Qiramarrësi ka ikur pa paguar. Kush duhet t’i paguajë faturat tani?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Kam një pyetje në lidhje me faturat e dritave, jetoj jashtë Shqipërisë dhe nuk kam mundësi për ta paguar faturën vetë. Si duhet të veproj? Më përpara kam patur një qiramarrës në shtëpinë time, që ka ikur pa paguar dritat që ka harxhuar. Si veprohet në këtë rast, kujt i takon t’i paguajë?

- Përsa i përket pyetjes së parë, mund ta paguani faturën nëpërmjet shërbimit të debitimit direkt (Direct debit). Duhet të keni një llogari rrjedhëse në një nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dhe të autorizoni pagesën e faturës së energjisë pranë një dege bankare. Nëse vini shpesh në Shqipëri, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. ju mundëson pagesën e një shume të caktuar në llogarinë e kontratës tuaj, e cila paguan automatikisht faturat derisa gjendja të konsumohet tërësisht. Ju mund të drejtoheni pranë çdo arke apo qendre të Kujdesit ndaj Klientit për të kërkuar këtë shërbim.

- Ndërsa në lidhje me pyetje e dytë, titullari i vetëm i kontratës së dritave njihet personi emri i të cilit është i regjistruar në sistemin e faturimit. Meqenëse fatura është një titull ekzekutiv, titullari i kontratës është përgjegjës për shlyerjen e detyrimeve. Pra, në momentin që ju keni dhënë banesën me qira, duhet të kishit dhënë pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike emrin e qiramarrësit, në mënyrë që të pasqyrohej në sistemin e faturimit si konsumator i energjisë elektrike. Për këtë duhet të ishit paraqitur pranë qendrave të Shpërndarjes së Energjisë elektrike me një kopje të noterizuar të kontratës së qirasë, ku do të nënshkruanit edhe një deklaratë për kalimin e pronësisë së kontratës nga ju te qiramarrësi, pasi të merrej edhe aprovimi paraprak me shkrim i qiramarrësit. Nëse ju keni ndjekur këtë rrugë, keni të drejtë ta ndiqni me rrugë ligjore këtë punë dhe qiramarrësi që keni patur është i detyruar të shlyejë energjinë që ka harxhuar në shtëpinë tuaj. Nëse s’e keni bërë, atëherë je i detyruar ta shlyeni ju këtë detyrim.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.