Ka parë filma horror dhe s’po i del frika

Intervista - - PYETJE REKLAMA PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam nëna e një djali 8 vjeçar, i cili ka parë filma horror, nga të cilët është tronditur shumë dhe tani unë nuk di si të veproj. Ai ka frikë të shkojë vetëm në dhomën e tij apo të rrijë 5 minuta vetëm në shtëpi gjatë ditës. Ju lutem, çfarë më sugjeroni të bëj me të? Faleminderit shumë.

Marsela Marsi, psikologe: - E nderuar nënë, qetësohuni sepse të jeni e sigurt që të gjithë fëmijët, herët a vonë, në faza të ndryshme të jetës së tyre, përjetojnë ndjenjën e frikës për arsye nga më të ndryshmet, siç është errësira, përbindëshat, zhurmat e forta, pasojat e imagjinatës së tyre apo në rastin tuaj, pas parjes së një filmi horror. Unë mund t’ju këshilloja që të mos e lejoni fëmijën tuaj të shikojë filma të tillë, të cilët kanë një ndikim shumë të keq edhe në psikologjinë e një të rrituri e jo më të një fëmije, por kjo është një këshillë që vlen për lexuesit e tjerë, sepse në rastin tuaj, “e keqja” është bërë. E megjithatë, të jeni e sigurt se është një periudhë kalimtare dhe fëmija juaj do të rikthehet sërish në gjendjen e tij të mëparshme. Fëmijët përjetojnë shumë frikëra sepse ndihen të pambrojtur dhe e njohin shumë pak botën që i rrethon. Frikërat janë njëfarë rruge që i drejton ata në njohjen e botës dhe të jetës. Fëmija juaj vuan nga një frikë kalimtare, që paraqitet në një moment specifik dhe sado e fuqishme të jetë, ajo nuk ndikon shumë në jetën e fëmijës.

Por, si duhet të silleni ju me fëmijën tuaj?

1. Shtyjeni djalin t’i shprehë me fjalë emocionet e tij, duke i kërkuar t’jua tregojë të gjitha fantazitë që e shqetësojnë, me ëmbëlsi dhe pa e detyruar. Nëse fëmija arrin të flasë dhe dikush e dëgjon (në rastin tuaj, këtë duhet ta bëni ju), tensioni i tij do të pakësohet shumë dhe ai do të nisë të përballet me problemin që ka.

2. Tregojini afërsi dhe dashuri kur ai ka frikë. Prania e një personi të qetë e të dashur ka një ndikim të menjëhershëm në qetësimin e tij.

3. Mos nxitoni, por as mos hiqni dorë! Frika do kohën e saj që të kalojë.

4. Mos i thoni kurrë fëmijës: “Përballu me frikën! Duhet të jesh i fortë!”. Kjo mund ta shndërrojë frikën në një terror të vërtetë dhe ta zmadhojë problemin. Me këtë, nuk dua t’ju them që ta bëni atë të ndihet frikacak sepse kështu do ta humbë besimin në vetvete. Ju duhet ta ndihmoni të përballet me frikën pa ia thënë shprehimisht këtë dhe duke e ndihmuar të kuptojë se filmat janë thjesht fantazi dhe realiteti është krejt tjetër.

Si nënë, unë do t’ju këshilloja të ushqenit te fëmija dashurinë për Zotin. Duke besuar se Zoti qëndron mbi gjithçka dhe mbi çdokënd, ai, në momente dobësie, mund të kërkojë ndihmën e Zotit dhe të ndihet i mbrojtur nga gjithçka tjetër.

Dhe së fundi, një këshillë për të gjitha nënat: edukojini fëmijët me sjellet pozitive, me heronjtë e përrallave dhe jo me imazhet e rënda të filmave triller që, po e përsëris, kanë një efekt shumë negativ edhe në psikologjinë e ne të rriturve; imagjinoni pastaj çfarë ndikimi kanë në psikologjinë e brishtë të fëmijës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.