancën e pajtimit të dëgjohet për shkaqet e parashtruara në kërkesë padi. Ligjvënësi i ka dhënë familjes përparësi të rëndësishme, ku të drejtat dhe detyrimet janë reciproke për të dy bashkëshortët, në mënyrë që familja të funksionojë sa më mirë, pasi familjet janë “agjencia” e parë ku fëmija merr kulturën dhe normat fillestare të sjelljes.

- Pra, gjykata do të bindet nëse arsyet për zgjidhjen e martesës janë reale sikurse janë të paraqitura në kërkesë padi. Nga pyetjet që ajo i drejton paditëses kupton se zgjidhja e martesës është për shkaqe të ligjshme të cilat janë të parashikuar në Kodin e Familjes të Republikës së Shqipërisë.

- Në përfundim të arsyetimit të mësipërm, mund të themi se ju patjetër që mund ta bëni zgjidhjen e martesës në gjykatën e vendit ku keni gjendjen civile, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Bajram Curri ose në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nëse e keni dokumentacionin në Tiranë. Por, në seancën e pajtimit duhet të jeni patjetër e pranishme dhe pastaj mund të lini me prokurë avokatin për zgjidhjen e procedurave të mëvonshme. Për çdo pyetje, mund të kontaktoni me Studio Ligjore “Duraj”. Përgatiti faqen: Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.