Ajo më kërkoi të bënim seks menjëherë

Intervista - - FAQE 1 -

Thonë se koha i shëron plagët e dashurisë dhe ndoshta është e vërtetë, por edhe atëherë kur mendon se je shëruar komplet, mjafton një shkëndijë e vogël që zjarri të ndizet më shumë se në fillim. Një gjë e tillë ndodhi me mua dhe kjo bëri që sot të jem pjesë e gazetës tuaj me historinë time.

Jam Ramadani dhe origjinën e kam nga një fshat i jugut të Shqipërisë, pikërisht aty ku filloi historia ime. Sot jam pesëdhjetë e pesë vjeç dhe fati më bëri të ndihem edhe njëherë si njëzet e pesë vjeçar. Asnjëherë nuk kam qenë i apasionuar mbas rrjeteve sociale, por mbas një aksidenti me makinë, m’u desh të rrija për muaj të tërë në shtëpi, si pasojë e shembjes që pata në njërën këmbë dhe këshilla e mjekut ishte që të mos lëvizja. Djali i madh, duke patur parasysh që unë do të mërzitesha gjithë ditën në shtëpi, më hapi një adresë në Facebook, në mënyrë që unë të argëtohesha duke folur me shokët e punës dhe me shoqërinë time të fëmijërisë, apo edhe të ushtrisë. Kisha shumë njerëz të mitë, shokë dhe miq, me të cilët i kisha humbur lidhjet prej kohësh, pasi ata kishin emigruar dhe i kishim humbur kontaktet. Djali më mësoi si ta përdorja Facebook-un, si të gjeja njerëzit me të cilët kisha patur lidhje, më mësoi se si të shkruaja, apo të komentoja për gjërat që më interesonin. Në pak kohë, si të thuash, unë u futa në botën virtuale që të ofrojnë rrjetet sociale. Ishte një gjë që filloi të më tërhiqte jashtë mase dhe ashtu pa e kuptuar e gjeja veten para kompjuterit duke folur për orë të tëra me njerëzit e mi, me të njohur e të panjohur.

Por historia ime filloi një ditë kur si pa dashje, lexova emrin dhe mbiemrin e një njeriu të njohur aty në fshatin ku unë u rrita dhe kalova fëmijërinë. Mbiemri i tij më trazoi aq shumë saqë në një sekondë më erdhi në mendje e gjithë historia e dashurisë që më kishte ndodhur në rininë time të hershme. Një e dridhur më kaloi në të gjithë trupin, zemra e ndieja se po më rrihte fort, sikur donte të më dilte nga kraharori. Ai mbiemër fliste shumë dhe më zgjoi kujtime që kisha kohë që i kisha harruar. Rrija i shtangur para kompjuterit dhe fillova të mendoja. Ai person për të cilin po ju flas ishte vëllai i vajzës që unë e dashurova kur isha i ri. Ajo ishte dashuria e parë dhe e vetme e jetës sime. Besoj se të gjithë ju që do ta lexoni këtë histori, do të qeshni me këtë frazë që përdora, sepse burrat nuk bien kollaj në dashuri, por ja që me mua kështu ndodhi dhe ajo femër ngeli fiksimi i jetës sime. Edhe pse unë u martova dhe u bëra me fëmijë, nuk munda ta harroja. Në fakt, nuk më kishte shkuar në mendje që ta kërkoja atë në Facebook, ndoshta sepse ajo kishte ndryshuar mbiemrin, kishte ndryshuar paraqitjen, sepse tashmë ishin bërë gati 30 vjet që nuk e kisha takuar, por ja, personi që ju tregova më lart është vëllai i saj dhe më risolli në mendje shumë kujtime. Ashtu i hutuar, duke m’u dridhur duart, fillova të shikoja miqtë që ai kishte, me shpresën se do të gjeja motrën e tij. Dhe ja, ashtu siç e kisha menduar, ajo u shfaq para meje me emrin e saj A., por me mbiemrin e bashkëshortit. Menjëherë fillova të shikoja fotot e saj dhe zemra sa nuk po më plaste. Ajo kishte mbetur po aq e bukur sa para tridhjetë vjetësh...

Historia jonë filloi kur unë sapo kisha ardhur nga ushtria. Kisha gati tre vjet larguar nga fshati, edhe pse vija me leje në familje. Atë vit prindërit e mi po bënin një dhomë shtesë me mendimin se më kishte ardhur koha për t’u martuar dhe të kisha dhomën time. Nga ndërtimet që po bënim më duhej të mbushja shumë ujë, por çezmën e kishim pak larg, thuajse në qendër dhe pikërisht aty vinin për të mbushur ujë pothuajse gjysma e fshatit. E mbaj mend si sot ditën e parë kur e takova A.- në. Unë kisha dy bidona njëzet kilësh dhe, duke qenë se çezma kishte shumë pak ujë, enët donin shumë kohë për t’u mbushur. Atëherë erdhi A.-ja dhe më përshëndeti. Edhe unë gjithashtu dhe e lejova që ajo të mbushte ujë e para, pasi po të më priste mua do të vonohej shumë. Ajo nuk pranoi dhe gjatë kohës që ajo po priste, unë përfitova që ta pyesja se kush ishte dhe ajo më përgjigjej në mënyrë shumë të sjellshme. Takimi me të më la shije shumë të këndshme, aq sa fillova ta mendoja gjatë gjithë ditës dhe natës. Dëshira për ta takuar atë vajzë kishte bërë që unë të shkoja më shpesh për të mbushur ujë ditën e natën, aq sa personat që më shikonin më thoshin me shaka: “na e thave çezmën!”. Eee, sikur ta dinin ata hallin tim!...

Mbas disa ditësh u ndeshëm përsëri në çezmën e fshatit, por ajo këtë herë kishte ardhur me të ëmën dhe nuk munda të komunikoja me të, të paktën jo ashtu siç doja unë. Më tepër fola me mamanë e saj duke e pyetur se sa fëmijë kishte dhe se ku punonin. Përfitova nga rasti dhe i thashë se isha duke bërë një dhomë të re dhe gati gjithë ditën e kaloja duke mbushur ujë aty. Këtë ia thashë me qëllimin që ta dëgjonte A.-ja e të vinte më shpesh te çezma e fshatit. Dhe ashtu ndodhi! Fakti që po takohesha me të më shpesh, më bëri të kuptoja se dhe ajo më donte. Takoheshim dhe shiheshim shpeshherë aty, por nuk na kishte qëlluar që të ishim vetëm, pasi vinin edhe njerëz të tjerë. Të vetmen herë që pata mundësi të qëndroja vetëm pak minuta me të, i thashë: “Duhet të takohem patjetër me ty, pasi kam një bisedë shumë serioze për të bërë”. Nga përgjigjja e saj kuptova se dhe ajo kishte filluar të ndiente për mua. Në fshat ishte e vështirë për t’u takuar sepse ajo ruhej shumë nga llafet e njerëzve, kështu që ajo më propozoi të takoheshim një ditë kur ajo do shkonte në qytetin që ne kishim afër fshatit, pikërisht aty ku ajo kishte martuar edhe motrën.

Atë ditë udhëtuam me të njëjtin autobus, po sigurisht larg njëri-tjetrit, për të mos rënë në sy të njerëzve. U takuam në lulishten e qytetit dhe aty folëm shumë gjatë. Të dy të ulur në një stol filluam të bisedonim. Unë, herë mundohesha të flisja, herë sodisja flokët e saj të gjata ngjyrë gështenjë e herë më shkonin sytë të gjoksi i saj, i cili dukej pak nga fustani me jakë në formë v-je. Kisha filluar ta doja aq shumë atë vajzë saqë në ato momente doja vetëm ta përqafoja dhe ta bëja timen që në atë çast, por e dija se kjo ishte e pamundur. Unë ngrita dorën dhe fillova t’i përkëdhelja flokët lehtë. Ajo dukej si një mace e vogël që i pëlqejnë përkëdheljet, ndërsa unë vazhdoja të flisja dhe njëkohësisht, lozja me flokët e saj. Në një moment, ajo ndaloi, më kapi dorën dhe më tha:

- Të lutem, ta kalojmë natën bashkë në një hotel sot! Unë shtanga... (Vijon numrin e ardhëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.