Ertila Koka: Ka ardhur në kohën e duhur...

Intervista - - MUZIKE -

Ertila Koka është nga ato këngëtare që di të gjejë mënyrën dhe momentin e duhur për të ardhur me diçka të re për publikun. Ajo sapo është fejuar dhe ka preferuar që jetën e saj private ta mbajë larg mediave, por edhe ka ditur si të barazpeshojë jetën profesionale me atë personale. “Ajo që ke” është kënga që Ertila ka pak kohë që e ka lançuar dhe që trajton temën e tradhtisë. Ajo ka ndërmend të realizojë edhe bashkëpunime me artistë të huaj, si një urë për të hyrë në tregun muzikor ndërkombëtar...

Fabjola Kuburi: - Ertilë, vjen me “Ajo që ke”... Ku e mori shkëndijën e parë kjo këngë?

Ertila Koka: - Duke qenë se melodinë e këngës e bëra vetë, doja që edhe teksti të realizohej nga një tekstshkruese e zonja si Rozana Radi. Së bashku, menduam që tema e tradhtisë do t’i përshtatej shumë melodisë sime.

- Kush mund të jetë “ajo që ka”? Kujt i dedikohet kjo këngë?

- Teksti u dedikohet të gjitha femrave të tradhtuara e të lënduara, por me një krenari dhe ego të fortë.

- Pse ka kaq shumë probleme femra shqiptare?

- Nuk mendoj se janë vetëm femrat shqiptare ato që kanë probleme. Femra është e tradhtuar në të gjithë botën, kështu që nuk kemi pse të vëmë në dukje vetëm femrën shqiptare.

- Çfarë mendon se e kanë tipike femrat sot?

- Karakterin dhe inteligjencën.

- Kohët e fundit, ka bashkëpunime me reperët kosovarë, madje edhe ti ke një të tillë me 2Tonin. Ka reperë më të talentuar në Kosovë?

- Reperët e Kosovës janë të talentuar dhe publiku po i mirëpret më së shumti, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kem reperë të mirë.

- Numri i këngëtareve, sidomos i atyre pa talent, sa vjen e shtohet. Të frikëson kjo?

- Jo, aspak, secili ka publikun e vet. Është publiku që përzgjedh; vetëm ai e ka këtë fuqi.

- Mendon edhe ti se muzika po shihet gjithnjë e më shumë si biznes dhe jo si pasion? Si e shikon ti?

- Në gjithë botën ka qenë, është dhe do të mbetet biznes. Unë e quaj pasion profesionin tim, por ka të tjerë që e quajnë si biznes.

- Kur do të të shohim bionde platin ose me flokë blu, për shembull?

- Unë jam fanatike e natyrales, por ndoshta edhe ju surprizoj. (Buzëqesh)

- Je gjithmonë e sigurt në vetvete apo ndjen nevojën e mbështetjes së dikujt?

- Vetëbesimi dhe siguria në vetvete është e domosdoshme, por mbështetja dhe bashkëpunimi sjell më shumë produktivitet.

- Çfarë ka gjithmonë efekt pozitiv te ti?

- Dashuria që kam përreth. Falënderoj Zotin që kam gjithmonë njerëz që më duan rreth vetes.

- Kur mund t’i thuash vetes se i ke arritur ato që ke dashur?

- Mendoj se çdokush kërkon të nxjerrë më të mirën nga vetja. Asnjëherë s’do të thoja që kam arritur atë që doja sepse atëhere do ta kisha mbyllur profesionin tim dhe s’do të më duhej të luftoja më.

- Qëllimi që do të doje të arrije gjatë 2016-ës...

- Qëllimi i çdo viti për mua është të rritem profesionalisht. Është një ambicie që më shoqëron në çdo moment të karrierës sime.

- Çfarë të motivon për të ecur përpara?

- Pasioni për profesionin që kam.

- Fama sjell edhe miqësi të shtirura. Ti, arrin ta bësh dallimin mes tyre?

- Sigurisht që po, por mundohem t’i anashkaloj.

- Bëhet kjo edhe më e vështirë në marrëdhënie të tjera, për shembull, në ato të dashurisë? - Aspak. - Ti je e fejuar... Çfarë është e rëndësishme për harmoninë e një çifti?

- Toleranca dhe dashuria. Nëse janë këto të dyja, gjithçka ecën mirë.

- Je përpjekur që suksesi yt t’i kapërcejë kufijtë e Shqipërisë? E ke parë ndonjëherë veten si një talent ndërkombëtar?

- Bashkëpunimi është mënyra më e mirë për të kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe unë po përpiqem për projekte të reja që të sjell bashkëpunime me artistë të huaj. Shpresoj në një të ardhme të afërt ta realizoj. - Zëri që të magjeps? - Ai i Selin Dionit. - Çfarë i bën njerëzit të zakonshëm dhe çfarë, të jashtëzakonshëm?

- Mendoj se të zakonshmen nga e jashtëzakonshmja e ndan vullneti për të ecur përpara. - Je natyrë romantike? - Duke qenë artiste, kam edhe natyrë shumë romantike.

- Çfarë bën Ertila për të kuruar pjesën e brendshme përveçse dukjen, që mund të quhet perfekte?

- Faleminderit. Kam një mirësi të lindur dhe njerëz që më falin dashuri përditë. Kjo është më se kurative.

- Je shprehur se je gjithmonë kritike ndaj vetes…

- Për të pretenduar perfekten, duhet të jesh patjetër kritike ndaj vetes.

- Çfarë bën për t’u ndjerë mirë?

- Vetëkontrolli është një cilësi e imja që më bën gjithnjë të ndihem mirë me veten. - Sa e do veten Ertila? - Të duash veten është vetëvlerësim dhe një cilësi që duhet ta gëzojë çdo njeri, jo vetëm unë.

- Një gjë që ne akoma nuk e dimë për ty, por që do të ishte mirë ta mësonim?

- Jam piktore shumë e mirë.

- Çfarë do të doje të bëje edhe një herë?

- Liceun Artistik. Ishte shkolla që më ndihmoi të formohem profesionalisht e nga e cila kam shumë kujtime të bukura.

- Cila ka qenë skena apo koncerti nga i cili ruan kujtimet më të bukura?

- Një koncert në teatrin e Pistoias në Toskanë, të mbushur plot me shqiptarë të cilët këndonin njëzëri me mua. Ka qenë një mrekulli!

- Kemi vënë re se kohët e fundit ke një menaxher të ri, i cili po të promovon shumë...

- Po, shumë e vërtetë, Valdrin Ahmeti është nga Kosova, por jeton në Gjermani, prej shumë vitesh. Ai po më ndihmon në gjithçka, për promovimin tim në rrjetet sociale, për koncertet, si dhe po punon për bashkëpunime ndërkombëtare. Besoj se ka ardhur në kohën e duhur dhe uroj që bashkëpunimi ynë të jetë sa më jetëgjatë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.