1. Mostar, Bosnje-Hercegovinë

Intervista - - TURIZEM -

Ura me hark më e famshme në Ballkan gjendet në një qytet të vockël piktoresk të Hercegovinës dhe përbën pamjen më përrallore të të gjithë vendit. Edhe vetë emri i qytetit do të thotë “Qyteti i urës” dhe të gjitha gjërat shtrihen rrotull saj: Dy rrugë të gjera me kalldrëm, në të dyja anët e lumit, i cili të mrekullon me ujërat e veta ngjyrë jeshile në gurkali. Nëpër sokaqe do të gjeni qindra shitës të vegjël dhe taverna në mes të xhamive të vjetra, shesheve dhe minareve. Pas urës së vjetër të shekullit të 16-të do të gjeni një muze të fotografisë dhe të luftës së Bosnjës, për shkak të së cilës kjo mrekulli e rrallë arkitektonike u shkatërrua dhe banorët e ndërtuan nga e para, me ndihmën e UNESCO-s. Një plus i qytetit është se gjërat janë shumë të lira (ushqimi në restorant nuk i kalon 7-10 eurot për person).

2. Dubrovnik, Kroaci

Qyteti u bë i famshëm kohët e fundit, sidomos pasi u përdor si vendxhirim për serialin “Games of Thrones”, por në realitet joshja e tij mund të vlerësohet vetëm kur e sheh nga afër: Kur shëtit nëpër rrugët- labirint të Qytetit të Vjetër, me shkallët që të çojnë në majë të mureve të larta dhe të trasha mesjetare, një pamje më vete, me kafenetë e bukura nëpër sheshet, kishat mesjetare dhe tjegullat ngjyrë portokalli që bëjnë kontrast me detin Adriatik në sfond. Qyteti është i përkryer për çiftet romantike, por Dubrovnikut nuk i mungojnë as pamjet piktoreske: Shatërvani i Onufrit, Manastiri Françeskan, Kulla e Sahatit, pallatet dhe Katedralja, Manastiri i Jezuitëve, si edhe Muzeu i Kishës dhe i Fotografive të Luftës janë disa nga gjërat e domodoshme që duhet të shihni brenda Qytetit të Vjetër, që ndodhet brenda mureve të këshjellës.

3. Veliko Tarnove, Bullgari

“Tarnova e Madhe” në Bullgarinë veriore-qendrore është e njohur edhe si Qyteti i Carëve, sepse dikur përbënte kryeqytetin e Perandorisë së Dytë të Bullgarisë. Me gjithë këtë trashëgimi, qyteti ruan atmosferën e një fshati piktoresk ballkanik, të cilën nuk ia detyron vetëm arkitekturës së veçantë të shtëpive të tij, por edhe natyrës: Ai është “kacavjerrë” nëpër katër kodra që ngrihen secila mbi lumin Jantra, ujërat e të cilit formojnë një patkua në vendin ku është ndërtuar qyteti. Zemra e tij është kodra historike Carevec, ku ruhen edne rrënojat e kështjellës, pallatit mbretëror dhe tempullit të Perandorisë së Dytë. Rruga e bukur Samovodska çarshija, me shtëpitë e rinovuara dhe pazarin, kishat bizantine, muzeun arkeologjik dhe ndërtimet e periudhës otomane janë disa nga atraksionet më popullore të një qyteti që bëhet gjithnjë e më i njohur për turistët që vijnë aty (përbën edhe një stacion treni i hekurudhës Bukuresht-Stamboll), por edhe për banorët rreth e rrotull, që e zgjedhin të kalojnë atje fundjava romantike.

4. Kotorr, Mal i Zi

Një qytet magjepsës, ndërtuar në anën më të bukur të gjirit të Kotorrit, që ka arritur t’i rezistojë turizmit masiv që ka përfshirë qytetet e tjera të Malit të Zi. Ashtu si Dubrovniku dhe qytete të tjera të brigjeve të Adriatikut, ka qytetin e vjetër të ndërtuar brenda mureve të kështjellës mesjetare, por që është i qetë dhe autentik, romantik dhe përrallor. Sokaqet e vogla me kalldrëm të çojnë në pallatet veneciane, bare të bukura, në një labirinth bukurie të cilin mund ta vizitosh duke ecur në më pak se një orë, por me siguri do të donit ta shëtisnit përsëri dhe përsëri. Nëse guxoni, mund të ngjisni shkallët që ju çojnë lart, në rrënojat e kësh-

tjellës së vjetër, nga e cila do ta shihni qytetit në pëllëmbë të

5. Gjirokastër, Shqipëri

Në fund, nuk rrimë dot pa përmendur edhe një qytet shqiptar, Gjirokastrën, për ata që nuk e kanë vizituar akoma. Mos kujtoni se e kemi shtuar ne; ajo gjendet tashmë në guidat turistike të botës. Ne thjesht duhet të bëjmë më shumë për të ruajtur bukuritë e saj dhe për të tërhequr sa më shumë turistë, të cilët, nga ana e tyre, do t’i jepnin edhe më shumë zhvillim ekonomisë lokale. Gjirokastra është ndërtuar në 8 kodra, një qytet i tëri prej guri, ku në majë ka kështjellën, nga e cila ka marrë edhe emrin. Në Gjirokastër mund të shëtisni në rrugët me të pëpjeta e të tatëpjeta, me arkitekturën epirotase, ku avllitë e shtëpive të gurta kthehen në tarraca të shtëpive përpara tyre. Do të shëtisni në sheshin qendror, në lagjen e Pazarit me shtëpitë e vjetra otomane dhe hajatet prej druri, në Muzeun e Folklorit, në shtëpinë ku lindi diktatori dhe sigurisht, në kështjellën e cila është e ruajtur mirë dhe e dyta për nga madhësia në Ballkan.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.