Skënderbeu: Prapë po ma bëni sheshin?! Sa lekë paskeni pasur!

Intervista - - AKTUALITET -

Intervistën e radhës e realizova me më të madhin e të mëdhenjve të shqiptarëve, me vetë Skënderbeun. Po, po, me vetë atë. Do thoni ju: “Si munde? Ai nuk mund të flasë!”. Flet që ç’ke me të ai, se... dhimbja i bën të vdekurit të na flasin edhe nga ajo botë.

Kaso Kosa: - Përshëndetje! Nuk është Gjergji këtu?

Kali i Skënderbeut: - Jo, nuk është. Ka ca orë që ka shkuar te Nënë Tereza.

- Tek aeroporti? Po çne? Apo edhe Gjergji ka vendosur të kërkojë azil gjëkundi? More, se mos është nisur për në Panama? Ka fshehur ndonjë verdhushkë atje ëëëë?!

- Mirë do ishte të kishte fshehur ca, por s’është nga ata ai. Ka shkuar te spitalet “Nënë Tereza”. Hë, ja ku po vjen.

(Nga lart pashë vetë Skënderbeun që, duke u çapitur e duke rënkuar, po vinte drejt nesh. Më përshëndeti dhe me zor i hipi kalit)

- Gjergj! Pse ishit në spital? Keni ndonjë problem?

Skënderbeu: - Urdhëro! Fol fort se s’të dëgjoj, Kaso!

- A keeeeni ndonjë probleeem, thashë, që shkuat në spitaaal?

- Ç’më pyet bre. Më dhemb gjithë trupi. Grykët më janë zënë. Veshët s’dëgjojnë fare. Veshkat më janë bërë copë...

- Doktorët t’i thanë këto?

- Ç’doktorë zeza, thua?! Doktorët s’më vizituan fare. Prita kot në radhë dy orë. S’më linte asnjë shqiptar të futesha para tyre. Kur më erdhi radha, sa u futa te dhoma e vizitave, më tha doktori: “Ke lekë?”. “Jo”, i thashë. Sa i thashë kështu unë, më nxori infermierja me shqelma jashtë.

Ndërhyn kali: - Të pata thënë, Gjergj, “bëj lekë sa je në pushtet, se do të të duhen”, por s’më dëgjove mua. Rri tani! Na ke lënë

fukarenj të gjithëve.

Skënderbeu: - Pusho o pelë, që ngul këmbë si mushka dhe një muhabet ke përherë, se në fakt, kali im s’je. Të kanë bërë pa hallate. Po të mbaj për gjynah, pavarësisht se s’je kali im.

- Mos u zini, ju lutem, se do thonë që u zu Skënderbeu me kalin. Edhe ti kalë, a pelë, a mushkë, pak më i kujdesshëm kur kundërshton Skënderbeun. Shiko si e ke katandisur…

Skënderbeu: - A, jo mo Kaso evlati, jo! S’më ka bërë gjë kjo pela mua, por kjo kokë që ngulte këmbë si mushka që do luftonte dhe nuk bënte lekë. Tani që kam nevojë dhe më dhemb gjithë trupi, s’kam kokërr leku t’ua jap doktorëve.

- Nga se vuani, o i madhi Skënderbe?

- Nga ç’nuk vuaj, thuaj?! Kam gurë në veshka.

- Gurë në veshka? Po si ju bënë gurët në veshka, apo meqë bridhnit maleve, lart e poshtë nëpër shkëmbinj...

- Më janë bërë nga pluhurat, Kaso. Shiko ç’ndotje ka në Tiranë. Në kohën e atij merhum Enverit shikoja malin e Dajtit dhe çoku merrja ajër të pastër. Tani kam mbi 25 vjet që vetëm pluhur thith. Më është zënë edhe gurmazi nga pluhurat. Ti e shikon që mezi flas. Veshët po më lënë fare, nga zhurma e makinave.

- A, mos u shqetëso, o i madhi Skënderbe, se tani do shpëtosh. Këtu te sheshi yt, nuk do kalojnë më makina, do të të bien veshët rehat. - Pse, ç’ka ndodhur? - S’e ke marrë vesh?! Do bëhet sheshi me gurë dhe s’do të kalojnë më makina këtu.

Kali i Skënderbeut: Do lejohen vetëm kuajt, pelat dhe mushkat e atyre që mbledhin bidona plastikë nëpër kazanë, domethënë?! U, sa mirë!

- Për ata nuk e di, por makinat, di që s’do kalojnë.

Skënderbeu: - Lekë të madh paskërkeni pasur ju qerrata shqiptarët, Kaso! Për të disatën herë po ma bëni sheshin.

- Epo, të duam fort, ndaj. Një Skënderbe kemi!

- Kur fillojnë punimet? Aman të keqen Kaso, se ti i njeh ata në qeveri. Thuaju t’i fillojnë sa më parë. Të fusin ndonjë matrapik se nga dridhjet mbase më ikin gurët nga veshkat. Ore, se nuk të pyeta: Kush e vendos këtu te ju se cili nga projektet për sheshin është më i miri?

- Si kush, o Gjergj?! I madhi fare, Kryeministri! - Nuk keni arkitekt ju? - Kryeministrin kemi ne për gjithçka, o i madhi Skënderbe! Të tjerëve iu është zënë gurmazi, si ju...

- Edhe një pyetje, Kaso, se s’kam fuqi të bëj të tjera: Mirë sheshin që do ma rregullojnë, po ndotjes dhe pallateve të larta, a do t’u bëjnë derman? Vdiqa fare Kaso, mezi marr frymë. Më janë errësuar sytë. S’shikoj kurrë as malin e Dajtit, le më diellin!

- Malin e Dajtit s’keni për ta parë kurrë ju, për atë punë, po më thoni, jeni dakord që sheshi të bëhet me gurë?

- Edhe po, edhe jo, Kaso. Pastaj, Kaso, edhe po të jem kundër unë, kush më pyet?

- Askush, askush, kot pyeta dhe unë... Bisedoi me shaka:

KASO KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.