Nuk u kujdesën për babain në spital, se ishte me ngjyrë

Intervista - - FAQE 1 -

E nderuar redaksi e gazetës! Po shkruaj nga pikëllimi për humbjen e babait, por edhe që t’i kërkoj shoqërisë shqiptare të mos na shohë më me syrin e armikut.

Jam një tridhjetë e dy vjeçare lindur e rritur në Tiranë, në Kombinat. Ne nuk jemi racë e bardhë, por me ngjyrë. Kemi jetuar në një shtëpi dy dhoma e një kuzhinë që gjyshi me gjyshen e kanë marrë nga këshilli i lagjes kur ata erdhën me banim në Tiranë. Gjyshi me gjyshen janë nga Elbasani dhe gjyshi ka punuar saldator në Metalurgjikun e Elbasanit ndërkohë që punohej me aksion për të ndërtuar uzinën. Gjyshi dhe gjyshja që të dy kishin mbaruar shkollën e mesme në ndryshim nga të afërmit e tjerë të tyre që mezi mbaronin shkollën fillore.

Gjyshi mbaroi shkollën e mesme me nota shumë të mira, por i dhanë vetëm të drejtën për të bërë një kurs dhe për të filluar punë si saldator. Ai u njoh me gjyshen time kur ishte njëzet e gjyshja shtatëmbëdhjetë, ende pa mbaruar shkollën e mesme. Edhe pse ajo ishte me nota të mira, prindërit e saj e martuan sipas traditës, pa mbushur ende të tetëmbëdhjetat. Gjyshi e çoi gjyshen në shkollë e për një vit punonte për të dy dhe vetëm pasi ajo mbaroi shkollën e mesme, ata menduan të bëheshin me fëmijë. E para lindi halla ime e cila pati fatkeqësinë të lindte shurdhmemece. Pasi u rrit, e çuan në shkollën e shurdhmemecëve në Tiranë ku mësoi gjuhën e shenjave dhe mësoi të bënte punën e rrobaqepëses. Me siguri, i ka ngjarë gjyshes. Gjyshja, ashtu, me vajzën që s’fliste dhe me shtatë fëmijë të tjerë të lindur çdo dy vjet, ka punuar, edhe në rrobaqepësinë e komunales, edhe në shtëpi. Kështu, fëmijët u rritën dhe që të gjithë morën shkollën e mesme e nga një zanat. Im atë, që ishte djali i fundit, lindi e u rrit në Tiranë, u bë zdrukthtar e ka punuar në Kombinatin e Tekstileve si tapicier. Kur ai mbushi njëzet vjeç, u martua me mamanë time dhe në shtëpinë që u kishin dhënë, jetonin dy gjyshërit, halla shurdhmemece dhe prindërit e mi.

Në shtëpi ishin pesë vetë kur linda unë. Sigurisht, nuk jam rritur mes gjithë të mirave sepse gjyshërit dolën në pension, gjyshja i ndihmonte hallës, por sërish bëheshim gjashtë vetë. Nënën e njihnin të gjithë në lagje si plakë e urtë dhe e ëmbël, ndërsa hallën, si maniakja pas pastërtisë. Ime më u martua ende fëmijë, por ka mësuar nga halla ime të lajë e të pastrojë.

Unë vetë i bëja dallimet mes mënyrës së jetesës dhe shtëpisë time gjithmonë të pastër dritë e të familjeve të tjera të racës sime që jetonin në Kombinat. Gjithmonë mbaj mend që për festa të na vinin komshinjtë dhe prindërit e gjy- shërit t’u kthenin vizitat. Edhe ne u bëmë katër fëmijë, të gjithë shpejt e shpejt. Në shkollë unë kam qenë gjithmonë shumë e mirë, ndërsa dy vëllezërit e motra ime e vogël e kanë mbaruar shkollën e mesme vetëm me këmbënguljen e gjyshit e të babit.

Kur unë isha në vitin e katërt në gjimnaz, gjyshi ndërroi jetë pas një aksidenti në rrugë. Ndërsa u përpoq të kalonte rrugën, një makinë që erdhi me shpejtësi, e përplasi dhe ai vdiq pa shkuar ende në spital. Gjyshja thoshte se po ta çonin shpejt në spital do kishte shpëtuar, por komshia jonë që është infermiere na tha që ishte e pamundur që t’ia hidhte. Dëmtimi ishte në shtyllën kurrizore, dhe nëse do kishte shpëtuar për momentin, ai do mbetej ulok. Duke menduar se do ishte më keq po të kish mbetur në krevat, gjyshja bëri sikur e pranoi humbjen e burrit. S’kishte faj, kishin jetuar bashkë qëkur ajo ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe. Pastaj, gjyshi e ka mbajtur mirë gjyshen, pavarësisht se janë lodhur për të rritur tetë fëmijë, por është një jetë e tërë. Ajo u tret çdo ditë e më shumë dhe vdiq pas nëntë muajsh, kur u katandis në një njeri vetëm dyzet e dy kile.

Halla dhe babai e kanë vuajtur humbjen e prindërve më shumë se fëmijët e tjerë, ndoshta për shkak se ata kanë jetuar më shumë bashkë. Për të kaluar dhimbjen për prindërit, halla filloi të punonte më me vrull në makinën qepëse. Gjithë ditën sajonte gjëra të ndryshme për të qepur e arnuar. Gjërat që sillnin komshiet për riparime, i mbaronte brenda pak orësh. Edhe im atë u zhyt në punë në zdrukthtarinë ku punonte. Por dihet, puna e shumtë sjell edhe mirëqenie. Pastaj, gjithë kjo punë përkoi edhe me ndryshimin e sistemit dhe në treg gjeje ç’të të donte shpirti. Kur unë mbarova shkollën e mesme, ne lymë shtëpinë si çdo vit dhe të gjitha mobiljet e vjetra i hodhëm. Im atë kishte bërë të reja për të gjitha dhomat. Kisha qejf të rrija në shtëpi mes librave të mi. Meqenëse kishim të ardhura, babai më tha që të konkurroja në degën që më pëlqente dhe të vazhdoja shkollën.

- Nëse të pëlqen të shkosh në universitet, unë do punoj natë e ditë e do të të mbaj moj bijë, të bëhet dhe një prej nesh me universitet. Pastaj, ti edhe lëkurën e ke më të bardhë se ne të tjerët, - më thoshtë babai.

- Sa për lëkurën, aq sa e kam larë dhe e kam kruar, normal që ka dalë më e bardhë se ne të tjerët, - thoshte halla me shenja dhe ne qeshnim të gjthë. (Vijon numrin e ardhshem)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.