Dashuriçkat e motrës më ndanë nga burri

Intervista - - FAQE 1 - (Vijon numrin e ardhëm)

Lexues dhe botues të gazetës! Po ju tregoj historinë e divorcit tim, jo për të fajësuar time motër, por për të shprehur dhimbjen time që s’mundem t’ia them askujt. Më duket sikur zemra do më plasë për gabimet e njëpasnjëshme që bëra për të mbrojtur time motër.

Jam tridhjetë e pesë vjeçe dhe kam lindur në një fshat në Shqipërinë e Mesme. Ne jemi tri vajza e dy djem në familjen e prindërve. Jemi rritur në pikë të hallit, sa me bukë e sa pa bukë sepse punonte vetëm babai im. Mamaja ime ka punuar arën gjithë kohën me shpresën që të paktën perimet që mund të bëhen në tokën tonë, të mos na mungonin. Është robëtuar sa në ara, sa për të mbajtur edhe lopë e dele që të mos na mungonte qumështi e të shiste qengjat për të na blerë rroba. E ç’t’ju them si punët e fshatit?! Një grua punëtore duhet t’i fillojë punët në pesë të mëngjesit e të ulet vetëm kur errësohet e nuk sheh më që të punojë jashtë shtëpisë. Pasi bie nata, ajo fillon me punët e shtëpisë, duke gatuar, larë e ndërruar, qepur e pastruar pesë fëmijë. Pra nëna ime e të tjerat që kanë jetuar në kushtet e saj, janë heroina. Por nëna ime nuk ka patur vetëm problemin e skamjes e të varfërisë, por edhe xhelozinë e babait tim. Xhelozia e tij na la prapa. Në këtë kohë ku çdo fushë e jetës ecën me shpejtësinë e dritës, ai na linte mbyllur se kështu e donte zakoni. Motra e madhe dhe unë, dy fëmijët e parë, iu bëmë krah nënës në punët e shtëpisë. Pasi u rritëm, nuk e lamë të lante rroba më me dorë, se për lavatriçe, nuk bëhej fjalë. E kemi ndihmuar të punojë, mbjellë e korrë tokën që kemi afër shtëpisë, se në tokën tjetër që kemi në fund të fshatit, nuk na linte babai që të shkonim.

- Vajzat nuk dalin nga rrethimi i oborrit, - thoshte ai, por edhe vetë nuk i ndihmonte mamasë. Sigurisht, mamaja e pashkollë dhe e trembur për vdekje nga xhelozia e fanatizmi i tij, na kish mësuar që t’i bindeshim.

- Ndihma më e madhe nga ju është të bëheni vajza të mira. Më ndihmoni sa të mundeni me punët brenda shtëpisë dhe mua më mjafton kaq, - thoshte ajo, kur babai zinte e bërtiste se pse kishim dalë të punonim me nënën. Pas nesh, u rritën edhe të dy vëllezërit dhe ata, edhe pse e kanë nga një dell si të babait, prapë ndiejnë pak dhimbje për nënën. Kur motra e madhe mbushi njëzet e dy vjeçe, u martua me një djalë nga veriu, por që jetonte në Tiranë. Sigurisht, martesa ishte me shkuesi, se kush do të na njihte neve pa dalë asnjëherë?! Ai rastisi djalë i mirë dhe pasi u martua, këmbënguli që motra të vazhdonte shkollën e mesme me korrespondencë. Motra e mbaroi shkollën e mesme edhe pse u bë me dy fëmijë.

Unë u martova dy vite pas motrës, në një fshat në veri. Isha kunatë me vajzën e tezes dhe kisha atë shkuese. Babai im u bë me flatra që na hoqi nga dera. Djemtë s’i kishte problem se “ata djem janë”, thoshte gjithmonë. Motra e vogël na doli më këmbëngulësja ndër ne për të fituar territor te babai.

Unë, pasi u martova, kam jetuar në Itali sepse atje punonte burri im. Isha e lumtur me burrin tim. Ai nuk ishte fanatik si babai. Pastaj, ai e shihte se sa e ndrojtur isha dhe u përpoq të më sillte në terezi e të më bënte të ndihesha e barabartë me gratë e tjera. Kam punuar në Verona, sigurisht, si pastruese në tri shtëpi. Ishin tri zonja të moshuara që i kishin fëmijët larg e unë pastroja e gatuaja për to. I kisha pothua- jse komshie. Edhe në kohën që isha shtatzënë kam punuar te tri shtëpitë se nuk doja të lija punën. Shyqyr Zotit kam patur shtatzani të mbarë. Pasi linda, e merrja vajzën me vete dhe zonjat italiane kënaqeshin me vajzën, ndërkohë që unë pastroja. Pesë vitet e para të martesës kam jetuar si në parajsë me një burrë që më adhuronte, tri plaka zonja që më donin sikur të më kishin vajzën e tyre dhe një fëmijë si engjëll, që nuk sëmurej asnjëherë.

Thashë më lart që mbas meje kisha dy vëllezër e një motër. Dy vëllezërit nuk kishin lidhje me shkollën. I madhi erdhi në Itali me pasaportë fallco, por nuk erdhi të jetonte tek unë; shkoi te një shok i tiji. Atje nuk kisha si ta ndihmoja e as ta kontrolloja. Shoku i tij na kish rastisur djalë jo i mirë, megjithëse babai bënte sikur nuk e dinte. Vëllai, pasi “punoi” një vit, ra në burg. U dënua me katër vite heqje të lirisë. Kjo ishte goditja e parë e vërtetë për nënën time. Babai vazhdonte me budallallëkun e maleve “burgu për burra është” dhe bënte sikur nuk ishte asgjë. Vëllai i dytë ishte kopja e babait për nga xhelozia dhe ruante nënën e motrën gjithë kohën. Motra fatmirësisht shkoi në shkollë të mesme dhe me këmbënguljen e madhe të nënës, motrës dhe timen, mësoi dhe konkurroi për në shkollë të lartë. Fitoi një shkollë në Universitetin Bujqësor të Kamzës.

Kur shkoi ajo në shkollë, jam lumturuar sikur po shkoja vetë. Në fakt, po realizonte ëndrrën time e të motrës, por dihet, kur shkollën e mesme e mori vetëm duke e shtyrë ne, si do ta merrte shkollën e lartë?! Ajo mbeti që në vitin e parë. Të kthehej në shtëpi si mbetëse nuk donte as babai, kështu që e futi në shkollë në Fakultetin e GjuhëLetërsisë me shpresën se do vinte mend e do mësonte. Po nuk mbetet hak e borxh pa u paguar në këtë botë. Babai im po e paguante borxhin që kishte ndaj meje e motrës së madhe me trurin bosh të motrës.

Meqenëse jetoja në Itali, kam qenë në gjendje të mirë ekonomike, kështu që kam patur mundësi që t’i dërgoj herë pas here para motrës së vogël me shpresën që do mësojë e të justifikojë qëndrimin në Tiranë. Sa herë flisja në telefon me të, i thosha:

- Unë Tiranën e kam parë dy herë që kam qenë të tez- ja. Edhe atëherë babi më ka dhënë leje vetëm një herë që të shkoja në treg me tezen, kështu që duhet ta dish që je me fat. Mëso e bëhu e zonja që të kesh mundësi të punosh e jetosh atje, të gjesh ndonjë djalë të mirë, të mos presësh shkuesit edhe ti si ne.

- Po, po, po mësoj, - thoshte motra.

Unë vazhdoja t’i dërgoja para me Uestern Union që të vishte rroba si shoqet e të mos mbetej pa para në xhep. Kur flisja në telefon me të, e pyesja: - A ke njohur ndonjë djalë, mos po del me ndonjë? Se mos e marrë vesh babi e të piu e zeza!

- Ku të njoh njeri unë, - më thoshte, - unë nga konvikti iki në fakultet e nga fakulteti në konvikt, ku do më shohë njeri mua?

- Epo, mos u anko, - i thosha, - mua s’më ka parë njeri edhe në fshat se nuk dilja as deri te porta e prapë mirë jam.

Ajo qeshte dhe e kalonim si shaka. Kur dolën këta celularët e mirë, i thashë babit që t’ia blija unë një të mirë e të flisja me të në Viber ose VVats Up pa shpenzuar shumë para.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.