Pagesa është e vogël në krahasim me vitet e punës...

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar avokat, jam Edlira nga Durrësi. Jam larguar nga puna ku kam punuar 3 vjet e 8 muaj për arsye se donin të më transferonin në një dyqan tjetër. Unë nuk pranova pasi atje koleget e mia nuk dilnin mirë me inventaret. Punoja si shitëse dhe po të dilja keq në inventare, firma më mbante rrogën. Unë 20 000 lekë e kisha rrogën. Sa më takon leja e zakonshme se nuk e kam marrë asnjëherë? Po ditët e festave dhe ditët e pushimit a më takojnë dhe sa? Në kontratë e kam të drejtën për pushim, por nuk e bëra, ndaj firmosa dorheqjen për arsye personale. Mos ndoshta bëra gabim? Më thanë se do të më hidhnin lekët në bankë si 2 rroga mujore, por mua më duken pak. Ju lutem, më thoni, si duhet të veproj? Edlira.

- Përshëndetje zonja Edlira! Më vjen shumë keq që jeni larguar nga puna, pasi jetojmë në një periudhë të vështirë ekonomike dhe, të gjesh një vend pune është shumë e vështirë. Largimi nga puna me vullnetin tuaj, ju përjashton automatikisht nga kërkimet tuaja lidhur me zgjidhjen e marrëdhënies së punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar. Ndërsa përsa i përket vjetërsisë në punë, përgjigje për këtë pyetje jep neni 145 i Kodit të Punë për Shpërblimin për vjetërsinë në punë që përcakton se: “Punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsi, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Punëmarrësi e humb të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, nëse është pushuar me efekt të menjëhershëm, për shkaqe të arsyeshme. Shpërblimi për vjetërsi është të paktën sa paga e një 15 ditëshi mbi çdo vit pune të plotë, që llogaritet në bazë të pagës që ekziston në përfundim të marrëdhënieve të punës. Kur paga është e ndryshueshme, shpërblimi llogaritet mbi mesataren e pagës të vitit paraardhës dhe indeksohet. Shpërblimit për vjetërsi i shtohet shpërblimi që jepet në rastin e zgjidhjes së kontratës pa shkaqe të arsyeshme ose të zgjidhjes me efekt të menjëhershëm pa shkaqe të arsyeshme”.

- Pra, në analizë të nenit të mësipërm, dalim në përfundimin se Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë përcakton se vjetërsia e punës përfitohet në rastin kur punëmarrësi ka punuar të paktën 3 vite pa ndërprerje në vendin e punës, pra, ju e përmbushni këtë kriter të vendosur nga ligjvënësi.

- Punëdhënësi detyrohet që pagesën për vjetërsinë në punë 2 rroga mujore, ta japë duke llogaritur aq vite pune sa ju keni në atë punë. Gjithashtu, ai detyrohet edhe për pushimet vjetore, pagesë të cilën ju nuk e keni marrë. Normalisht, punëdhënësi duhet ta japë në mënyrë vullnetare detyrimin e mësipërm, por ndodh shpesh nga rastet e praktikës që ata nuk e respektojnë kodin e punës për të bërë pagesën në mënyrë vullnetare. Në këto raste, ju duhet t’i drejtoheni punëdhënësit me shkrim për të bërë pagesën e sipërpërmendur në mënyrë vullnetare, duke i lënë afat 10 ditor për përmbushjen e detyrimit për vjetërsinë në punë dhe lejen e zakonshme. Në rast se punëdhënësi nuk e përmbush këtë detyrim, duhet t’i drejtoheni me kërkesë padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ku të kërkoni detyrimin e punëdhënësit për pagesën e vjetërsisë në punë dhe lejes vjetore. Për më shumë informacion, mund të kontaktoni me Studio Ligjore “Duraj”. Përgatiti faqen: Valbona Vukulaj

Av. Drn. Alban Duraj Tel. ++355 44 53 25 12 Email: info@durajlavv.com Fcb: Duraj Law Firm; Web: www.durajlaw.com Bulevardi “Bajram Curri”, Pall. “Aviacioni i ri”, K. 1, Zyra no.4, Tiranë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.