U solla keq me babin para vdekjes

Intervista - - MËKATE -

(Vijon nga numri i kaluar)

Kjo situatë vazhdoi për një kohë të gjatë në familjen tonë.

Të gjithë i ishim kundërvënë babait. Një ditë, mamin e morën në telefon dhe ajo u shqetësua shumë. - Ç’ka ngjarë, mami? - Babi është në spital. I ka rënë të fikët. Unë po nisem për atje.

- Po vij edhe unë. – thashë.

Kur shkuam ne, babi ishte më mirë. E kishin shtruar në një dhomë dhe i kishin bërë të gjitha analizat. Te koka e krevatit ishte një vajzë dhe një djalë. Si duket, ishin punëtorët e tij. Mami rrugës për në spital ishte shumë e mërzitur e qante pa pushim, ndërsa sa u fut në dhomë, fytyra e saj mori një tjetër pamje. U nevrikos menjëherë.

- Ne po ikim tani. - tha vajza që ishte në dhomën e babit, sa pa që ne u futëm në dhomë.

- Paske patur shoqërues të mirë. Tani keni dalë hapur?

- Nuk kam fuqi t’u përgjigjem idiotësirave të tua. - mezi foli babi.

- Idotësi? Ku ishe kur të ratë fikët? Me të? E si rrinte te koka e krevatit, sikur është gruaja jote…- fjala e mamit u nda nga mjeku i cili hyri brenda. - Paske vizita? - Familja. - tha babi. - Je më mirë tani. Sa të dalin analizat, mund të shkosh në shtëpi.

- Faleminderit doktor. - tha babi, ndërsa mami nuk foli fare. E njihja këtë fytyrë të mamit. Ajo po “vlonte” nga xhelozia. Nuk e di se sa merak kishte për babin e sëmurë, por besoj se mera- kun më të madh e kishte për vajzën që e kishte shoqëruar babin në spital.

Nga analizat doli se babi kishte kancer në pankreas. Kishte përparuar shumë shpejt, kështu që nuk do të dilte nga spitali të paktën sa të kryente një operacion. Jo se do të shpëtonte nga operacioni, por ndoshta do të fitonte kohë. Mami u mërzit shumë. E dija se ajo e donte dhe këtë e vërtetova me ato që ajo bëri për të. I rrinte te koka natë e ditë. U dobësua e u bë dhe më keq se babai që ishte i sëmurë, mirëpo babai vdiq dhe kjo për ne ishte një bombë. U shua për një periudhë të shkurtër dhe bashkë me gjithë shërbimet që i bëmë, nuk ia doli dot.

- Më vjen keq se nuk e di se çfarë do të bëhet me ne tani, – thoshte mami. – Ai ishte një burrë i zoti e unë isha mësuar që të gjitha gjërat t’i kisha nga ai. Edhe njëherë që doja të punoja, nuk munda. Edhe atë magazinë që kemi, do të na e marrin të tjerët.

Këto fjalë të mamit më sëmbonin në zemër. Ishte ajo që gjithmonë na fliste keq për babin dhe ndoshta sëmundja atij i erdhi nga mërzia e madhe se ne familja e tij e kishim lënë mënjanë, duke dëgjuar ato fjalë që na thoshte mami. Ajo gjithmonë na thoshte se ai e tradhtonte dhe ne e besonim.

- Me të vërtetë të tradhtonte babi? - e pyeta një ditë mamin, pas vdekjes së babit.

- S’ma merr mendja! E pse do më tradhtonte?

- Po ti thoje gjithmonë, se... pastaj, atë ditë në spital i the për atë gocën që e kishte shoqëruar në spital se… - nuk ia thoja dot më hapur se ajo ende nuk e kishte marrë veten nga vdekja e babit.

- Po ajo është e re, ka moshën tënde. Si do ta bënte ai burrë këtë gjë? Ai ishte një burrë model.

Këto fjalë më bënin që ta urreja mamin. E di se është e gabuar të urresh nënën, por ajo tani pas vdekjes së tij fliste ndryshe. E sa vlerë kishin këto fjalë tani? Sa ishte gjallë, ajo ia kishte bërë ferr jetën me këto fjalë “më tradhton, harxhon lekët me të dashurat” e mbi të gjitha, na e kishte mbushur mendjen ne se nuk na donte e ne i ishim larguar e gati nuk i flisnim me gojë.

I shkreti babi! Sa ka vuajtur! Kushedi si është ndjerë kur ne fëmijët e tij e përbuznim. Sa herë isha ngritur të mos e lejoja që të rrihte mamin. Ai atëherë nuk kishte faj edhe po ta kishte rrahur, se ajo ia sillte në majë të hundës.

Po motra e vogël? Sa herë i kujtoj fjalët e saj, që donte të na mbushte mendjen se ne e kemi baba dhe duhet ta duam njësoj si nënën!

Këto mendime dhe kjo brengë nuk më lë të jetoj i qetë. Nuk kam se si t’i korrigjoj sjelljet e mia me babin. Vetëm i jam futur punës që ai la përgjysëm në magazinë që të mos mbetet në duart e të tjerëve. Sa herë shkoj te puna më duket sikur babi është aty e më buzëqesh. Shpresoj ta laj kështu atë që i bëra, megjithëse shumë njerëz nuk besojnë se shpirtrat ekzistojnë.

Ajo vajza për të cilën mendonte mami se ishte e dashura është një vajzë e mirë. Kur folëm për babin njëherë, asaj iu mbushën sytë me lot. Mirëpo unë nuk dua të mendoj keq për të. Lutem që Zoti të ma falë sjelljen ndaj babit tim, megjithëse brenga më bren e s’më lë rehat.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.