Thuaj të vërtetën, ende nuk e ke kuptuar?

Intervista - - INTIMITET -

Mbase gënjeshtrat janë karakteristikë e të dyja sekseve, megjithatë, mund të themi se burrat janë kampionë në këtë drejtim. Çështja sigurisht nuk është se burrat, nga natyra, janë më të mirë në këtë lloj “sporti”, por edhe se gratë kanë tendencë të besojnë të gjitha budallallëqet që ata u servirin. Nuk është çështje naiviteti ky, por kryesisht frikë nga e vërteta, e cila nganjëherë është aq e keqe sa të bën të biesh në depresion të thellë, megjithëse ajo gjithmonë arrin të dalë në shesh! Meqë gënjeshtrat e grave janë kaq të ndërlikuara, sa duhen ditë që t’i ftillosh, themi më mirë të analizojmë ato që thonë burrat dhe më saktësisht, justifikimet qesharake që ata përdorin për të hequr qafe me lezet gratë që nuk u pëlqejnë, pa u shkaktuar shumë vuajtje atyre. Hidhuni një sy!

1. Në këtë periudhë, dua të rri vetëm

Pa dyshim, është një justifikim qesharak, por për fat të keq, shumë i qartë! Duket sikur po të lidheshit, ti do ta rrihje, torturoje, stërmundoje, do të shuaje cigare në trupin e tij, apo do të shaje prindërit e miqtë e tij. Përkundrazi, ti do ta mbaje si pasha, do të silleshe si njeriu më i ëmbël në botë me të dhe do t’i gatuaje ushqimin e tij të preferuar. Megjithatë, me të nuk mund t’ia kalosh mirë, sepse ai nuk të pëlqen. Mund të gjejë një tjetër që është ku e ku më e keqe se ti, që t’ia bëjë jetën ferr dhe ai t’i rrijë me temena, thjesht sepse ajo i pëlqen!

2. Nuk jemi njohur mirë akoma

Keni dalë të paktën 10 herë në takim me të dhe ai ndihet sikur nuk jeni ende gati të bëjë hapin e dytë. Para se të mendosh se sa xhentëlmen është dhe sa kujdeset për nevojat e tua, po të paralajmërojmë se në 10 takime, jo vetëm e njeh mirë tjetrin (të paktën gjërat bazike) por edhe nëse ekziston pasioni në këtë mes, është shumë e vështirë ta... ndrydhësh! Me një fjalë, po të lajmërojmë me keqardhje se nuk është aspak zotëri dhe xhentëlmen, por thjesht do të kalojë kohën me ty derisa të gjejë diçka më të mirë, ose derisa të kthehet ish-i i tij. Kjo është e vërteta e hidhur...

3. Më fal që s’iu përgjigja mesazheve të tua, por isha i zënë

Sigurisht që ka shumë punë dhe pa dyshim që është i domosdoshëm në shumë fusha, por ai nuk është Obama! Nëse do, një mesazhi mund t’i kthejë një përgjigje të thjeshtë. Do ta imagjinoje ti sikur të të dërgonte një mesazh, apo të merrte në telefon objekti i pasionit tënd dhe ti të mos bëje as edhe një pushim të vogël para se t’i përgjigjeshe? Mbase ai nuk kishte asnjë punë për të bërë dhe thjesht, të ka injoruar! Për fat të keq...

4. Kam shumë gjëra në kokë në këtë

periudhë

Na vjen keq, por nëse të sheh edhe ty si një detyrim më tepër, atëherë fati dhe shenjat nuk janë në anën tënde. Nëse ai do të të donte, ti do t’i shërbeje si relaks, do ta çlodhje dhe ai do të donte të takohej me ty, që të harronte gjërat e tjera. Nëse nuk ia ngjall këto ndjesi, ka shumë gjasa, ose është pothuajse e sigurt, se të sheh si një plan rezervë dhe të kontakton vetëm kur ia ka qejfi! Lëre sa më shpejt, para se të jetë vonë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.