Xhaxhi Stavri, faleminderit për gjithçka

Intervista - - AKTUALITET -

Nga Blerina ÇIZMJA

Me ndarjen nga jeta të zotit Stavri Kristo, kemi humbur të gjithë. Dikush humbi njeriun më të afërt, dikush prindin, dikush kolegun, nipërit - gjyshin e tyre të dashur, por të gjithë sot kemi një të përbashkët, sepse të gjithë kemi humbur një mik të rrallë, nga ata që i takon vetëm një herë në jetë.

Më kuptoni që e kam shumë të vështirë të shkruaj për këtë arsye. Do të kisha dashur t’i merrja një mendim xhaxhi Stavrit se çfarë duhet të them dhe si, pasi ai e kishte gjithmonë dhe për gjithçka një përgjigje, një këshillë, një fjalë të ngrohtë, dinte gjithmonë të jepte zemër dhe të udhëzonte. Për këtë arsye, do të më falni nëse nuk i gjej dot fjalët e du- hura, pasi sot nuk e kisha këshillën e xhaxhi Stavrit.

Por, e para është fjala! Edhe ai, thoshte gjithmonë “Duhet të shkruash!”, por unë kurrë s’e kisha menduar se do ta ndiqja këshillën e tij në këtë ditë dhe për këtë rast. Mund të kisha imagjinuar gjithçka tjetër, përveç kësaj...

Unë dhe shumë të tjerë si unë, jemi rritur tek “Intervista” dhe ai, ashtu siç bëri të rritej kjo gazetë, me të njëjtën dashuri, na rriti edhe neve. Ai arriti të ndërtonte një familje të shëndetshme, një gazetë të suksesshme, ai na ndërtoi edhe ne. Për gjithkënd, xhaxhi Stavri ka qenë një mësues i mirë, që na tregoi pa kursim gjithçka nga profesioni, një baba që na ka qëndruar pranë kurdo që kemi patur nevojë. Xhaxhi Stavri ishte babai i të gjithëve...

Shumë thonë se nuk ka rëndësi se sa, por si ke jetuar, ama, sado që xhaxhi të jetonte, gjithmonë do të thonim se ishte shumë herët për të që të ikte nga ne. Djali nga Odriçani e ndërtoi jetën e vet duke iu kushtuar kulturës, arsimit, fjalës. Nga duart e tij kaluan aq e aq libra, me përpikmërinë e ftohtë të një redaktori profesionist, profesion të cilin ai, gjysëm me shaka, e quante “puna e atij që plehëron bahçen e të tjerëve”.

Por, ne kemi mundësinë ta kemi xhaxhin sot e gjithmonë pranë nesh me dy librat e tij “Djali nga Odriçani” dhe “Në Moskë, mes Hrushovit dhe Enverit”... Do të kishim dashur të kishim edhe librin e tretë, të cilin ai nuk e mbaroi dot, por do të kishim dashur ta kishim atë vetë në çdo moment, për të na dhënë, pak, shumë pak nga dija e tij e pafundme, nga enciklopedia e gjallë që ishte ai...

Shpesh, kur shihte se si shpesh ne, brezi tjetër, harronim dhe nuk kujtoheshim për ndonjë gjë, më thoshte: “Blerta, pa më thuaj, a nuk është gjynah të vdesë kjo kujtesa ime?”. Sot, them:

Po, xhaxhi, është gjynah, shumë gjynah që nuk do të ta dëgjojmë dot më zërin dhe që nuk do të kemi mundësi të marrim një përgjigje nga ti, por do të kishte qenë shumë më

i gjynah të mos të të kishim njohur kurrë, ndaj faleminderit, për gjithçka...

Zoti qoftë me ty! U prehsh në paqe, sepse kush jep paqe, paqe meriton, përjetësisht!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.